
Me më pak se 10.000 teste për 1 milion banorë, Shqipëria është në vendin e fundit në Europë. Bazuar në këtë parametër, plot 13 vende afrikane qëndrojnë më lart se ne.
Në kundërshtim me rekomandimet e shumë organizatave ndërkombëtare prestigjioze, Ministria e Shëndetësisë çuditërisht “zbuloi” një listë me arsye që tregojnë padobinë e testit për COVID. Si qëndron e vërteta?
Pretendimi: Testet janë të shtrenjta dhe kanë 30% gabueshmëri
REALITETI: në fillimet e epidemisë testet ishin të shtrenjta dhe me marzh gabimi rreth 30%. Personalisht i kam dhënë të drejtë Ministrisë që nuk testonte masivisht në atë kohë. Nga fundi i marsit e në vijim, çmimi i testeve të tamponit është ulur në rreth 15-20 dollarë për test dhe sensitiviteti është rëndom mbi 90%. Testet cilësore kanë sensitivitet rreth 95%.
Në se Ministria ble akoma teste me çmim dhjetëra dollarë për test dhe sensitivitet 70%, në rastin më të mirë është paaftësi.
Pretendimi: testimi i pacientëve ul vigjilencën e personelit
REALITETI: testimi i pacientëve për COVID para shtrimit në spital është një ndër masat më efektive në kuadrin e riorientimit të shërbimeve shëndetësore në kohën e COVID. Kjo nuk prek aspak masat e tjera dhe, mbi të gjitha, masat mbrojtëse të personelit që duhet të aplikohen me një zbatueshmëri 100% pavarësisht nga rezultati i testimit.
Testimi për covid është baza e çdo ndërhyrje dhe hallka e parë e trinomit “testo-gjurmo-trajto”.
TESTIMI I SHËRBEN: 1. Individit: për diagnozë të hershme dhe trajtim të hershëm. 2. Popullatës: sepse nëpërmjet tij orientohet gjurmimi dhe ndërprerja e zinxhirit të transmetimit. 3. Specialistëve: sepse vetëm nëpërmjet testimit njihet situata epidemiologjike, vlerësohet risku, ndërtohen skenarët e mundshëm të ecurisë së epidemisë dhe jepen rekomandime të argumentuar. 4. Politikë-bërësve: sepse të dhënat nga testimi shërbejnë si tregues i efektivitetit të masave të marra. Pa testim nuk ka kontroll të epidemisë dhe këtë e kanë kuptuar të gjithë vendet e suksesshme!!!

