Problemi i cicmiceve që përdor tani Sali Berisha për t’ju shmangur SPAK për hetimet e 21 janarin, janë vetëm një grimcë e një drame të madhe. E cila në këtë rast nuk ka lidhje me ngjarjen, me tragjedinë e vrasjes nga armët e gardës të 4 qytetarëve që ndodheshin në bulevard.
Tragjedia e 21 janarit 2011, është një ngjarjen që nuk ka nevojë të zbardhet, pasi gjithçka prej saj është transmetuar live me zë e figurë, ndërkohë që për pjesët e errëta të saj, kemi një hetim preciz të FBI-së amerikane.
Për ngjarjen, dinamikën, provat, autorët dihet dhe është provuar gjithçka. Qoftë akti i vrasjes, qoftë akti i fshehjes së krimit dhe manipulimit të tij.
Problemi më i madh mbi krimin makabër 21 janarit, përveç krimit tjetër për të penguar hetimin, është trajtimi i kësaj ngjarjeje në publik.
Në gjithë këto vite, një establishment i tërë mediatik, i lidhur qartësisht me narrativën politike të atyre që e kryen krimin, ka ngritur një fabul se ai krim i tmerrshëm nuk duhet të ndëshkojë autorët e krimit dhe ata që e fshehën atë.
Një narracion që ka dalë nga goja e një morie personazhesh që dalin në panelet e darkës, duke përdorur qoftë artifice gjoja ligjore, qoftë artifice politike.
E gjithë kjo narrative, nuk ka qenë gjë tjetër veçse një megashtantazh për të ndaluar së paku gjykimin e atij krimi makabër.
Qoftë duke quajtur fajtorë protestuesit, përkatësisht opozitën e Edi Ramën, qoftë duke minimizuar atë megakrim, me justifikime nga më të ndryshmit.
Kjo narrativë krijoi kështu një koracë pandëshkueshmërie që pati efekt. Ngaqë asnjë nga njerëzit e “drejtësisë së re” nuk pati guximin për ta rimarrë dosjen e 21 janarit, që të çonte në fund atë drejtësi që nuk u krye herën e parë.
Gjithçka ndodhi falë një sjellje superqytetare, supereuropiane të familjes së viktimave, përkatësisht familjes së Aleks Nikës. Të cilët, së bashku me avokatin Dorjan Matlia, bën një betejë epike ligjore, duke e çuar çshtjen në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut.
E cila, në një vendim siç di ta bëjë ajo, vuri vulën e thatë të “Krimit Shtetëror”. Një vulë, që megjithatë u tentua të falsifikohej e relativizohet nga njerëzit e drejtësisë, që i frikësoheshin asaj dosje, pasi e konsideronin minë me sahat.
Hetimi për 21 janarin nuk ka nevojë të bëhet nga SPAK, pasi gjithçka është e ditur dhe provuar. Gjykata e Strazburgut, i ka kërkuar drejtësisë shqiptaret se duhet të bëjë detyrën, për të përshtatun procedurat e ndarjes së fajtorëve. Një formalitet procedurial, ku nuk ka nevojë për investigime shteruese, por thjeshte të bëjnë letrat.
Ka shumë gjasa që edhe kjo odise proceduriale të sjëllë zhgënjime e probleme, siç kanë nisur që “në mëngjes”. Por, drejtësia e re nuk i ka mundësitë për të “larë duart” për shkaqe subjektive apo objektive. Nuk ja lejon vendimi i Strazburgut. Ky është testi real për këtë drejtësi që pikërisht në trajtimin e 21 janarit do të tregojë se nuk është komision auditi, po një institucion drejtësie.
Ndërkaq, provën më të madhe e ka i gjithë ky establishment politiko mediatik, i cili ka folur gjithë këto vite, por këto ditë po hesht. Trajtimi dhe standardi që do ta trajtojnë dosjen 21 janari tashmë në SPAK, do të jetë edhe testi më i rëndësishëm për këtë grup publik.
I cili u duk qartë në debatin ndërmjet Adriatik Lapajt dhe avokatit Mark Nika në një panel të darkës, ku u vu re diferenca thelbësore e qasjes. Lapajt duke shpikur një pistë të re për vrasjen e Aleks Nikës, një pistë të frikshme që ngjante me çadrat pistoletë, dhe avokat Nikajt, i cili me qëtësi olimpike e ftonte t’i kthehej logjikës e racionalitetit.
