Legjislatura e re e Parlamentit shqiptar dha simptomat e njëjta me atë të shkuarën: bojkot, zhurmë, akuza, përqeshje, përfolje dhe tollovi. Masa e madhe e deputetëve të PS-së më shumë e përdorën gjuhën e trupit në votimin për kryetarin për të treguar diferencën dhe arrogancën e numrave, sesa seriozitetin e ditës së parë të parlamentit. Opozita e sprovuar tashmë në tollovi dhe në plot 12 vite sakrifica së të qënurit në minorancë bëri atë që dinte të bënte më mirë: Përqeshjen, bojkotin dhe tollovinë.

Dita inauguruese që shkonte edhe me përkujtimin e figurës së Azem Hajdarit tregoi dhe ndarjen e thellë mes palëve. Për fatin e keq, PD ka kontribuar negativisht në krijimin e respektit për këtë figurë, kurse organet e shtetit shqiptar asnjëherë nuk e zbardhën si duhet figurën e personalitetit të tij, bashkë me arsyet e nderimit sublim shtetëror. Berisha ka kontribuar si askush në këtë amulli me malin e sharjeve që ngriti në të gjallë.

Parlamenti është mbase në legjislaturën e fundit me këtë numër të madh anonimësh dhe karton-ngritësish. Të paktën Rama e kuptoi atë shqetësim publik dhe real të shumë artikullshkruesve për një realitet parlamentar që nuk i shkon vendit. Madje, shkruesi i këtyre rreshtave ka propozuar kthimin te Teatri i Kukullave, atje ku i shkon simbolikisht, madje me një numër edhe më të vogël. Demografikisht dhe cilësisht i justifikuar.

Edhe pse, lëvizja e Ramës për reduktimin e këtyre karton-ngritësve duket se e ndih peshën e PS-së, madje edhe të PD-së, një gjë është fakt: Ky parlament me këtë përbërje ka kohë që nuk e luan rolin e tij. Një mësim i madh edhe për publikun shqiptar që voton qorrazi. Ndërkohë që karton-ngritësit e Ramës nuk mëtohet se do të sjellin ndonjë risi të madhe veçse aprovimin e çdo direktive të Ramës, ata të PD-së, falë dhe Berishës, vuajnë mungesën e identitetit dhe mospërfshirjen në rreshtat e tyre të demokratëve që mund ta çonin shumë lart diskurin për ligjet dhe betejën ndaj korrupsionit. Janë një amalgamë e dy krahëve që në përgjithësi e njohin mirë njëri-tjetrin dhe ku një pjesë e tyre janë marrë më shumë me fjalë sesa me sfidat që e presin vendin.

Për fatin e keq të vendit mbeten vetëm dy njerëz, të cilët bëjnë ligjin për gjithçka. Rama dhe Berisha dhe këtë legjislaturë do luajnë fatet e vendit, kurse ne do mbetemi spektatorë të shpesh mizeries që do na dhurojë për çdo ditë në katër vitet e ardhshme parlamenti. Ky është destini ynë, krijuar nga vetë ne. Sikur të ishin ca shqiptarë të panjohur dhe të bashkoheshin për një ideal që ta shikonin Shqipërinë zonjë, mbase do kishte produktivitet shumë më të lartë. Ideali i Rilindasve të shekullit XIX dhe XX ka humbur. Por kjo është situata, ky është parlamenti ky është fati ynë.

Sikur i ka gjetur një përkufizim filozofi i kohëve tona Noah Harari: “Nëse merrni 10,000 shimpanze dhe i bashkoni së bashku në stadiumin Wembley ose në Parlament, do të keni kaos të vërtetë. Por nëse merrni 10,000 njerëz që nuk janë takuar kurrë më parë, ata mund të bashkëpunojnë dhe të krijojnë gjëra të mahnitshme”. Po ky nuk është rasti ynë. Është legjislatura XI e Parlamentit shqiptar.