Në mbyllje të një viti jo normal për nga sasia e problemeve që hasëm, emocionet dhe frikërat që shoqëruan jetët e gjithkujt, pjesën më të madhe të diskutimeve dhe debateve, me të drejtë, e zuri shëndeti dhe ekonomia. Problemi i parë, shëndeti, po merr një zgjidhje të caktuar duke parë edhe përgjigjen që po vjen nga bota e shkencës dhe reagimi mbrojtës i gjithkujt nga ne frymorët.
Ekonomia, veçanërisht, nuk po jep sinjale ngritje qoftë sepse jemi ende herët në ditët e para të vitit por edhe sepse me akte e veprime a mosveprime të organeve shtetërore të jepet përshtypja se ato po veprojnë sikur të ishim në ditë normaliteti dhe propozimet e ndërhyrjeve të tyre me akte rregulluese janë jo në kontekstin e duhur.
Kostot e fshehura në një ekonomi që vepron në kushte tregu e konkurrence janë një problem mbarëbotëror dhe “ilaçi” i vetëm për të zgjidhur atë është transparenca dhe fleksibiliteti në vendimmarrje i organeve shtetërore që me vendimet e tyre ndikojnë në atë treg.
Një rast tipik ështw ky i muajit dhjetor 2020 kur KLGJ kaloi gati nën zë një propozim (Vendim i KLGJ nr. 641 datë 23.12.2020) i cili, në bazë të kompetencave të dhwna nga Ligji, po kërkon që të ndryshohen llojet dhe masat e tarifave gjyqësore për shërbimet në sistemin gjyqësor të cilat normalisht nuk mund të konsiderohen të hyra në fuqi pasi më parë duhet të marrin edhe pëlqimin e Ministrive përkatëse.
Nuk është vendi për t’i hyrë një shtjellimi rrënjësor mbi atë çka propozon të ndryshohet por të bie në sy menjëherë që sistemi i tarifave gjyqësore ashtu si është propozuar duken si çmime në një biznes dhe do të rrisë koston e palëve në një gjykim në një masë të lartë e të pajustifikuar.
Po marrim si shembull vetëm një nga aspektet e propozuara: deri sot për gjykime me vlerë mbi 100.000 lekë paguhet 1% e vlerës, ndryshimi propozon që edhe në Gjykatën e Apelit dhe në Gjykatën e Lartë të paguhet nga 0,2 % – 0,5 % shtesë për çdo shkallë n.q.s. Ankimi apo Rekursi pranohet. Plus shpenzime e kosto të tjera që vijnë si pasojë e aktivitetit që një gjykim kërkon. Ky propozim mund të duket i tepërt por dua të rikujtoj që përpara jo shumë vitesh tarifa për paditë me vlerë mbi 100.000 Lekë ishte 3 %!!
Por kush janë çështjet që preken më shumë nga këto rritje të propozuara? Duke i marrë për nga vlera shumica e tyre do të prekin marrëdhëniet kontraktore midis bizneseve, midis bizneseve dhe shtetit dhe më tej edhe midis personave e biznesit, duke krijuar kështu një problem madhor me atë që trajton e prek aspekte të aksesit në drejtësi. Kushdo subjekt që krijon të ardhura në Shqipëri detyrimisht i nënshtrohet edhe rregullave të tatim fitimit sipas parashikimeve të ligjit tatimor në fuqi, pra parimisht me pagesën e tatim fitimit apo taksave e detyrimeve të tjera fiskale do të mund të pretendohej një sistem që të mbulojë disa shërbime që vetë shteti ka detyrë të japë, një nga këto shërbime është edhe ai gjyqësor.
Për të arritur në një propozim për rritje të tarifave për shërbimet duhet domosdoshmërish të bëhet një debat publik ku të publikohen disa elementë si sasia e gjykimeve, kategorizimin e tyre, kohëzgjatjen dhe produktivitetitn e gjykimit, kostot që ka një gjykim në seksione të ndryshme të Gjykatës deri në ekzekutimin e vendimeve. Ky debat, edhe në qoftë se është bërë në KLGJ, nuk mund të bëhet pa u përfshirë në të shoqata biznesi apo OJF të ndryshme që veprojnë në mbrojtje të kategorive, Dhoma Kombëtare e Avokatisë, KLGJ dhe Ministritë kompetente në mënyrë që gjithsecili nga këta të japë mundësi dhe alternativa.
Më tej nga propozimi për rritje i tarifave gjyqësore duhet marrë parasysh dhe impakti që një rritje e tillë do të sjellë te aksesi në drejtësi si një e drejtë e kujtdo, e panegociueshme dhe e drejtë themelore e bazuar në një sistem demokratik që garanton dhe investon për të vënë në zbatim këtë të drejtë nga kushdo ka interes.
Aksesi në sistemin gjyqësor i kujtdo nuk mund të kufizohet apo bllokohet me vendime e urdhra që nuk janë konsultuar me palët e interesuara e që nuk justifikojnë as produktivitetin e gjykatave shqiptare në krahasim me interesat dhe shpejtësinë që kërkon shpesh procesi gjyqësor. Në këtë aspekt, në qoftë se ka një propozim të tillë nga organizmat ndërkombëtarë, nuk mund të merren propozime shabllon dhe ti vendosen kontekstit tonë në Shqipëri për sa kohë jemi me ligje, parashikime procedurale dhe zbatim, për mendimin tim, shumë larg të qenit një sistem garantues i së drejtës.
Në mbyllje të këtij reflektimi fillim viti, të ngacmuar nga ky propozim burokrat, mendoj se nuk mundet që një ndryshim i tillë të kalojë si normal dhe të gjitha shoqatat e biznesit, OJF, Avokatët, shoqëria civile të qëndrojnë pa reagim e pa u përfshirë në këtë debat që, në qoftë se aprovohet, shumë shpejt do të nxjerrë probleme të shumta. /Gazeta Shqip
©Copyright Gazeta Shqip
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.