Zjarri në Karaburun më kujtoi se sa të dobishëm do të ishin avionët Air Tractor të përshtatur për fikjen e zjarreve, të cilët duke qenë shumë ekonomik dhe efikas, janë bërë standard për vendet e vogla në Evropë.

Këtu përfshihen edhe komshinjtë tanë, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi të cilët kanë ka nga tre secili. Një AT-802A kushton një 1.5 milionë euro ndërsa versioni amfib AT-802A Fire Boss kushton 2.5 milionë euro.

Këto nuk janë asgjë po të krahasohet me milionat e eurove të djegura çdo vit në lëndë drusore apo dëme të tjera materiale apo milionat e shpenzuara në burime njerëzore e materiale për t’i fikur ato. Ndërkohë që Shqipëria përvëlohet çdo verë nga zjarret, qeveria shqiptare ka parapëlqyer që të investojë në krijimin e një linje të panevojshme ajrore gjysëm-shtetërore Air Albania, që të mund të përdoret si avion privat për vizitat e kryeministrit.

Për mos të folur pastaj për qindëra miliona euro të shpenzuara për fasadat e makiazhin estetik në kuadër të “rilindjes urbane” ndërkohë që vendi ynë nuk ka pajisje moderne për emergjenca civile, fikjen e zjarreve apo operacione shpëtim-kërkimi. Një zgjidhje ideale do ishte që të bëhej marrëveshje me Kosovën për të blerë disa të tillë me fondet e të dy qeverive për të krijuar një flotë avionësh zjarrëfikës të përbashkët të stacionuar në aeroportin e Kukësit ose Gjakovës.