Ministri i Drejtësisë shkoi në burgun e Fierit për të takuar Erion Veliajn. Sipas deklarimit të tij, vizita kishte si qëllim të shihte kushtet në të cilat mbahet kryetari i Bashkisë së Tiranës. Por, për çudi, qelinë nuk e vizitoi.
Takimi u zhvillua në zyrën e drejtorit të burgut, ku ministri pa mobiliet, komoditetet dhe u bind se kushtet në burgjet tona qenkan për t’u pasur zili.
Pra, një vizitë në zyrë mjaftoi për të bërë një diagnozë të përgjithshme mbi kushtet e burgjeve. Për qelinë e Veliajt, megjithatë, mbetet të presim ndonjë raport më konkret.
Por, ndërsa ministri na tregon për mobiliet, Veliaj na zbulon një tjetër histori.
Në një letër publike, ai pretendon se ministri nuk kishte shkuar thjesht për të parë kushtet e paraburgimit, por për t’i përcjellë disa porosi nga “lart”.
Sipas Veliajt, mesazhi ishte i qartë: të dorëhiqej nga Bashkia e Tiranës, t’ia linte postin Arbër Hajdarit, për të cilin flitet prej kohësh si pasardhës i mundshëm, të pranonte se kishte ndihmuar protestat kundër Ramës dhe të hiqte dorë nga avokati mbrojtës i tij.
Se letra është shkruar nga vetë Veliaj, këtë e konfirmon avokati i tij, Plarent Ndreca.
Nëse këto pretendime janë të vërteta, atëherë kemi një situatë që nuk mund të kalohet me një buzëqeshje diplomatike. Kryeministri i vendit, në vend që të përballet politikisht me një kundërshtar brenda partisë së tij, do të kishte zgjedhur të përdorte ministrin e Drejtësisë si postier mesazhesh, madje brenda mureve të burgut.
Një metodë që, edhe për standardet e politikës shqiptare, do të ishte një amatorizëm i nivelit të lartë.
Por, përpara se të shpallim verdiktin, duhet të dimë nëse kjo histori është e vërtetë. Sepse, për momentin, kemi dy versione: atë të ministrit, që flet për kushte të mira burgimi, dhe atë të Veliajt, që flet për porosi politike. Njëri na tregon mobiliet, tjetri na tregon prapaskenën.
Dhe këtu lind pyetja: çfarë e ka shqetësuar kaq shumë Ramën?
Mbase deklaratat publike të Veliajt për protestat rinore në Beograd, ku ai shprehu mbështetje për protestuesit dhe bëri paralelizma me zhvillimet në Tiranë, kanë qenë një sinjal alarmi për kryeministrin. Nëse një i paraburgosur socialist fillon të flasë me gjuhën e protestave dhe të solidarizohet me lëvizje që mund të kthehen në shembull edhe për Shqipërinë, atëherë miqësia politike mund të kthehet shpejt në problem disiplinor.
Edhe transferimi i Veliajt nga Durrësi në Fier, i shoqëruar me pretendime për kushte më të rënda dhe regjim më të rreptë, e ushqen dyshimin se diçka ka ndryshuar në marrëdhëniet mes tij dhe kryeministrit. Sigurisht, transferimi në vetvete nuk provon ndonjë hakmarrje politike. Por, kur ndodh në këtë kontekst, pikëpyetjet janë të pashmangshme.
Dikur Rama dhe Veliaj shfaqeshin si dy protagonistë të së njëjtës histori politike. Njëri në krye të qeverisë, tjetri në krye të kryeqytetit. Një dyshe që për vite dukej i pathyeshëm. Sot, megjithatë, kemi përshtypjen se kapitulli i miqësisë po mbyllet dhe po hapet ai i përplasjes.
Një skizmë politike? (Skizma është përdorur në vitin 1054 për ndarjen e Kishës së Krishterë në Katolike dhe Ortodokse) Apo thjesht një përpjekje për të disiplinuar një bashkëpunëtor që ka filluar të dalë nga rreshti?
Dhe ndërsa Rama e Veliaj duket se komunikojnë përmes deklaratave, letrave dhe ministrave, Partia Socialiste vazhdon të heshtë.
Në këtë heshtje ka diçka domethënëse. Sepse nuk po flasim për dy politikanë të zakonshëm, por për kryeministrin dhe kryetarin e Bashkisë së kryeqytetit, të dy figura të rëndësishme të së njëjtës parti.
Mos vallë PS-ja po pret të shohë se kush do të fitojë këtë duel? Apo përgjigjja është dhënë tashmë, pa pasur nevojë për ndonjë mbledhje partie?
Në fund të fundit, në një parti ku vendimet merren nga lart, strukturat nuk kanë shumë nevojë të interpretojnë. Mjafton të kuptojnë se nga cila anë fryn era.
Dhe era, siç dihet, në Partinë Socialiste zakonisht fryn nga kryetari.
Pyetja që mbetet është nëse kemi të bëjmë me një krisje të përkohshme mes dy miqve, apo me fundin e një marrëdhënieje politike që dikur dukej e pazëvendësueshme.
Për momentin, Rama hesht, Veliaj flet, ministri mohon se ka parë ndonjë qeli dhe PS-ja bën atë që di ta bëjë më mirë: heshtjen kolektive.
Por në politikë, heshtja nuk është gjithmonë mungesë përgjigjeje. Ndonjëherë është përgjigjja më e qartë.
