Një avion shpërtheu më 1989-n nga një bombë mbi vendin më të largët të shkretëtirës së Saharasë. Pas luftës shumëvjeçare për drejtësi, familjet e viktimave i hynë një aventure tjetër. Të ndërtonin një memorial në vendin e rrëzimit
Vibeke Venema, BBC
Në koordinatat 16°51′53.748″N 11°57′13.362″E në shkretëtirën e Saharasë është një objekt intrigues – silueta e një aeroplani që është vendosur në drejtim të Parisit. I dukshëm nga fotografitë e marra me satelit, ky imazh shumë i bukur, si një tatuazh në panoramë, është bërë hit në median shoqërore.
Është një memorial për një fluturim që nuk arriti kurrë destinacionin e vet.
Më 19 shtator 1989, fluturimi UTA 772 po udhëtonte nga Brazavile në Republikën e Kongos për në Paris, kur shpërtheu mbi shkretëtirën e Saharasë në Niger. Të gjithë 156 pasagjerët dhe 14 anëtarët e ekuipazhit humbën jetën.
Atje ku ra avioni francez, familjet e viktimave kanë ndërtuar një memorial mbresëlënës për të vdekurit. Një siluetë me përmasat reale të avionit gjendet brenda një rrethi me gurë të zinj të rrethuar nga 170 pasqyra të thyera, secila prej të cilave përfaqëson njërin prej atyre që vdiqën.
Në pikën veriore del si një orë diellore krahu i djathtë i avionit DC10.
Gijom Deno de Sen Mark (Guillaume Denoix de Saint Marc) ishte forca që e çoi përpara planin për memorial. Babai i tij Xhan Henri (Jean-Henri) vdiq në këtë aksident. Krijimi i memorialit ishte akti final në përpjekjen 18-vjeçare për drejtësi, e cila i kushtoi shumë atij dhe biznesit të tij dhe la në hije martesën e tij – por la edhe një trashëgimi që do të ekzistojë gjatë.
Në ditën e tragjedisë, ai po përgatitej energjikisht për një prezantim për një klient të madh. Ai ishte 26 vjeç dhe menaxhonte një kompani shitjeje dhe marketingu në Paris. Kur nëna e tij e mori në telefon dhe i tha se ishte e shqetësuar për fluturimin e babait të tij, ai nuk donte ta dëgjonte. “U tregova me të vërtetë i ashpër, duke i thënë asaj se po punoja dhe se kisha gjëra shumë të rëndësishme për të bërë”, thotë ai.
Kur ai e mbylli, një koleg i sugjeroi se ndoshta duhet ta merrte në telefon për ta sqaruar. Ky ishte çasti kur ai kuptoi se fluturimi i babait të tij ishte zhdukur.
Ai shkoi në shtëpinë e nënës së tij për të pritur për lajme. Nuk gjendej askush. Në aeroportin Roisi, tabela e fluturimeve kishte vetëm shënimin: “me vonesë”. Të afërmit duhej të prisnin buletinin e lajmeve për të mësuar se çfarë po ndodhte.
Fati i fluturimit u konfirmua mëngjesin e nesërm kur një avion ushtarak francez fluturoi në zonë. U desh edhe një ditë tjetër që parashutistët të arrinin në vendin e rrëzimit. Kur mbërritën, konfirmuan se nuk kishte të mbijetuar.
Dy ditë më vonë u gjetën gjurmë eksplozivi, duke sugjeruar se kishte pasur një bombë. Qeveria franceze ngarkoi një specialist të antiterrorit, gjykatësin Xhan Lui Brugurier (Jean-Louis Bruguiere), për të hetuar. Ai nuk i bëri bisht detyrës. Transportoi 15 tonë mbetje nga vendi i rrëzimit.
Më 1999-n, një gjykatë franceze shpalli gjashtë nënshtetas të Libisë fajtorë në mungesë dhe i dënoi ata me burg të përjetshëm. Libia nuk e pranoi përgjegjësinë, por pagoi 34 milionë dollarë dëmshpërblime atë vit, nga të cilat familjeve të viktimave iu dhanë shuma që varionin nga 3 mijë në 30 mijë euro, në varësi të marrëdhënies që kishin me të vdekurin. Ky proces kërkoi 10 vjet kohë dhe jo të gjithë të afërmit u kompensuan (vetëm 500 vetë që u përfaqësuan gjatë gjykimit).
Për më tepër, ata që u shpallën fajtorë vijuan të jetojnë të lirë në Libi – njëri prej tyre ishte Abdullah al-Senussi, kunati i Kolonel Gadafit.
Deno de Sen Mark ishte pjesë e një shoqate të të afërmve të viktimave. “Ne kërkonim drejtësi, – thotë ai. Ne donim që Libia të pranonte përgjegjësinë”.
Një mëngjes më 2002, ai dëgjoi në radio se Saif al-Islam Gadafi, djali i kolonelit Gadafi, gjendej në Paris për të folur në një konferencë dhe për të hapur një ekspozitë me pikturat e tij.
“Kjo ishte tronditëse për mua dhe u zemërova shumë. – thotë ai. Mendimi i parë ishte të shkoja te një kasap, të blija një qese me gjak dhe t’ia hidhja atij, por pastaj u qetësova dhe mendova se ndoshta zemërimi nuk është diçka e mirë”.
Përmes një të njohuri, ai arriti të marrë biletë për konferencën, gjatë së cilës Saif Gadafi foli për fluturimin UTA 772 duke e deklaruar çështjen të mbyllur. Në fund të fjalimit të tij, Deno de Sen Mark u përball me të me fjalët: “Babai im ishte në DC10”.
Gadafi i tha më pas se kishte menduar se Deno de Sen Mark do ta qëllonte me grusht, tregon francezi. Por ata filluan një diskutim serioz, në të cilin Deno de Sen Mark shpjegoi se çështja nuk ishte mbyllur dhe se kompensimi i paguar ishte shumë i ulët. “Megjithëse ne po luftonim për drejtësi dhe jo për para, dhe rrjedhimisht nuk ishim të kënaqur”.
Ai i dha Gadafit kartëvizitën e tij dhe dy ditë më vonë u ftua në një hotel për ta takuar. Në fund të bisedës 3-orëshe, Gadafi e ftoi atë për vizitë në Libi. Gjithsesi, shoqata e viktimave nuk e mbështeti në këtë nismë dhe ata u ndanë.
Deno de Sen Mark filloi të mbledhë të dhënat për të afrimit e viktimave nga 18 vende të ndryshme. Muajt kaluan dhe kur nuk erdhi asnjë kontakt nga Libia, ata organizuan një protestë për të përqendruar vëmendjen te kauza e tyre. Taktika funksionoi – në korrik 2003, Deno de Sen Mark udhëtoi në Libi me bashkëshorten e tij dhe kushëririn Valeri, i cili pati rënë dakord të bënte rolin e avokatit.
Deno de Sen Mark nuk kishte më herët eksperiencë negocimi. “Unë isha zyrtar shitjesh, ndoshta kjo ndihmoi,- thotë ai. Dhe unë u rrita jashtë vendit, kështu që kisha njëfarë të kuptuari mbi kulturat e tjera, gjë që më ndihmoi të kuptoja atë që duhej të kuptohej”.
“Ne nuk po kërkonim para, – thotë Deno de Sen Mark. Unë thashë se nuk do të jap një çmim për jetën e babait tim. Do të pëlqeja që Gadafi të kërkonte ndjesë publikisht, por kjo nuk kishte gjasa të ndodhte, pra nëse do të ishte një shumë e mirë, do të duhej ta pranoja”.
Siç e përshkruan në librin e tij, Mon Pere Etait Dans le DC10 (Babai im ishte te DC10), udhëtimi për në Libi qe gati surreal. Gjatë vizitës në vilën e Gadafit në periferi të Tripolit, tigrat e tij mund të dëgjoheshin duke ulëritur të uritur.
Gjëja më e vështirë ishte të negociohej e njëjta pagesë për të gjitha familjet – libianët nuk donin të paguanin të njëjtën shumë për një afrikan dhe po aq për familjet perëndimore por Deno de Sen Mark argumentoi kundër. “I thashë se ishte simbol që duhet të paguhet e njëjta shumë për çdo viktimë”, thotë ai. “Ishte shumë e rëndësishme që ne të gjithë të qëndronim bashkë pavarësisht kombësisë”.
Më 9 janar 2004, Libia pranoi të paguajë 170 milionë dollarë – 1 milion për secilën prej 170 viktimave. Një ditë më pas ata transferuan një të katërtën e shumës, këstin e parë.
Por euforia e Deno de Sen Mark ishte e përkohshme. “Mendova se historia pati përfunduar pas negociatave, – tha ai, – por kur mendova se ishte paraja që duhej të ndaja, pati sërish vështirësi”.
Atij iu desh të gjente të afërmit e të gjithë viktimave nga e gjithë bota për të ndarë paratë – një fondacion u krijua për këtë qëllim.
“Mua m’u desh të udhëtoj në Çad, Marok, Kongo, Amerikën e Jugut dhe të gjeja të gjitha familjet, të diskutoja me ta dhe t’i shpjegoja se çfarë ndodhi”. Shumë nuk ia kishin idenë se pati pasur bisedime.
“Ne na u desh të bëheshim detektivë, – thotë ai. – Duhej të përdornim ADN-në për të kontrolluar identitetin e njerëzve. Unë gjeta edhe familje false, thotë ai. Njerëz që pretendonin se qenë familjarë të viktimave, kur në fakt nuk ishin”.
Të tjerë që pretendonin se familjarët e afërm të viktimave kishin vdekur dhe kështu që duhej të merrnin para apo që kërkonin më shumë para se sa ajo që ishte përcaktuar.
Njerëzit kishin të drejtën të refuzonin pagesën dhe nëse ndodhte, paratë do t’i ktheheshin Libisë. Shtatë familje amerikane refuzuan pagesën dhe nisën një aksion më vete. Nga 1800 të afërmit e tjerë nga 18 vende, vetëm tre refuzuan pagesën. I fundit u gjet dhe u pagua më 2012. Procesi zgjati tetë vjet.
Megjithëse 100 për qind e parave iu shpërnda familjeve, interesat e gjeneruara nga shuma fillestare lejuan që fondacioni të bënte punën e tij. Deno de Sen Mark i kërkoi bordit të fondacionit nëse kishte para për t’i përdorur për një memorial.
Si fillim, ai sugjeroi një udhëtim eksplorues në vendin e rrëzimit, një udhëtim që mendohej i pamundur deri sa udhëtarët e ndryshëm, që e dinin se me çfarë po merrej, filluan t’i dërgonin fotografi.
Nga pikëpamja e sigurisë, zona konsiderohet tepër e rrezikshme për t’u vizituar nga perëndimorët për shkak të Al Kaedës në Maghrebin Islamik. Për ta vizituar, Deno de Sen Mark duhej të merrte leje nga ministri i Brendshëm i Nigerit si dhe të arrinte një marrëveshje me udhëheqësit fisnorë e klerikët si Imami i Agadez. Ishte e rëndësishme të kishte marrëveshje të niveleve të ndryshme, për shkak se në atë kohë kishte edhe një rebelim Tuaregësh. Nigeri ofroi një eksortë me ushtarë, por ata refuzuan.
Përveç problemeve të sigurisë, ishte edhe problemi i terrenit armiqësor. Tenere është shkretëtira më e largët e Saharasë, një det rëre me përmasat e Francës. Vendi i rrëzimit është 650 kilometra larg Agadez dhe temperaturat këtu arrijnë në 50 gradë Celsius. Uji është vështirë për t’u gjetur, puset më të afërta janë qindra kilometra larg.
Në mars 2007, një grup njerëzish ndërmorën udhëtimin e gjatë – dy familjarë të tjerë të viktimave shoqëruan Deno de Sen Mark dhe bashkëshorten e tij. Ata u nisën nga Agazez në Niger dhe pas tri ditësh udhëtimi me makinë mbërritën në mes të shkretëtirës, në vendin ku gjendeshin ende mbetjet e DC10. Autoritetet franceze kishin marrë pjesët që ishin më të rëndësishme për hetimin – paketën e kontrollit, gomat, bagazhet – por pjesa tjetër gjendej ende atje.
“Ndjesia ime e parë ishte zemërimi, – thotë Deno de Sen Mark. Ne u tronditëm dhe nuk mund të flisnim. Mbaj mend se po ecnim nën diellin e mesditës – ishte shumë vapë, por ne nuk ndjenim asgjë. Ne thjesht po ecnim nga një mbeturinë te tjetra, duke parë çdo detaj. Të çmendte pamja e të gjitha atyre copave të avionëve, por aty gjetëm edhe fosile dinozaurësh apo armë prehistorike – për shkak se në shkretëtirë çdo gjë mbetet atje”.
Një dokumentar mbi udhëtimin tregon Deno de Sen Mark dhe bashkëshorten e tij Emanuele që përpiqen të marrin çdo gjë. Ajo e cilëson vendin të shenjtë, ai thotë se është një fushëbetejë, “është kaos”.
“Ishte shumë emocionuese dhe shqetësuese në të njëjtën kohë, – thotë Pierre Francois Ikias, vëllai 14-vjeçar i të cilit ishte në avion. “Nuk mund ta mendosh se 18 vjet më pas do të tronditeshe aq thellë – por kur sheh shkatërrimin, copat e avionit të shpërndara gjithkund, ndenjëset, mbetjet e bagazheve të njerëzve – të mbysin emocionet për fyti.
Për fat të keq, trupi i vëllait tim nuk u gjet kurrë dhe ky udhëtim ishte edhe mënyra ime e vajtimit. Ndërsa ne gjendeshim atje, një nga shoferët e karvanit gjeti një kafkë njerëzore, të cilën e varrosëm aty. Për mua ishte njësoj sikur t’i thoja lamtumirë dhe të varrosja vëllanë tim”.
Për Deno de Sen Mark, kontakti fizik me atë që mbeti nga avioni qe shumë i rëndësishëm. Në librin e tij, ai përshkruan se si u thirr për të identifikuar trupin e të atit, por nuk qe e nevojshme për shkak se arkiva e dentistit të tij ia konfirmoi identitetin. Ai nuk e pa kurrë trupin – një fakt që e përndoqi për vite. Ai rikuperoi rripin e sigurisë së avionit të cilin e mban tashmë gjithmonë me vete.
“Është tërësisht i gërvishtur dhe i thyer dhe ka ende grimca rëre, – thotë ai. Ai simbolizonte siguri – për fat të keq nuk ishte i mjaftueshëm. Më kujton se sa e thyeshme është jeta”.
Një memorial i mëhershëm ishte krijuar në vendin e rrëzimit nga kolegët e tre punonjësve të Exxon, të cilët vdiqën në këtë fluturim – ndërsa hulumtonin për naftë në zonë. Ata e ngritën krahun e avionit dhe i vunë një pllakë me emrat e tri viktimave. Megjithatë krahu nuk ishte vendosur mirë dhe ra.
“Ata ishin përpjekur për të bërë monumentin e tyre, – thotë Deno de Sen Mark. Unë u preka nga fakti se ndokush jo drejtpërsëdrejti i lidhur me çështjen mund ta bënte diçka të tillë. Unë doja ta mbaja atë pjesë”. Krahu i ngritur u bë pjesë integrale e dizenjos së memorialit.
Deno de Sen Mark dizenjoi memorialin për të simbolizuar mungesën e avionit, të vendosur në një rreth gurësh të zinj. Ai u frymëzua nga Aeropostale, kompania pionier që shpërndante postën në kolonitë franceze në vitet 1920, që përdorte rrathë të mëdhenj guri për të fluturuar nëpër Sahara. Fluturimi mbi të me sy të lirë është shumë i vështirë pa pasur pika referimi, për shkak se nuk ka mundësi të kuptosh se sa lart je.
“Të gjithë po thoshin – çfarë kuptimi ka të ndërtosh një memorial ku askush nuk mund ta shohë?’”, – thotë ai. “Por unë mendova – avionët sërish fluturojnë mbi të, pasagjerët do të mund ta shohin. Kështu që mendova se sa i madh duhet të jetë memoriali në mënyrë që të mund të shihet nga ajri”.
Ata ndërtuan një siluetë me përmasa reale të avionit 10 kilometra larg vendit ku ai u rrëzua – si për të ruajtur shenjtërinë e vendit të rrëzimit ashtu edhe për të qenë i dukshëm nga ata që fluturojnë sipër.
U deshën 140 punëtorë nga Agazez dhe gjashtë javë për ta ndërtuar, gjerësisht me dorë. Punëtorët erdhën nga tri fise kryesore: Toubou, Tuareg dhe hausa – Hausat nuk qenë të mësuar me kushtet e shkretëtirës por kërkuan të ndihmojnë. Radiot e kamionëve herë pas here kapën sinjale nga konflikti i Tuaregëve aty pranë, por skuadra u la në paqe. Karvanët e gamileve ndaluan për të parë çfarë po ndodhte.
“Ne shpuam një pus në rrugën e karvanëve,- thotë Deno de Sen Mark. Kjo ishte një nevojë praktike, por edhe simbolike. Përgjigjja jonë për terrorizmin ishte që t’i jepnim ujë shkretëtirës – uji është jetë.”
Ndërtimi i tij ishte një aventurë. “Ishte aq nxehtë sa ne po flinim jashtë,- thotë ai. Mbaj mend që ecja përqark memorialit çdo mëngjes. U përpoqa të bëj të gjitha llojet e punëve, të mbaja gurët, të gërmoja pusin, në mënyrë që të isha pjesë e saj. Çdo natë kishte koncerte me kitarë”.
Krahu u mor nga një zonë që ata e patën emëruar “sanktuari”, gjashtë kilometra larg. Ajo qe zona ku ra pjesa më e madhe e avionit. Morën edhe një copë të madhe mbetjeje prej metali të shkrirë. “Është vendi ku zjarri shkriu të gjitha trupat dhe i përzjeu ata me metalin. Është vendi ku gjenden trupat e humbur”, thotë Deno de Sen Mark.
Gurët për memorialin u morën 70 kilometra larg dhe u vendosën me dorë në formë rrethi përreth siluetës së avionit.
“Sa më parë të jetë e mundur dua të shkoj dhe të shoh se si po ndërvepron rëra me gurët, thotë ai. – Nuk pres që të duket njësoj – është e gjallë pak a shumë. Është si një lloj arti toke. Si tatuazh. Ajo është edhe pika finale e historisë për mua”.
Përveç ndërtimit të memorialit në shkretëtirën Tenere, ata ndërtuan memorialë më të vegjël në Çad dhe Brazavile. Por edhe pasi paguan për avokatët, udhëtimet dhe materialet, mbeteshin ende 3.5 milionë euro. Kjo u përdor për të ndërtuar një fondacion për viktimat e terrorizmit në Francë, të cilën e drejton Deno de Sen Mark.
Është një punë e trishtë por e nevojshme, thotë ai. “Unë kam eksperiencë për atë se si është kur nuk ke mbështetje. Dhe e kuptoj se është shumë e rëndësishme të pranosh situatën dhe të ecësh përpara – të kesh jetë fantastike por të pranosh çfarë ka ndodhur”.
Kompania e Deno de Sen Mark u rrëzua më 2003. “Me të gjitha këto që ndodhën, unë nuk mund të kujdesesha më për klientët e mi,- thotë ai. Humba gjithçka. Nuk kisha të ardhura – në fakt gjysma e pagesës sime shkoi për të paguar ata që më ndihmuan”.
Vendimi për të vijuar me kauzën ka prekur edhe martesën e tij. “Gruaja ime është ngopur, thotë ai. Ajo nuk ishte shumë e lumtur kur unë vendosa të krijoj një shoqatë tjetër. Ajo donte që unë të ecja përpara”. Të dy nuk janë më bashkë.
Historia mori një kthesë tjetër të papritur një vit pasi u ndërtua memoriali, kur ai u shfaq në “Google Earth”.
“Nuk ia kisha idenë se mund ta shihje në ‘Google’, kjo ishte tërësisht surprizë”, thotë Deno de Sen Mark. “Uau! Isha i gëzuar.”
Interesi i vërejtur për të parë imazhet e viktimave të fluturimit UTA 772 nënkupton se ata nuk do të harrohen.
“Ne duam të tregojmë se nuk ka një frymë hakmarrjeje, vetëm drejtësi dhe paqe”, thotë ai. “Mesazhi universal është se asnjë kauzë nuk mund të justifikojë terrorizmin”.