Ndërsa ti shfleton telefonin para se të flesh, ai mund të jetë duke hapur aplikacionin “Shënime” për të regjistruar çdo detaj për ty: ushqimin që të pëlqen kur je e lodhur, lulet e preferuara, madhësinë e këpucëve, gjërat që të nervozojnë dhe mënyrën si reagon nën presion.

Ky fenomen i pazakontë është kthyer në trend viral dhe ka ndezur diskutime të zjarrta në rrjetet sociale.

Gjithçka nisi kur krijuesja e përmbajtjes Jessica Kirk ngriti një pyetje të thjeshtë, por provokuese: a mbajnë burrat shënime për gratë me të cilat takohen?

Përgjigjja surprizë erdhi shpejt, në formën e dhjetëra pamjeve ekrani nga burra që kishin lista të detajuara në telefonët e tyre, të organizuara dhe të përditësuara rregullisht.

Në këto shënime shfaqeshin rubrika si “Fakte rreth saj”, “Çfarë e bën të ndihet e dashur” apo edhe dokumente me tituj simbolikë si “Maia 101”. Aty përfshiheshin ushqime të preferuara, ide për takime, madhësi rrobash, alergji, libra që lexon, artistë të preferuar dhe madje edhe madhësia e unazës.

Sipas atyre që i mbajnë këto lista, qëllimi nuk është kontrolli, por kujdesi: të mos harrojnë detaje të vogla që e bëjnë partneren të ndihet e dëgjuar dhe e vlerësuar.

Reagimet online janë të ndara. Disa e quajnë këtë trend një dëshmi të rrallë përkushtimi dhe vëmendjeje emocionale. “Po e shtoj këtë në listën time ‘burrat e mirë ekzistojnë’”, shkruan një përdoruese.

Të tjerë, në anën tjetër, e shohin si diçka të ftohtë dhe mekanike, duke argumentuar se dashuria nuk duhet të funksionojë si një dosje apo manual.

Në fund, dilema mbetet e hapur… a është ky romantizëm i epokës digjitale, apo thjesht një mënyrë e re për ta organizuar dashurinë si projekt?