Një muaj sot dhe protesta nuk e rrëzoi pushtetin. Nuk e rrëzoi as opozitën. Por ka një arritje të jashtëzakonshme. Tregoi se poli i tretë është më pranë se kurrë, pavarësisht se Shqipëria politike vazhdon të funksionojë sipas skenarëve të vjetër.
Realiteti i ri nuk është ai që përshkruan qeveria, sipas së cilës protestat ishin një dështim. Nuk është as ai që shpall opozita, sipas së cilës vendi ndodhet në prag të ndryshimit.
Realiteti i ri është më kompleks dhe më i pakëndshëm për të gjithë.
Qeveria e kuptoi se kontrolli institucional nuk është më i barabartë me kontrollin politik. Mund të zotërosh parlamentin, administratën dhe pushtetin vendor, por nuk mund të kontrollosh pafundësisht perceptimin publik. Sa më shumë pushtet grumbullohet, aq më i madh bëhet rreziku i konsumimit të tij. Arroganca nuk është më shenjë force, por simptoma e frikës se kontrolli po rrëshqet.
Opozita, nga ana tjetër, provoi se mobilizimi nuk është i njëjtë me alternativa. Turmat krijojnë presion, por jo domosdoshmërisht besim. Një protestë mund të mbushë sheshin për një ditë, por nuk mbush boshllëkun e vizionit për vitet që vijnë. Shqiptarët nuk kërkojnë vetëm të largohet dikush; ata kërkojnë të dinë kush dhe si do ta zëvendësojë.
Ndërkohë, qytetarët dhanë mesazhin më të rëndësishëm. Ata nuk janë më ushtarë të bindur të partive. Ata lëvizin, afrohen ose largohen, mbështesin ose refuzojnë, sipas interesit, besimit dhe pritshmërive të tyre. Besnikëria politike nuk është më e garantuar. Ajo duhet fituar çdo ditë.
Protestuesit, kanë disa merita të rëndësishme në ndryshimin e realitetit politik shqiptar.
Së pari, thyen narrativën e paprekshmërisë së pushtetit. Një muaj protesta tregoi se edhe një pushtet me shumicë të fortë parlamentare, kontroll institucional dhe dominim të hapësirës mediatike nuk është imun ndaj presionit publik. Protestat e rikthyen qytetarin në qendër të debatit politik dhe detyruan qeverinë të kalojë nga vetëbesimi në mbrojtje, duke reaguar vazhdimisht ndaj zhvillimeve në terren.
Së dyti, rikthyen protestën si instrument legjitim demokratik, pasi për vite me radhë ishte krijuar bindja se protestat nuk ndryshonin asgjë. Mobilizimi i fundit tregoi se pjesëmarrja qytetare mbetet një mekanizëm i rëndësishëm kontrolli ndaj pushtetit. Edhe pa sjellë një ndryshim të menjëhershëm politik, protestat ndikuan në axhendën publike, rritën koston politike të vendimmarrjes dhe rikujtuan se legjitimiteti nuk buron vetëm nga zgjedhjet, por edhe nga aftësia e qytetarëve për të kërkuar llogari mes tyre.
Në këtë kuptim, merita më e madhe e protestuesve nuk matet domosdoshmërisht me ndryshimin e qeverisë, por me ndryshimin e ekuilibrit politik: ata dëshmuan se pushteti nuk është i pakontestueshëm dhe se shoqëria civile mund të rikthehet si faktor në jetën politike shqiptare.
Së treti, një muaj protesta prodhoi edhe një tjetër zhvillim: narrativat tradicionale po konsumohen. Etiketimet “armik”, “tradhtar”, “agjent”, “autokrat”, “non grata”, “mercenar” apo “antishqiptar” kanë humbur fuqinë që kishin dikur. Shqiptarët dëgjojnë, por nuk binden më automatikisht. Ata kërkojnë prova, rezultate dhe përgjegjësi.
Së katërti; edhe faktori ndërkombëtar u bë pjesë e këtij realiteti të ri. Politika shqiptare vazhdon ta përdorë si armë retorike, por gjithnjë e më pak arrin ta monopolizojë atë. Mbështetja e partnerëve nuk zëvendëson legjitimitetin e brendshëm, ndërsa retorika kundër aleatëve strategjikë nuk prodhon kapital politik afatgjatë. Shqipëria mbetet një vend që nuk mund ta ndërtojë të ardhmen duke qenë në konflikt me partnerët e saj, por as duke u fshehur pas tyre.
Së pesti, protesta mbi të gjitha nxori në pah lodhjen e një sistemi politik që riciklon të njëjtët protagonistë, të njëjtat konflikte dhe të njëjtat justifikime. Qeveria fajëson opozitën. Opozita fajëson qeverinë. Ndërsa qytetari prej 36 vitesh vazhdon të paguajë faturën e këtij cikli e riciklimi pa fund.
Gjithsesi, realiteti i ri politik shqiptar nuk është triumfi i askujt. Është fillimi i fundit të politikës së rehatisë. Çasti kur pushteti kupton se nuk mjafton të fitojë zgjedhjet për të fituar besimin, ndërsa opozita kupton se nuk mjafton të organizojë protesta për të fituar qeverisjen.
Shqipëria ka hyrë në një fazë ku beteja nuk do të zhvillohet më vetëm në sheshe apo në ekranet televizive. Ajo do të zhvillohet për besueshmërinë. Për aftësinë për të bindur. Për kapacitetin për të prodhuar shpresë dhe jo vetëm zemërim e revoltë.
Kjo besoj se është sfida e vërtetë e muajve që vijnë. Jo kush bërtet më fort, por kush arrin t’u japë shqiptarëve një arsye të besojnë se politika mund të jetë diçka më shumë se një luftë e pafund për pushtet.
