Një studim i fundit raporton se konsumimi i shpeshtë i ushqimeve ultra të përpunuara mund të lidhet me përkeqësimin e shëndetit riprodhues mashkullor, përfshirë uljen e cilësisë dhe numrit të spermatozoideve. Autorët e studimit theksojnë se dieta me ushqime ultra të përpunuara nuk ndikon vetëm tek pesha trupore dhe niveli i kolesterolit, por edhe tek shëndeti kardiometabolik dhe riprodhues. Madje, efektet negative janë vërejtur edhe kur të dy grupet e pjesëmarrësve konsumonin të njëjtin numër kalorish.
“Studimi ofron dëshmi se konsumimi i ushqimeve ultra të përpunuara është i dëmshëm për rezultatet kardiometabolike dhe riprodhuese, pavarësisht nga sasia e kalorive të marra”, kanë shkruar autorët. Në kërkimin e tyre, shkencëtarët rekrutuan 43 meshkuj të moshës 20–35 vjeç. Secili kaloi tri javë me një dietë kryesisht me ushqime ultra të përpunuara dhe tri javë me ushqime të papërpunuara, me një periudhë tre-mujore ndërmjet për “pastrimin” e organizmit.
Rezultatet treguan se pjesëmarrësit që konsumonin ushqime ultra të përpunuara fituan më shumë peshë dhe masë dhjamore; u rrit niveli i ftalateve (substanca që gjenden në plastikë dhe mund të prishin ekuilibrin hormonal); u ulën nivelet e testosteronit dhe hormonit FSH, të domosdoshëm për prodhimin e spermës. Sipas ekspertëve, disa nga këto substanca endokrine mund të kenë hyrë në organizëm nga ambalazhet plastike të ushqimeve. Shkencëtarët theksojnë se përdorimi masiv i ushqimeve të përpunuara që nga vitet 1970 përkon me një ulje prej rreth 60% të numrit të spermatozoideve në mbarë botën.
Dietologja Kristin Kirkpatrick tha se studimi jep një mesazh të qartë: “Edhe meshkujt e shëndetshëm, nëse ushqehen me produkte të përpunuara, rrezikojnë prishjen e ekuilibrit hormonal dhe zhvillimin e sëmundjeve kronike.” Dr. Filip Wertman, urolog në Los Angeles, theksoi: “Nuk ka rëndësi vetëm sa kalori konsumoni, por çfarë lloj kalorish merrni. Sistemi riprodhues është shumë i ndjeshëm dhe pasqyron gjendjen e përgjithshme shëndetësore të trupit.” Ndërsa Dr. Michael Eisenberg nga Universiteti i Stanfordit shtoi një paralajmërim: efektet e vëzhguara janë në periudhë trejavore, ndërsa prodhimi i spermës zakonisht zgjat 2-3 muaj, prandaj duhen studime më afatgjata për të nxjerrë përfundime të plota.