“Dashuria” mes Tiranës dhe Romës, ku mbizotëron një relacion i afërt më shumë se miqësor mes Edi Ramës dhe Giorgia Melonit, po zgjat prej tri vjetësh. Vetë kryeministri shqiptar e quan “motër” homologen e tij dhe në mediat italiane, më shumë se një herë ka thënë se e konsideron veten një “Fratello D’Italia”. Duke bërë kështu një lidhje direkte me emrin e partisë së Melonit, një parti e së djathtës.

Këto marrëdhënie kanë ardhur duke u intensifikuar, e duket hapur që përtej aparencës ka një zhvillim apo disa zhvillime të rëndësishme.

Këto marrëdhënie kanë krijuar menjëherë një pështjellim të madh, madje edhe më thellë në qarqet e opozitës italiane. Përkatësisht qarqet e pjesës së majtë të konglomeratit shumëngjyrësh të asaj opozite.

E cila që në fillim të marrëveshjes për Gjadrin, reagoi fort duke kërkuar përjashtimin e Partisë Socialiste nga Partia Socialiste Europiane, por që më vonë reagimi u sfumua. U duk qartë ndikimi i kreut të Internacionales Socialiste dhe të majtit më të fuqishëm në Europë, kryeministrit Spanjoll Pedro Sançez, një majtist klasik, i cili ka relacione mjaft të mira dhe të afërta me Edi Ramën.

Por opozita italiane, përkatësisht qarqet e majta të Partisë Demokratike të Elly Shclein dhe sidomos të Lëvizjes 5 Yje nuk i ka ndalur sulmet ndaj Edi Ramës dhe qeverisë shqiptare. Mediat pranë saj, sidomos Il Fatto Quotidiano e drejtuar nga Marco Travaglio i ka të shpeshta sulmet dhe akuzat ndaj qeverisë shqiptaret, ndërkohë edhe emisioni Report i Raitre, konsiderohet i afërt me këto qarqe politike.

Nello Trochia, gazetari italian që ka shkruar mbi “takimin e famshëm të Aruba-s”, është mjaft i afërt me Travaglion dhe ka qenë i rregullt i gazetës Il Fatto Quotidiano. Trochia, përpara se të publikojë librin e tij të bujshëm, ka ardhur në Shqipëri për një vizitë të shkurtër me dy ndalesa; një në Vlorë e një në Tiranë. Ku stacioni më i rëndësishëm ka qenë një takim me Sali Berishën.

Shtëpia e të cilit dhe zyra e tij është bërë stacion për gazetarët italianë që i përkasin mediave pranë së majtës. Ky mobilizim politik i panatyrshëm, siç mund të duket edhe tandemi Rama-Meloni në formën ideologjike, tregon se ka një shqetësim për marrëdhënien e dy kryeministrave. Që nuk duket aq e cekët e aq formale, por më shumë se kaq.

Në realitet, mbledhja e përbashkët e dy qeverive për herë të parë në një takim të tillë është një dëshmi e qartë. Si nga aspektin demonstrativo-protokollar që flet shumë, por edhe në atë përmbajtësor të marrëveshjeve që u firmosën.

Ku më e rëndësishmja është krijimi i një joint- venture për ndërtimin e anijeve ushtarake në bazën e Pashalimanit. Një aset strategjik i Shqipërisë, i cili gjithmonë ka qenë i dëshirueshëm nga mjaft aktorë botërorë e rajonale, që nga Bashkimi Sovjetik i dikurshëm e deri pas viteve 90, Turqia apo Greqia.

Në të vërtetë, Italia gjithmonë ka dashur që të ketë një marrëdhënie më të rëndësishme me Shqipërinë, e cila nuk ka qenë aty ku ka dashur Roma. Në vitet e para pas rrëzimit të komunizmit, qeveria e PD-së nuk pati marrëdhënie të afërta me Italinë, ndërkohë përtej tensoneve të shpeshta me Athinën, u arrit firmosja e një pakti miqësie. Në vitin 1997, kur në krye të qeverisë italiane ishte Romano Prodi, Roma luajti një rol protagonist në Shqipëri, aq sa u caktuar nga OKB për të drejtuar misionin paqeruajtës ushtarak Alba, për krijimin e një mjedisi të qetë për zgjedhjet parlamentare.

Prodi, bëri në atë kohë një lëvizje mjaft të fuqishme diplomatike, kur qeverinë shqiptare e drejtonte Bashkim Fino. I cili ndërsa po nisej për një vizitë në Athinë, Prodi mbërriti në aerodromin e Gjirokastrës me urgjencë për të takuar kryeministrin socalist. Një sinjal i qartë i konkurrencës diplomatike të dy vendeve të BE-së në lidhje me influencën në Shqipëri.

Pas zgjedhjeve të 1997, të tre kryeministrat socialistë; Fatos Nano, Pandeli Majko dhe Ilir Meta, vizitën e parë jashtë vendit e kryen në Athinë dhe i dhanë prioritet shumë të madh marrëdhënieve me Greqinë. E cila në atë kohë mori në dorë asetet strategjike ekonomike shqiptaret; nga telekomunikacioni, bankat, hidrokarburet, tregtia, drithërat etj etj.

Ndërkaq në vitin 1999, me shpërthimin e luftës së Kosovës, në politikën italiane pati një dalje të hapur të qarqeve që mbështetën Milosheviçin. Si nga e majta-komunistët ekstremë, centristët-Lamberto Dini, ministër i Jashtëm dhe djathtas Lega Nord e Umberto Bossit.

Marrëdhëniet e afërta të Shqipërisë me SHBA hasën mjaft xheozi e keqkuptime nga mediat dhe politika italiane, gjë që u manifestua shpesh, deri edhe në takime publike.

Fatos Nano, në kohën kur ishte kryeministër, që e kuptonte mirë hatërmbetjen e Romës për relacionin e tij me qeveritë e PASOK-ut në Athinë, përdori një manovër të fortë, po që s’pati përgjigjen e duhur. Në një intervistë për La Repubblica-n, një gazetë e rëndësishme pranë së majtës italiane, Nano propozoi një protektorat të Italisë ndaj Shqipërisë. Ndërkohë që në takime joformale Nano përdori një shprehje kolorite: “na vendosni një prezervativ”.

Lëvizja e Nanos, në një farë mënyre ishte një “thirrje për ndihmë”, natyrisht e koduar, për ta larguar nga ajo marrëdhënie “e detyruar” dhe jo kimike me Athinën.

Në intervistën e tij, jo pa qëllim Nano shkoi larg, duke theksuar se në Tiranë investimet e bëra në kohën e fashizmit ishin më të mirat e më të qëndrueshmet. Një top i hedhur qartë tek e djathte italiane. Por nuk pati një reagim nga Roma, madje edhe kur në krye të qeverisë erdhi Silvio Berlusconi.

I cili gjithsesi pati një afrim me Tiranën, e posaçërisht me Fatos Nanon. Megjithatë këto marrëdhënie shkuan më shumë tek problemet pragmatike të ditës, siç ishte ndalja e gomoneve që vinin nga Vlora në Puglia, sesa një afrim më strategjik.

Me riardhjen e Sali Berishës në 2005, Roma sërish nuk pati një avancim, edhe pse qeveriste e djathta e Berlusconit, pasi Tirana zgjodhi Athinën si partner të ngushtë, me të cilin firmosi paktin famëkeq të detit.

Gjithsesi nuk ka qenë vetëm Tirana fajtorja e kësaj marrëdhënie ngriva-shkriva. Edhe Roma vetë, e cila ka më shumë se një qendra politike gravitacionale, nuk ka pasur ndonjë prioritet të një afrimi më të madh me Shqipërinë. Romano Prodi, ish-kreu i BE dhe ish-kryeministri i qendrës së majtë, përkatësisht mentori politik i kreut të sotëm të PD-së, Elly Shclein, deklaroi 4 vite më parë se Roma duhet të kthehej tek influence mbi Shqipërinë.

Prodi, në një intervistë të tijën deklaroi se influence italiane në Mesdhe po zihej me zgjuarsi nga Turqia e Erdoganit, duke përmendur Libinë dhe Shqipërinë. Në këtë moment, ka nisur të përmendet edhe në qendrat studimore dhe mediatike italiane, riafrimi i influencës së Romës në Ballkan, e posaçërisht në Shqipëri.

Dario Fabri, një nga ekspertët më të spikatur të gjeopolitikës në Itali, që drejton revistën prestigjoze “Domino”, tha para disa muajsh se Roma duhet të lëvizë. Fabri e shpjegoi këtë me një logjikë të thjeshtë. Ai tha se edhe pse Italia e kishte pushtuar Shqipërinë, përshtypja në popullin shqiptar e italianëëve nuk ishte negative përkundrazi. Ndërsa gjatë komunizmit, soft power-i italian u përhap thellë në Shqipëri nëërmjet televizionit. Fabri shtoi gjithashtu se ndryshe nga Italia, Turqia po e shfrytëzonte me zgjuarsi influencën e saj nëpërmjet një soft poweri që ekzistonte që nga periudha otomane.

Në këtë kontekst, simbolika që nënvizoi Giorgia Meloni në konferencën me Edi Ramën, ku të gjithë ministrat shqiptaret folën italisht, nuk ishte aspak një rastësi. Ky fakt u përmend edhe në intervistën e Edi Ramës me Bruno Vespa-n. Kryeministri shqiptar, në realitet ka qenë gjithmonë një partizan i afrimit, duke bërë deklarata të forta, si “italianët janë shqiptarë të veshur me Versaçe” etj etj. Ky afrim, duket ka nisur realisht përpara dy vjetësh, kur Meloni bëri një pushim të gjatë me familjen e saj në Vlorë. Kohë kur relacionet mes Tiranës dhe Athinën arritën pikun e tyre më të ashpër si pasojë e çështjes Beleri. Prej asaj kohe e deri më sot, këto relacione kanë arritur në një pikë që nuk duket se janë një relacion sipërfaqësor apo një marrëdhënie ekonomike.

Italia me Shqipërinë ka marrëdhënie të mira natyrale në aspektin ekonomik, duke qenë partneri i parë tregtar. Por Industria italiane nuk ka një shtrirje që lidhet me politikën në aktivitetin e saj. Ajo është e përhapur në gjithë botën, sipas një nuhatje të mirë historike tregtare dhe jo pjesë e influencës që vjen nga Roma.

Megjithatë, Giorgia Meloni, nuk është një politikane që erdhi rastësisht në krye të vendit. Dy vjet para se të fitonte zgjedhjet, partia Fratelli D’Italia e Melonit mori 4%. Por ishte zemëreku i qendrës dhe të djathtës së moderuar italiane, përkatësisht lobi industrial që e mbështeti fuqishëm dhe orientuar si lidere e së djathtës.

Një pjesë të madhe të kësaj mbështetje, e ka lobi i industrisë ushtarake italiane, e cila është një nga ekselencat e teknologjisë dhe me një avancim në eksportet dhe prodhimet e saj. Ministri i Mbrojtjes së Melonit, Guido Crosetto, krahu i djathtë i saj në FDL është një protagonist i rëndësishëm në industrinë militare gjatë gjithë karrierës së tij. Me një influencë të fuqishme në lobin industrial dhe atë të influencës së qarqeve të qendrës së djathtë, sidomos në veriun e Italisë. Ardhja e tij kur u hap aeroporti i Kuçovës, ishte sinjal i qartë se marrëdhëniet Tiranë-Romë do të kenë edhe konceptin e tyre militar.

Ndërkaq, në aspektin politik kryemininistrja italiane, ka rritur fuqishëm potencën e saj në arenën europiane edhe botërore, edhe pse nuk e ka pasur rrugën e lehtë, si pasojë e konkurrencës së “kushërinjve” francezë apo fuqisë së Berlinit.

Marrëdhëniet ekselente të saj me Donald Trump, por edhe me arabët e Lindjes së Mesme, Afrikës Veriore dhe natyrisht edhe me Erdoganin, i cili në konfidencë i kërkoi që të lëre cigaren, nuk janë gjë tjetër vetëm shenja të fuqizimit dhe avancimit italian në arenën globale.

E në rastin aktual ku konkurrentët francezë janë në një situatë të rëndë ekonomike por edhe politike, Meloni po përfiton të avancojë influencën e vendit të saj, sidomos aty ku Roma e ka këtë gjë të natyrshme siç është Shqipëria. Një relacion që sipas të gjitha gjasave nuk do të jetë as një kimi personale e as një dashuri e përkohshme.