Në kërkim të të zhdukurve sovjetikë të luftës
ALISSA J. RUBIN, NYT
Më shumë se 23 vjet pas largimit me nxitim të trupave sovjetike nga Afganistani, rusët janë ende duke kërkuar të zbardhin misterin e ushtarëve të tyre të zhdukur, gjithsej 265 vetë, të cilët ende rezultojnë të humbur në luftë, megjithëse për disa prej tyre besohet se kanë nisur një jetë të qetë në vendin ku u nisën ta pushtonin.
Ndodh shumë rrallë që ambasada e Rusisë në Kabul të hapë dyert e saj të mëdha për të tjerët. Por javën e kaluar, reporterë të huaj dhe afganë u ftuan të flisnin me Alexander Lavrentiev, zëvendëspresident i Komitetit të Veteranëve të Luftës në Moskë, i cili foli butë dhe me pasion dhe iu lut të pranishmëve të ndihmojnë në identifikimin e fatit të ushtarëve të ish-Bashkimit Sovjetik që vijojnë të rezultojnë të zhdukur.
“Kam besimin se disa prej tyre janë ende gjallë, problemi është se janë shumë të frikësuar të na kontaktojnë”, tha Lavrentiev.
Shumë prej atyre që kanë mbijetuar, mund të mos e dinë se Rusia dhe shumica e shteteve të tjera të ish-Bashkimit Sovjetik kanë miratuar ligje amnistie dhe se, edhe ushtarët që dezertuan apo vendosën të qëndrojnë në Afganistan nuk do të përndiqen penalisht. Ata mund të jenë gjithashtu të painformuar mbi faktin se, nëse kthehen në shtëpi, do të jenë në gjendje të përfitojnë kujdes shëndetësor falas.
Rreth 15 mijë burra nga Bashkimi Sovjetik dhe pak gra vdiqën gjatë luftimeve në vitet 1979-1989, shumica dërrmuese e të cilëve qenë ushtarë.
Disa u vranë në betejë, disa u morën si të burgosur lufte dhe shumë vdiqën nga i ftohti dhe sëmundjet. Disa, gjithsesi, në fund vendosën të konvertohen në myslimanë, të martohen me gra afgane dhe të ndërtojnë jetën në këtë vend. Disa shkuan në Pakistan dhe të tjerë, arritën të arratisen drejt Afrikës së Jugut apo Europës.
Qëllimi kryesor i Lavrentiev është të ndihmojë familjet e atyre që i mbetet fati i panjohur, të marrin vesh se çfarë ndodhi me të dashurit e tyre. Afërsisht gjysma e të zhdukurve janë rusë, ndërsa gjysma tjetër janë nga ish-republikat sovjetike.
“Familjarët e tyre po vijojnë të presin. Pra kjo konferencë është që t’u kërkojmë njerëzve të na ndihmojnë”, tha ai, duke u bërë thirrje veçanërisht gazetarëve afganë, të cilët flasin me më shumë njerëz nga sa mund të takojnë zyrtarët e komitetit. Ai tha se shpresonte që të ishte në gjendje të shkonte në zona që vijojnë të jenë të prekura nga konflikti dhe ku dyshohet se ushtarët sovjetikë janë varrosur në varre të pashënuara.
“Në disa raste, njerëzit pyesin, ‘pse po punoni në këtë çështje duke hapur plagë të vjetra?’ – dhe unë gjithmonë i jap të njëjtën përgjigje: I rekomandoj çdokujt të shkojë te nëna që ka humbur fëmijën e vet dhe ajo do t’jua tregojë se pse është e rëndësishme”, tha ai.
Për këto familje, historia ka pritur për shumë dekada të shkruajë kapitullin e fundit: a është djali apo vëllai ynë i vdekur? Apo ka njëfarë mundësie që ka nisur një jetë të re?
“Kjo është thënë gjithmonë: lufta nuk do të mbarojë kurrë për sa kohë edhe ushtari i fundit nuk ka ardhur në shtëpi”, thotë leitnant koloneli Dmitry Priymachuk, asistenti i atasheut ushtarak të ambasadës ruse në Kabul.
Pyetje të ngjashme kanë bërë që brenda Shteteve të Bashkuara të ekzistojë një fushatë e gjerë që kërkon gjetjen e të vdekurve apo të humburve nga lufta e Vietnamit. Fakti që ambasada e Rusisë hapi dyert e veta, është një tregues i rëndësisë që kanë të humburit në Afganistan për ish-republikat sovjetike.
Shumë gazetarë afganë bënë fotografi apo video, ndërsa lëvizën përgjatë kopshtit dhe te salla madhështore prej mermeri në ambientin që zakonisht mbahet larg syve të të huajve. Kjo ambasadë është një nga më të mëdhatë mes misioneve diplomatike në Kabul dhe ka qenë këtu prej shumë kohësh. Ajo u evakuua në vitin 1992, pasi u vendos nën zjarr gjatë intensifikimit të luftës civile të Afganistanit. U rihap zyrtarisht në vitin 2007, ndërsa rusët filluan të ndërtojnë me kujdes marrëdhëniet me vendin që e zhytën në luftë dhe kaos.
Ambasadori aktual Andrey Avetisyan ka përvojë të gjatë në Afganistan; ai qe këtu herët në vitet ‘80 dhe sërish në kohën kur ambasada u evakuua. Flet rrjedhshëm pashtu dhe dari (dy gjuhë vendëse) si dhe anglisht. Ai bashkëdrejtoi konferencën dhe iu përgjigj pyetjeve në dari.
Lavrentiev theksoi rëndësinë e kërkimit tani, sepse ata që e mbajnë ende mend luftën, po vdesin. Në Afganistan, jetëgjatësia mesatare për burrat është vetëm 50 vjeç.
Lavrentiev thotë se nga gati 300 ushtarët sovjetikë të humbur në kohën e tërheqjes, 29 prej tyre janë gjetur. Njëzet e dy janë rikthyer në Rusi ndërsa të tjerët zgjodhën të jetojnë në Afganistan. Komiteti ka zhvarrosur 15 njerëz dhe 5 prej tyre janë identifikuar: 3 ishin rusë dhe 2 kazakë. Testime të shumta me ADN po bëhen për të identifikuar të gjeturit e tjerë.
Mbetjet e 3 ushtarëve u varrosën këtë vit: Sergei Kolosov u varros në Shën Petërburg, ndërsa Alexey Zyev dhe Abdulhakim Ezgeshov u varrosën në Kazakistan. Ezgeshov, një mysliman, u varros sipas ritit islamik, thotë Lavretiev. Ai dëshironte të theksonte para afganëve se pavarësisht se çfarë besojnë për rusët, ata e respektojnë islamin dhe dëshirojnë të bëjnë gjithçka mirë për ushtarët e vet, pavarësisht përkatësisë fetare.
Një pjesë e ushtarëve sovjetikë në Afganistan ishin myslimanë, shpesh nga republikat në kufirin e Afganistanit. Për ta, lufta ishte veçanërisht emocionale, pasi po luftonin myslimanët afganë, të cilët nga ana e tyre, besonin se po bënin një luftë të shenjtë.
Disa nga dezertorët qenë myslimanë, por një pjesë jo e vogël e atyre që qëndruan në Afganistan qenë rusë, të cilët u konvertuan në myslimanë.
Mes më të famshmëve nga dezertorët ishte një njeri i quajtur Islamudin, i cili i konvertua në mysliman, u martua me një afgane dhe u bë truprojë e Ahmed Shah Massoud, komandanti taxhik që luftoi ashpër talebanët. Islamudin u kthye në Rusi bashkë me bashkëshorten, e cila po mjekohet në një spital, ndërsa familja ndihmoi në gjetjen e vendvarrimeve të të zhdukurve të tjerë.
Lavrentiev vlerëson se 30–40 të tjerë qëndruan dhe janë ende duke jetuar diku në Afganistan apo Pakistan.