Kryeministri Rama po përballet me protestën me të rrezikshme në karrierën e tij. E ndryshme në thelb nga populloret e mëparshme, ku kanë spikatur ajo kundër armëve kimike, apo protesta studentore me kërkesa konkrete kryesisht ekonomike. Në të dyja rastet dhe në të tjera më të vogla Rama ka negociuar, ka lëshuar, ka bërë bërë hapa prapa, deri duke marrë përsipër zhgënjimin e partnerëve amerikanë të presidentit Obama për një premtim të pambajtur. Vox Populi, vox Dei ( Zëri i popullit, zëri i Zotit ) nuk është vetën një maksimë. Është edhe barkë shpëtimi nganjëhërë.

Kësaj radhe Ramës po i bërtitet një kërkesë puro politike për t’u dorëhequr. E njëjtë me atë të Partisë Demokratike në opozitë, por me një tjetër domethënie, një tjetër peshë. Ajo vjen nga një bashkësi gjithnjë e më e madhe qytetarësh të lirë pa parti, shumë prej të cilëve kanë “dezertuar” nga kazermat politike PS-PD. Vjen si një mocion mosbesimi nga agora qytetare. Pa pretendimin “ik ti ti vimë ne”.

Kërkesën e ngjashme të PD-së Rama e ka injoruar. Sepse kishte dhe ka një shumicë solide. Por edhe duke e ditur se Berishës i duhej sa për të karikuar ndjekësit e tij dhe për të vijuar teatrin e armiqësisë për sytë e publikut. Sakaq, nga flakët e molotovëve, Rama ka përfituar më shumë tolerancë e symbyllje në Bruksel për çfarë shkon keq në qeverisjen e Shqipërisë.

Kurse protestat paqesore, spontane, të çiltra, me një pjesëmarrje heteriogjene dhe sidomos me një prani impresionuse te rinjsh e të rejash, e kanë shkundur, tronditur. Ato nuk llogarisin numrin e deputetëve, por realitetin e qeverisjes. Ato e kanë venë Ramën mes shumë zjarresh. Si anjëherë tjetër më parë.

Nuk po ndalemi te zjarri që ka ndezur e ushyer vetë në galopin e personalizimit të pushtetit, duke shkuar dukshëm tej protagonizmit që kryeministrit ia jep posti që mban.

Rrimë te rasti i Zvernecit që shërbeu si kushtrim për ngritjen e qytetarëve në revoltë. Nuk besohet se vajza e Presidentit Tramp, Ivanka dhe burri i saj, Jared Kushner, të cilëve u del emri si investorë të resortit katër miliard euro, të jenë të lumtur tek marrin vesh se u është oftuar një terren i minuar me paqartësi dhe kontradikta për pronësinë. Ata po sulmohen nga shumë media dhe figura publike e politike në SHBA për këtë aferë në Shqipëri. Sulme të cilat puntojnë pozicionin e tyre të paqartë në raport me premtim – investimin në letër, sikur e kanë përfituar thjesht si ndërmjetës, në formën e trafikut të influencës. Kësaj stuhie në SHBA i ka ardhur në ndihmë edhe vetë zonja Kuzhner me rrefimin e saj në media të “pronësisë” si fakt të kryer të ishullit të Sazanit dhe bregut të Zvernecit përballë.

Si t’i kishin zbuluar gjatë një ekspedite, a tua kishte bërë dhuratë kryetari i ndonjë fisi afrikan nga ato të shekullit të kaluar. Sidoqoftë, duke parë se gjithë kjo që po ndodh i bën dëm reputacionit të tyre dhe mund të ketë madje kosto elektorale edhe për Presidentin, ma merr mendje se janë të zhgënjyer me kryeministrin bujar. Shpresojmë të mos shkojnë deri atje sa të mallkojnë ditën kur u panë.

E njëjta gjë edhe për dy vellezërit sirianë me banim në Katarr, që prezantohen si investitorët e resortit. Me siguri, të befasua edhe ata. Ç’ne me lazëm, kemi një shprehje në Shqipëri që ka kuptimin ç’na u desh. Nga ana tjetër, nuk është pa gjë ajo që po flitet në Tiranë se Rama po tëheq mbi vete tani edhe pakënaqësinë e ish miqve sorosianë, që nuk ia falin flirtimet me njerëzit e Tramp, proselitizmin e tij në ketë rrafsh marrëdhëniesh.

Pakënaqësi, dyshime dhe kundërshti për aferën e Zvernecit ka në Bruksel dhe në kryeqytete të disa vendeve anëtare të BE-së. Jo vetëm nga të gjelbrit, indinjata e të cileve për cënimin e mjedisit dhe biodiversitetit ha diskutim si temë dhe mund të debatohet. Por edhe nga fraksione të tjera politike që ndjekin shqetësime të natyrës gjeopoltike në hapësirën e kontinentit europian e me gjerë.

Si vend kandidat gjithnjë e më afër anetarësimit në BE, qeveria e Shqipërisë duhet të konsideroje në marrëdhëniet e saj me të të tretët jashtë kontinentit dhe hapësirës euroatllatike kuadrin e interesave dhe standarteve të familjes së përbashkët. Nga kjo pikpamje pirutetat për nevoja të politikës së ditës apo edhe për interesa strikte personale të kryeministrit tonë, ende pa u berë anëtarë të BE-së, shihen me shumë shqetësim. BE sapo është çliruar nga kryeministri hungarez, që hante bukën e turkut dhe bëntë davane e kaurit, siç thotë një shprehje e vjetër popullore.
Në këtë kompleks marrëdheniesh të rrëshqitshme Rama po përballet me enigmën më të madhe të karrierës së tij: me protestën e qytetarëve të lirë që i kërkojnë dorëheqjen.

Nuk ka me këtë bisedojë. Lidërshipi i protestës, nëse ekziston, është fluid. Njerëzit që po dalin çdo progambrëmje në bulevard e kanë kuptuar se sekreti i fuqisë së tyre është kompaktësia si të ndryshëm, pa u sjellë si subjekt politik. Kryeministri po investon më kot narrativën e dalë bojë të protestave të frymëzuara nga armiqtë e jashtëm të Shqipërisë. Që vendet armike dhe rivale punojnë kundër Shqipërisë , kjo nuk do mend e kalem.

Shteti paguan institucione për t’u mbrojtur prej tyre. Kurse protesta është zgjimi i Shqipërisë, pasuria më e madhe e demokracisë së saj në këtë kohë. Sa më shpejt ta kuptojë Rama, aq më mirë do të jetë për të . Le të mendohet. Ndërkohë protesta po i bën me dije botës të vërteten e qeverisjes në Shqipëri . Ajo nuk ka gjasa të ndalet. Por edhe sikur të mos bëje më shumë, Rama nuk mund të jetë më sundimtari që sillet me vendin si me një feud të vetin. Protesta e rinisë e stërplaku rrufeshëm kastën e plakur pluralë solidare të establshmentit tridhjetëvjeçar.