Një studim i fundit ka zbuluar një statistikë të pazakontë dhe shqetësuese: 1 në 5 lidhje jashtëmartesore që lindin në vendin e punës përfshin një person nga departamenti i Burimeve Njerëzore (BNJ), pikërisht struktura që ka për detyrë të mbrojë etikën, të sigurojë mirëqenien e stafit dhe të garantojë një kulturë të shëndetshme pune.

Ky zbulim ka ngritur alarme mbi balancat e pushtetit brenda BNJ, si dhe mbi rreziqet e përzierjes së roleve profesionale me ato personale.

Ekspertët theksojnë se pozita e veçantë e punonjësve të departamentit tëBNJ, qasja në të dhëna të ndjeshme, ndërveprimet e shpeshta me punonjësit dhe besimi që organizata u jep, krijon një terren ku kufijtë etikë mund të mjegullohen lehtësisht.

Sipas psikologes organizative Dr. Elaine Morris, këto të dhëna duhen parë si një “sinjal zgjimi” për kompanitë. Ajo argumenton se në shumë raste, vetë departamenti i BNJ funksionon pa monitorim të brendshëm, duke e bërë më të lehtë tejkalimin e kufijve profesionalë pa pasoja të menjëhershme.

Kur një departament ka akses në gjithçka, por mbi të ka pak mbikëqyrje, atëherë rreziku për abuzim me besimin rritet ndjeshëm.

Studimi ngre gjithashtu pyetje të rëndësishme për kulturën organizative:

Sa të forta janë protokollet e etikës?

A trajtohen të gjithë punonjësit njësoj përpara rregullave disiplinore? Më e rëndësishmja, kush i mban nën kontroll ata që supozohet të jenë kontrolluesit?

Organizatat, sugjerojnë ekspertët, duhet të rivlerësojnë trajnimet e etikës, të forcojnë protokollet e raportimit dhe të krijojnë mekanizma të pavarur mbikëqyrjeje për BNJ.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme, pasi lidhjet e tilla jo vetëm cënojnë besimin, por krijojnë rreziqe serioze për konflikt interesi, favorizim dhe shkelje të konfidencialitetit.

Në fund të ditës, ky zbulim nuk është vetëm një statistikë e çuditshme: është një pasqyrë e një problemi më të thellë mbi mënyrën se si ndërtohen marrëdhëniet e fuqisë brenda ndërmarrjeve.

Dhe për kompanitë që duan të ndërtojnë kultura të shëndetshme pune, etikës duhet t’i jepet po aq rëndësi sa performancës.