I ftuar në emisionin “Vitality Vibes” me Ilvi Begollin ka qenë doktori i njohur Altin Veshti, i cili ka analizuar me detaje gjithçka rreth kujdesit që ne duhet të kemi për të pasur një zemër të shëndetshme dhe jo vetëm kaq…

Prof. Dr. Altin Veshti një prej emblemave të kardiokirurgjisë në vendin tonë, është një mjek i cili punon në të gjithë botën por zgjedh të qëndrojë në Shqipëri duke dhënë kontributin e tij në fushën e kardiokirurgjisë.

Kur ne dëgjojmë shprehjen e një pacienti që ka bërë një ndërhyrje dhe thotë “Ma vendosën zemrën në tavolinë” sa e vërtetë është kjo? Ja si u përgjigj doktori në lidhje me këtë duke bërë një shpjegim të detajuar:

Ti nuk ke dëgjuar që thonë edhe se më kanë vendosur valvulë prej floriri. Kur thonë zemrën e morën dhe e nxorën në tavolinë, bënë atë ndërhyrjen dhe e rivendosën prapë. Zemra nuk del në tavolinë, qëndron aty ku është, asnjëherë nuk lëviz. Ne mund ta ndalim ose janë një sërë kirurgjish, por zemra nuk lëviz. Aty ku është kryhet ndërhyrja, hiqen pjesët e dëmtuara dhe zëvëndësohen me pjesë të tjera që mund të jenë valvula, unaza, mbyllen vrima por zemra nuk lëviz. Kjo e tavolinës në fakt e thotë vetë pacienti që ta bëjë pak më të madhe kur është në kafe duke ia treguar shokëve për shembull.