E fundit gjë që do të dëshironte Edi Rama të ndodhte në Tiranë, ishte që publiku të mësojë atë që ai me shumë gjasa e dinte apo dhe thjesht e parandjente ditë më përpara. Të dinte saktësisht se çfarë ka vendosur t’i thotë zëvendëses së tij të hënën – apo dhe në ndonjë nga ditët në vijim – prokurori Premçi me hijen e rëndë të Altin Dumanit nga pas. Në një rrjedhë jo dhe aq të papritur të ngjarjeve, në mes të shpërthimit të debatit për aeroportin e Vlorës, nuk mund të kishte lajm më të keq për maxhorancën socialiste, sesa fletëthirrja për zonjën e hekurt Belinda Balluku për t’u paraqitur në SPAK. Madje e shoqëruar edhe me avokat. Sikur dhe deri këtu të mbetet spiralja e të panjohurës, dëmi moral për pozitën është i një përmase të jashtëzakonshme. Një dëm që e ngre kokën edhe mbi arrestin në detyrë të kryetarit formal të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Diga përballë zëvendëskryeministres së gjithëpushtetshme, e krijuar sa nga pushteti i fituar vetë, aq edhe i transferuar nga Rama drejt saj, e sendërtuar nga pjesa dërmuese e medias, e përforcuar nga segmente të caktuara të opozitës dhe nga aleanca të përkohshme me to, shoqëruar me frikë të përhershme dhe miqësi fluide brenda maxhorancës, e kuruar nga interesa shumëngjyrëshe të biznesit dhe faktorëve të tjerë, kjo digë, pra, rrodhi ujë për herë të parë. Dhe nga e hëna e ardhshme, asgjë në politikën shqiptare nuk do të jetë më njëlloj. Pjesa tjetër është vetëm kronikë politike. Marrëdhëniet e tendosura dhe bipolare të saj me sistemin e drejtësisë, kontrolli dhe balanca mes tyre, kanë marrë një përmasë tjetër dhe kanë thyer gjithashtu edhe një steriotip idiot e legjendë urbane: bindjen ortodokse se Rama e kontrollon në qelizë të gjithë sistemin e drejtësisë. Dhe këtu duhet të nisë edhe analiza e faktorëve që do të ndryshojnë e transformojnë pakthim vetë politikën shqiptare.
Rama, ndryshe nga sa mendojnë miqtë që e urrejnë fshehurazi dhe armiqtë që e adhurojnë haptazi, padyshim që ka ndikim të caktuar në segmente të caktuara të drejtësisë, përfshi edhe vetë SPAK-un. E ka pasur dhe do ta ketë çdo kryeministër që qeveris një vend kaq të vogël e modest si Shqipëria, ku morali e ligji shpesh i përulen hesapit vetjak. Por arkitektura e sistemit që ai vetë ideoi dhjetë vite më parë, ka hapësira të mjafta për t’i prishur keq humorin çdo kryeministri, qoftë “ish”, qoftë në detyrë apo dhe pasardhës. Korri servil i miqve të paditur dhe armiqve naivë të Ramës, që shihte tek arresti i Veliajt, për shembull, vetëm zgjatimin e vullnetit kryeministror me mjete juridike, tashmë nuk mund të thotë assesi të njëjtën gjë për zonjën Balluku. Hetimet ndaj saj dhe fletëthirrja për në SPAK, janë bërë pa asnjë mëdyshje jo nën bekimin e Ramës. Përkundrazi, ato kanë tendosur mërinë e tij të skajshme.
Për të gjitha arsyet që afron bota e vogël hilacake shqiptare, me të gjitha gjasat Rama do të detyrohet të ringrejë një mbrojtje shembullore ndaj “shtrigës” së tij të mirë. Sepse edhe vetë zonja Balluku është digë parapritëse përpara atij vetë. Publikisht apo me mjete të tjera, shumë më shumë sesa bëri për Veliajn muaj më parë, Rama do të tentojë të vizatojë një vizë të kuqe për SPAK-un: Ndal, këtu mos kalo! Reagimi i tij i parë ishte ai i zakonti dhe më i lehti për t’u mbajtur: “Ne kemi punën tonë, ata kanë punën e tyre”, tha fillimisht Rama. Por në skajin e kundërt të këtij reagimi të përmbajtur e formalisht korrekt, askush nuk mund të verë bast se çfarë mund të sjellë stina. Si në një ligjësi fizike, kur sa më i madh është aksioni, aq më i madh bëhet edhe reaksioni ndaj tij, përgjigja e SPAK-ut mund të jetë edhe më e papritur. Edhe më joproporcionale. Me gjasa edhe me municion rezervë të mbajtur në “depo” prej kohësh. Sipas parimit që aty ku nuk bën punë sopata, mund të bëjë gjëma bisturia.
Kryeministri që i fitoi të gjitha në pranverën e këtij viti, e di se beteja frontale me SPAK-un nuk i leverdis për asnjë arsye. Dora që nuk pritet, duarshtrëngohet. Rama e ka provuar edhe në lëkurën e tij se në luftë humbasin edhe fitimtarët. Ai e di se nuk i vlen asnjë fitore në betejë totale me SPAK-un. Di gjithashtu. se raporti i ndërlikuar që ai ka me zëvendësen e tij, mes Shillës së interesit dhe Karibdës së parashikimit, mund të dëmtohet nëse shtohen edhe hije sado të dobta të ballafaqimit me të vetë dhe të panjohurën.
Si në një lojë mjeshtrash shahu, në pokerin dinak të politikës lokale, Rama me gjasë i ndruhej lëvizjeve të mundshme të SPAK-ut në këtë drejtim që përpara zgjedhjeve të përgjithshme. Ajo që i interesonte atëherë ishte ruajtja e status quo-së deri në 11 maj. Dhe fitorja me 83 mandate u duk fillimisht se e betonoi të njëjtën status quo. Duke mos ndryshuar boshtin e emrave në qeverinë e tij, Rama ndoshta besoi se vullneti i tij nuk do të kushtëzohej më nga faktorë jashtë kontrollit të tij të plotë. Në fakt ishin vetëm ditë të blera përkohësisht. Njëlloj si për të verifikuar aksiomën se politika shqiptare nuk heq dorë nga bindja e verbër e imponimit mbi gjithçka nga pushteti ekzekutiv. Edhe pse historia e ka mësuar dhunshëm, dhimbshëm e rast pas rasti se e vetmja gjë e përjetshme, është të qënit i përkohshëm.
Ndeshja mes pushtetit politik dhe sistemit të drejtësisë do të jetë e egër edhe nëse bëhet e gjitha në kulisa. Maxhoranca e topitur ngaqë në fushë nuk i kanë mbetur më shumë se një grusht aktorësh mes pafundësisë së figurantëve anonimë, e shëndoshur nga mbipushteti dhe e plagosur nga rrëfimet me karmë që nuk harron kurrë të kthehet, humbëse pikërisht nga fakti që i ka fituar të gjitha, e përfshirë nga rivalitete të egra mes vetes e hakmarrje të vjetra dhe interesa të reja, është mbërthyer në ankthin e pritjes se çfarë do të bëjë vetë Rama. Mes gëzimit revanshist për goditjen e shefes së madhe dhe frikës nga ajo që mund të ngjajë nesër, maxhoranca është vetëm një spektatore e heshtur dhe pa rol në lojë.
Opozita e drejtuar nga Berisha, mjeshtri i krijimit të aleancave fluide mes kundërshtarëve, sheh që po i bie karta sulmuese ndaj armikut kryesor të liderit të saj. E trembur ta duartrokasë dhe pa argumente për ta sulmuar në këtë pikë, gjithashtu edhe ajo, siç thonë pleqtë, do të blejë ditë për të rrojtur dhe për të ruajtur status quo-në. Mbas 12 vjetëve pa firmosur gjëkundi, ajo vetë nuk ka më mish për t’i blatuar SPAK-ut në të ardhmen, me përjashtim ndoshta të ndonjë viktime nga “friendly fire”. Opozita do të tentojë ta quajë menjëherë si të shkuar historinë e zonjës Balluku dhe do të përqëndrohet tek slogani që nuk e le në baltë asnjëherë: “Të gjitha fajet i ka Rama!”. Dhe këtu mbyllet kapitulli i pafuqisë së saj.
Dhjetë vjet pas reformës në drejtësi, as njëra dhe as tjetra, as pozita dhe as opozita, nuk kanë qenë në gjendje të kuptojnë se njerëzit e drejtësisë, ëngjëjt e fillimit të njërës palë dhe djajtë e gjithëhershëm të palës tjetër, tashmë e kanë thyer shishen ku i kishin mbyllur. Ata kanë dalë jashtë dhe janë shndëruar në dinamit me fitil të shkurtër në të gjithë ngrehinën e pushtetit, të gatshëm të shpërthejnë e të bëjnë qedere të papritura.
“Kjo është Tirona jonë, Tirona kontradiktës,
E luftës, e paqes, e errësirës dhe e dritës,
Mashtrimit të vërtetës, shpifjes, interesit,
e qejfit dhe e stresit, ahengut dhe biznesit!”, këndonte dikur Edi Rama, ende i pathinjur nga telashet e pushtetit, me energji hidrocentrali dhe ambicje që tejkalonin përmasat e Tiranës dhe vetë Shqipërisë.
Si kryeministër Rama i dha një shans të ringjallur parimit magjik të demokracisë, parimit të kontrollit dhe balancës së pushteteve.
Si sportist e artist, si intelektual atipik, njëlloj Trumpi ballkanik, ai vetë i ka paralajmëruar dhe ju ka dalë borxhit të gjithëve: “Gjithçka mund të ndodhë, jetojm’ në Tiron!”.
