Vila 31, luksi i familjes së diktatorit në Shqipërinë e varfër  dhe një raportim në parlament në vitin 1991: 7,2 milionë lekë pajisje: 262 kolltukë, kanape e divane (430 mijë lekë), 47 dollapë (71 mijë lekë), 556 abazhurë, llambadarë e ndriçues (314 mijë lekë), 28 frigoriferë (133 mijë lekë), 29 televizorë e videokaseta (178 mijë lekë), 19 magnetofonë e radio-magnetofonë (73 mijë lekë), 65 biblioteka, dollapë e dhoma gjumi (448 mijë lekë), 200 qilima leshi (233 mijë lekë), 3 747 m² sixhade e tapet (900 mijë lekë), si dhe aparatura ngrohjeje, ftohjeje, pastrimi, kondicionerë e pajisje të tjera me vlera të konsiderueshme.

Kur Shqipëria kishte nisur të përballej me të vërtetat e fshehura për dekada, në sallën e parlamentit të parë pluralist do të artikulohej një nga debatet më domethënëse për kontrastin mes propagandës dhe realitetit të jetës në luks të udhëheqjes komuniste.

Miliona dollarë shpenzime për luksin e familjes së diktatyorit por edhe familjeve të tjera të bllokut, do të përllogariteshin nga një komision shtetëror i ngritur posaçërisht për luksin e udhëheqjes dhe do të raportoheshin në një prej seancave të verës së vitit 1991 në parlamentin e parë pluralist. Në atë raport kishte një bilanc të vilave të diktatorit, ku më kryesorja ishte vila 31, që sot është kthyer në qendër arti për turistët e huaj. Sipas raportit: “Vetëm në mjediset e banimit të familjes Hoxha, në pallatin kryesor të saj, ka 7,2 milionë lekë pajisje, ndër të cilat 262 kolltukë, kanape e divane, me një vleftë prej 430 mijë lekësh, 47 dollapë, me një vlerë prej 71 mijë lekësh, 556 abazhurë, llambadarë e ndriçues, me vleftë 314 mijë lekë, 28 frigoriferë me vleftë 133 mijë lekë, 29 televizorë e videokaseta me vleftë 178 mijë lekë, 19 magnetofonë e radio-magnetofonë me vleftë 73 mijë lekë, 65 biblioteka, dollapë e dhoma gjumi me vleftë 448 mijë lekë, 200 qilima leshi me vleftë 233 mijë lekë, 3 747 metra katrorë sixhade e tapet me vleftë 900 mijë lekë e me radhë aparatura ngrohjeje, ftohjeje, pastrimi, kondicionerë, aparate fotografike dhe aparate të tjera me vlefta të konsiderueshme”.

Deputeti i PPSH-së Halil Elezi do t’i referohej një artikulli të gazetës “Zëri i Popullit” për privilegjet e familjes së diktatorit. Përveç privilegjeve të tjera dhe shpenzimeve në shifra shumë të larta të shërbimeve për ushqimin, mirëqenien, udhëtimet jashtë vendit, mjekimin në spitalet më në zë të Perëndimit e të tjera, një detaj kishte marrë vëmendjen e deputetit, i cili kishte qenë gjithashtu zyrtar i lartë i udhëheqjes. Ishte fjala për tapetet dhe sixhadet që kishte në përdorim familja Hoxha në të gjitha banesat që dispononte dhe ishin jo më pak se 3 dynym të tilla. Ndërkohë që deputeti krahason shifrën e lartë të sipërfaqes përkundrejt varfërisë së fshatrave shqiptarë, që nuk patën të drejtën as për një dynym tokë për të mbajtur frymën gjallë.

“Rreth rendit të ditës kam disa mendime: Gazeta ‘ZP’ ditët e fundit shkruante se familja Hoxha, veç të tjerave, paska në përdorim vetjak edhe 3 dynymë tapete. Bashkë me disa fakte të tjera të publikuara në shtyp, këto përbëjnë në vetvete zhgënjimin më të madh, më të pabesueshëm për të gjithë popullin shqiptar ndaj ish-udhëheqjes së lartë të partisë e të shtetit, që populli gjithë jetën e vet i besoi aq shumë dhe e mori si model për mirë, sepse ideali ishte për barazi jetese. Ky qe dhe thelbi i zhgënjimit.

Së dyti, 3-dynymshi i sixhadeve më kujton fshatarin e varfër, por të ndershëm e patriot, që për vite me radhë iu lejua të mbajë vetëm 1 dynym tokë. Ky qëndrim ndaj fshatarit u mbajt atëherë për ta shpëtuar atë nga rreziku i borgjezimit e prandaj u tufëzua edhe dhia. E tani ai çfarë nuk po sheh e nuk po dëgjon. E mira e do që organet e specializuara të shtetit të sqarojnë opinionin për qëndrimin e mbajtur ligjërisht ndaj fajtorëve”, theksonte ndër të tjera deputeti i PPSH-së, Halil Elezi./TemA