Gjithçka nis që në një mijë ditët e para të jetës, të cilat janë themelore për të përcaktuar mirëqenien e ardhshme. Më pas vazhdon gjatë adoleshencës, periudhë në të cilën formësohet shëndeti i zemrës dhe arterieve dhe ku mund të parandalohen në mënyrën më të mirë faktorët e rrezikut për infarkt dhe goditje në tru, shkruan salute.eu.

Të rendisin sjelljet “që mbrojnë zemrën”, duke filluar që nga shtatzënia, janë ekspertët e mbledhur në Kongresin Italian të Pediatrisë.

Specialistët kanë përgatitur udhëzuesin e parë të plotë kushtuar shëndetit kardiovaskular tek më të vegjlit, i menduar për të shoqëruar familjet gjatë gjithë rritjes së fëmijëve.

Sepse zemra vihet në rrezik që në moshë të hershme: faktorët e rrezikut kardiovaskular po shfaqen gjithnjë e më herët dhe po përhapen edhe tek fëmijët.

Obeziteti, hipertensioni, kolesteroli i lartë, diabeti i tipit 2, ushqimet ultra të përpunuara dhe abuzimi me ekranet po kërcënojnë shëndetin kardiovaskular të fëmijëve dhe adoleshentëve.

Kujdesi në tavolinë dhe ushqim

Lista e “armiqve” të zemrës është e gjatë. Fillon me obezitetin, i cili favorizon hipertensionin, çrregullimet metabolike dhe dislipidemitë, dhe ka tendencë të vazhdojë me kalimin e viteve.

Më pas vjen hipertensioni, që shpesh nuk jep simptoma. Po aq i rëndësishëm është edhe kontrolli i kolesterolit, sidomos kur ka probleme metabolike të lidhura me peshën ose predispozitë familjare.

Armiku i katërt është rezistenca ndaj insulinës, që konsiderohet si “paradhoma” e diabetit të tipit 2 dhe po shfaqet edhe tek të rinjtë, veçanërisht ata mbipeshë dhe sedentarë.

I pesti lidhet me zakonet ushqimore: konsumimi i lartë i fruktozës, sidomos përmes pijeve të ëmbla, lidhet me rritjen e acidit urik dhe me efekte negative në metabolizëm, duke shtuar rrezikun për hipertension të hershëm dhe probleme të tjera.

Në aspektin ushqimor, ekspertët përqendrohen te ushqimet me përmbajtje të lartë kalorike që rrisin rrezikun.

Ata paralajmërojnë se ushqimet e pasura me sheqerna, yndyra dhe aditivë favorizojnë zhvillimin e obezitetit dhe çrregullimeve metabolike. Këto produkte priren të zëvendësojnë ushqimet e freskëta dhe ushqyese, duke ndikuar negativisht në cilësinë e përgjithshme të dietës.

Kujdes ndaj duhanit, alkoolit dhe ekraneve

Edhe në stilin e jetesës kërkohet vëmendje e madhe. Ekspozimi ndaj tymit të duhanit, qoftë edhe pasiv, dëmton enët e gjakut që në fëmijëri dhe favorizon proceset inflamatore.

Konsumi i alkoolit, sidomos gjatë adoleshencës, mund të ketë efekte negative mbi sistemin kardiovaskular dhe metabolik, si edhe të nxisë sjellje të rrezikshme.

Pediatrit bëjnë gjithashtu thirrje për të kufizuar kohën e zgjatur përpara ekraneve, pasi ajo lidhet me sedentarizëm, konsum të ushqimeve jo të shëndetshme dhe çrregullime të gjumit.

Pikërisht edhe gjumi ka rëndësi të madhe: gjumi i pamjaftueshëm ose i çrregullt shoqërohet me rrezik më të lartë për obezitet, hipertension dhe çrregullime metabolike.

Në fund, ekspertët tërheqin vëmendjen edhe ndaj ndotjes. Ekspozimi ndaj ndotësve atmosferikë dhe ambientalë mund të ketë pasoja negative mbi sistemin kardiovaskular që në moshë pediatrike. Mjedisi ku rriten fëmijët është një faktor shumë i rëndësishëm për shëndetin e tyre të ardhshëm.

Çfarë kontrollesh duhen bërë dhe kur

Pra, vëmendja ndaj stilit të jetesës është thelbësore.

“Një nga mesazhet që duam të përcjellim me këtë Udhëzues është rëndësia e ndërhyrjes së hershme, që në një mijë ditët e para të jetës: të kesh prindër të shëndetshëm, të rinj, me peshë normale, që bëjnë sport dhe nuk konsumojnë alkool apo drogë, është një pikënisje shumë e mirë”, – shpjegon Rino Agostiniani, autor i studimit.

Sipas tij, ushqyerja e nënës, rritja e fetusit dhe zakonet e para gjatë dy viteve të para të jetës ndikojnë në zhvillimin metabolik dhe në rrezikun e ardhshëm kardiovaskular. “Është një periudhë vendimtare ku duhet ndërhyrë sa më herët”, shton ai.

“Përveç stilit të shëndetshëm të jetesës, parandalimi bëhet edhe përmes kontrolleve të thjeshta, por themelore. Presioni arterial duhet të matet të paktën një herë në vit duke filluar nga mosha 5-vjeçare. Është mënyra e vetme për të zbuluar një problem që shpesh nuk jep simptoma”, shton Marco Giussani, i Grupit të Studimit për Hipertensionin dhe Rrezikun Kardiovaskular.

Edhe kolesteroli duhet monitoruar herët. Mjafton një analizë e thjeshtë gjaku: ajo duhet bërë të paktën një herë midis moshës 9 dhe 11 vjeç, me një kontroll tjetër gjatë adoleshencës, sidomos tek fëmijët që kanë histori familjare ose faktorë të tjerë rreziku.