Ndjesia kur gishti ngec në pozicion të përkulur dhe më pas lirohet është ndjesi shumë e keqe. Ky fenomen, i njohur në mjekësi si tenosinovit stenozues është pasojë e një procesi inflamator që prek tendinën dhe mbështjellësen e saj. Tendinat që përkulen në gishta rrëshqasin nëpër kanale fibroze të ngushta; kur ndodh inflamacion, tendina trashet dhe lëviz më vështirë nëpër to. Me kalimin e kohës, në vetë tendinën mund të formohet një nyjëzë e vogël që e përkeqëson pengesën mekanike. Simptomat shpesh shoqërohen me dhimbje dhe ndjeshmëri në bazën e gishtit të prekur, në anën e pëllëmbës. Ngurtësia është më e theksuar në mëngjes ose pas periudhave të gjata pa lëvizje, ndërsa në raste më të rënda gishti mund të mbetet plotësisht i “kyçur” në pozicion të përkulur, duke kërkuar ndihmën e dorës tjetër për t’u zgjidhur.
Ndonjëherë në bazën e gishtit mund të preket edhe një gungë e vogël nën lëkurë. Edhe pse mund t’i ndodhë kujtdo, statistikat tregojnë se “trigger finger” nuk shfaqet në mënyrë të barabartë te të gjithë. Është tendinopatia më e zakonshme e fleksorëve të dorës dhe shumë më shpesh prek gratë, rreth 75% e rasteve. Më i shpeshti është në moshën 52–62 vjeç. Rreziku është më i lartë tek ata që kryejnë lëvizje të përsëritura të kapjes apo shtrëngimit të fortë, si dhe tek personat që përdorin mjete dore që vibrojnë.
Vlerësohet se 5–20% e pacientëve me diabet zhvillojnë “trigger finger”, ndërsa rrezik të shtuar kanë edhe ata me artrit reumatoid, giht ose çrregullime të gjendrës tiroide. Më së shpeshti preken gishti i madh, gishti i mesëm dhe ai i unazës, por nuk është e rrallë që të shfaqet në disa gishta njëherësh, madje edhe në të dy duart. Qasja ndaj trajtimit varet nga ashpërsia dhe kohëzgjatja e simptomave, por zakonisht fillohet me metoda konservative. Hapi i parë është pushimi, shmangni çdo aktivitet që e përkeqëson, si shtrëngimi i fortë i objekteve.
Për lehtësimin e dhimbjes dhe inflamacionit përdoren ilaçe antiinflamatore josteroidale (NSAID), të cilat mund të merren nga goja ose të aplikohen lokalisht në formë kremi apo flasteri. Ushtrimet e buta të shtrirjes ndihmojnë në ruajtjen e lëvizshmërisë, por duhet shmangur stërvitja me topa shtrëngues, sepse mund të irritojë më tej tendinën. Nëse masat fillestare nuk japin rezultat, hapi tjetër janë injeksionet me kortikosteroide, të cilat kanë treguar efikasitet të lartë. Ilaçi injektohet drejtpërdrejt në mbështjellësen e tendinës, duke ulur shpejt inflamacionin dhe ënjtjen, dhe duke i lejuar tendinës të levizë lirshëm. Efekti mund të zgjasë më shumë se një vit dhe në shumë raste simptomat zhduken plotësisht. Në rastet kur metodat konservative nuk japin rezultat ose simptomat janë që në fillim shumë të rënda, rekomandohet ndërhyrja kirurgjikale.