Fëmijët që preferojnë të luajnë vetëm mund të jenë më të lumtur nga sa mendojmë. Një studim i ri tregon se gjithçka varet nga mënyra se si e shohin vendin e tyre në shoqëri.
Studiuesit zbuluan se disa fëmijë që duken të tërhequr nuk janë domosdoshmërisht të vetmuar. Ata thjesht preferojnë të kalojnë kohë vetëm, për sa kohë që ndihen pjesë e një grupi më të gjerë shoqëror.
Fëmijët që e dinin se shokët e klasës do t’i ftonin përsëri për të luajtur, edhe nëse ndonjëherë refuzonin, nuk ndiheshin të vetmuar. Ndërsa ata që nuk e konsideronin të rëndësishme të ndiheshin pjesë e grupit ishin më të pakënaqur me marrëdhëniet me bashkëmoshatarët.
Sipas studiuesve, këta fëmijë mund të refuzonin më shpesh ftesat për të luajtur. Me kalimin e kohës, ftesat mund të pakësoheshin dhe fëmijët të ndiheshin të përjashtuar e të vetmuar.
Studimi, i kryer nga studiues të Universitetit të Xhorxhias dhe i publikuar në The Elementary School Journal, analizoi përgjigjet e 473 nxënësve të klasave të katërta dhe të pesta, të moshës 9 deri në 11 vjeç.
Rezultatet treguan se fëmijët që preferonin të qëndronin vetëm, por e vlerësonin përkatësinë në grup, ishin përgjithësisht të kënaqur me marrëdhëniet e tyre. Ata pranonin herë pas here ftesat për t’u bashkuar me të tjerët, ndërsa ndiheshin rehat edhe kur zgjidhnin të luanin vetëm.
Studiuesit theksojnë se kjo nuk do të thotë se fëmijët duhet të detyrohen të shoqërohen. Prindërit dhe mësuesit mund t’i ndihmojnë duke i afruar gradualisht me grupe të vogla fëmijësh me interesa të ngjashme.
“Mos u kërkoni të futen menjëherë në një ndeshje të madhe futbolli”, thotë studiuesja Rachael Pfanz. “Kjo mund të jetë dërrmuese. Më mirë nxitini të bashkohen me një grup të vogël fëmijësh të ngjashëm me ta dhe të të shohin si shkon.”
