“Unë nuk besoj te heronjtë, apo shpëtimtarët”, thotë Aleksis Tsipras, “por besoj në luftën për të drejtat… Askush nuk ka të drejtë që të çojë një popull të tërë në një derexhe të tillë dhe në një mungesës totale dinjiteti si ai me të cilën po përballet sot populli grek”.
Burri që ka fatet e euros në duart e tij – në pozicionin e kreut të partisë, e cila është kundër paketës së ndihmës financiare që i kanë dhënë Greqisë BE-ja dhe FMN-ja – thotë se vendi i tij ndodhet në linjën e parë të një lufte që po përfshin Europën. Një bombardim “shoku neoliberal” me rritje jashtëzakonisht të madhe të taksave dhe ulje po aq të madhe të shpenzimeve, ka lënë pas një dëm kolateral të pamasë. “Ne nuk kemi qenë kurrë më parë në një pozicion kaq të keq”, thotë ai, duke përveshur mëngët, ndërsa qëndron ulur në një tryezë të vogël në zyrën e tij në Parlament. “Pas dy vitesh e gjysmë katastrofe, sot grekët janë të gjunjëzuar. Shteti social është shkatërruar fare dhe një në dy të rinj në vend është i papunë. Njerëzit po e lënë vendin në masë dhe klima e përgjithshme është ajo e pesimizmit, depresionit, vetëvrasjeve në masë”. Por edhe pse i dëshpëruar dhe i lodhur, një vend si Greqia duket se e ka ende fuqinë që të shohë andej nga mund të vijë një dritë shprese dhe gjithnjë e më shumë duket se për ta kjo dritë shprese mban emrin e Tsipras. Duket se ai është njeriu që sipas një pjese të grekëve mund të drejtojë luftën e tyre. Dhe ky politikan brenda një nate u shndërrua në një figurë kyçe jo vetëm për fatin e politikës greke, por edhe të euros. Kjo, sepse në zgjedhjet e fundit parlamentare nga 5% të votave që kishte më parë arriti të marrë 25%. “Më pyesni nëse kam frikë? Do të kisha frikë nëse do të vazhdoja ende në këtë rrugë, një rrugë që të çon në një ferr social …ndërsa kur dikush lufton atëherë ka gjithmonë shans për fitore dhe ne po luftojmë që të fitojmë”, thotë ai.Parase grekët të shkonin në kutitë e votimit në 6 majin që shkoi, as Tsipras, as partia e tij nuk njiheshin përtej një pakice në Greqi. Madje edhe në këtë vend kishte nga ata që nuk i merrnin aspak seriozisht djemtë me çanta “Louis Vuitton” dhe syze dielli të modës. Shpesh i quanin si mbështetës të kauzës antiglobaliste. Por sot gjërat kanë ndryshuar tërësisht. Të takosh djalin që drejton partinë e madhe është bërë shumë e vështirë, për më tepër në këtë periudhë fushate në pritje të votës së ardhshme zgjedhore. Aleksis takohet me ambasadorë, gazetarë të rëndësishëm, diplomatë të lartë e të dërguar nga brenda dhe jashtë vendit. Kjo, sepse ky politikan në zgjedhjet e ardhshme të 17 qershorit pritet të fitojë një numër edhe më të madh votash nga zgjedhjet e fundit të 6 majit. Tashmë lideri i Syrizës është njeriu të cilin duan ta takojnë të gjithë. Për shumëkënd që është mësuar ta shohë në televizor ai nuk është edhe aq “i rrezikshëm”, madje është një djalë i shtruar dhe i qetë, e në dukje me ide të qarta. Martin Schulz, presidenti i Parlamentit Europian që sapo e ka takuar liderin e partisë, thotë se vota e radhës në Greqi do të përcaktojë jo vetëm atë që do të ndodhë në këtë vend, por edhe atë që do të ndodhë në arenën ndërkombëtare. Nëse marrëveshja e kredisë do të vihet në dyshim dhe do të rrezikohet, do të vihet në dyshim edhe kësti i radhës së pagesës për Greqinë”, thotë ai. Tsipras, që do të mbushë plot 38 vjeç në qershor, thotë se lufta nuk është një çështje personale, dhe se armiku në këtë rast nukështë aspak Berlini, sikundër mendohet. Berlini ka qenë deri më tani furnizuesi më i madh i fondeve të shpëtimit, nga të cilat ka përfituar Greqia në këmbim të një pagese me kosto shumë të madhe. “Lufta nuk është mes kombeve, por mes njerëzve. Nga njëra anë janë punëtorët dhe shumica e njerëzve dhe, nga ana tjetër, janë kapitalistët globalë, bankierët, ata që duan të përfitojnë gjithmonë në kurriz të të tjerëve dhe kanë një lakmi shumë të madhe, fondet e mëdha të investimeve. Është një luftë mes njerëzve e kapitalizmit dhe si në çdo luftë ajo që ndodh në frontin e saj është edhe përcaktuese”, thotë lideri i partisë së ekstremit të majtë. Greqia, vazhdon ai, është shndërruar në një model për të gjithë Europën, sepse ishte vendi i parë që ra viktimë e zbatimit të linjës së ashpër të vendosjes së masave shtrënguese dhe shkurtimeve të shpenzimeve. Një politikë shokuese që u ndërmor në emër të zgjidhjes së krizës së rëndë. “Kjo politikë u zgjodh si eksperiment për zbatimin e politikave të shokut neoliberal dhe populli grek u zgjodh si kavie laboratori. Nëse eksperimenti do të vazhdojë, do të konsiderohet i suksesshëm dhe do të zbatohet edhe në vende të tjera. Ja përse është shumë e rëndësishme që ky eksperiment të ndalohet pikërisht në vendin ku po provohet, pra në Greqi, dhe kjo nuk do të ishte një fitore vetëm për Greqinë, por për të gjithë Europën”.
Sipas planit aktual, i cili e ka vënë Greqinë nën një regjim shtrëngues në lidhje me shpenzimet, fuqia blerëse e grekut të shtresës së mesme ka rënë me 35% dhe ai që po fiton më shumë në këtë situatë është pa dyshim sistemi financiar ndërkombëtar dhe veçanërisht bankat, që janë vërtet duke bërë “kolpo”. “Më thoni pak ju lutem, kush është duke mbijetuar. Grekët sigurisht që jo… kreditë jepen vetëm për të marrë interesa të mëdha që shkojnë drejt e në xhepin e bankave”, thotë politikani i ekstremit të majtë.
Një tjetër pikë është se Tsipras kërkon të bindë të gjithë që ai, në fakt, ndryshe nga sa mund të mendojnë disa, nuk është kundër monedhës së përbashkët e as kundër bashkimit monetar. Ai thotë se frika e daljes së Greqisë nga zona euro ka kapur gjithë popullsinë e Greqisë dhe kjo nuk është një klimë aspak e mirë. Për më tepër që ka çuar në daljen e miliarda eurove nga bankat e vendit me tentativë për të shpëtuar në rast “falimentimi”. Sipas tij, Kancelarja gjermane, Merkel, duhet ta dijë se ka një përgjegjësi shumë të madhe mbi veten e saj dhe këtë ka ndërmend që t’ua thotë edhe përfaqësuesve të qeverisë gjermane në takimin që do të ketë këto ditë. “Ne nuk jemi kundër një bashkimi monetar europian. Ne thjesht nuk duam kërcënime e duam që t’ua bëjmë të qartë partnerëve tanë europianë që mënyra që kanë gjetur për të përballuar krizën tonë është tërësisht kundërproduktive. Është si të hedhësh para në një enë të shpuar.” Gjatë dy viteve të fundit Athina ka marrë dy paketa të shpëtimit financiar nga Bashkimi Europian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar e para në maj të vitit 2010, prej 110 miliardë eurosh, dhe e dyta këtë vit, prej 130 miliardë eurosh, por në këmbim të tyre i është kërkuar Greqisë që t’i hyjë një periudhe të shkurtimit të shpenzimeve publike, rritjes së taksave dhe uljes së rrogave e pensioneve që e ka bërë shumë të vështirë jetën në këtë vend, duke rritur papunësinë në shifra ekstreme. Sipas liderit, masat e kërkuara në këmbim të paketës qartësisht dhe dukshëm nuk janë duke funksionuar. Sipas tij, nëse nuk i vihet theksi në këtë moment strategjisë së rritjes ekonomike për ekonominë më problematike të euros, brenda gjashtë muajsh do të dalë nevoja për një paketë të tretë ndihmash dhe kështu sërish nuk do të zgjidhet gjë. “Taksapaguesit europianë duhet ta dinë se nëse po i japin paratë e tyre për Greqinë këto para do të kenë një ndikim dhe nuk do të shkojnë kot”. Gjithë sa thotë tani 38-vjeçari duket shumë më e qetë dhe më e balancuar nga deklaratat që ai bëri gjatë fushatës zgjedhore të zgjedhjeve të 6 majit. Dhe pikërisht kjo retorikë dhe ky qëndrim i dhanë aq shumë vota. Ajo vazhdon të thotë se e para gjë që do të bëjë kur të vijë në pushtet është që të grisë memorandumin e shumëdebatueshëm të mirëkuptimit, të cilën Greqia e ka nënshkruar me kreditorët e saj, në të cilin detajohen kushtet e hollësishme në bazë të të cilave vendi përfiton paratë. Sipas tij, marrëveshja është arritur pa konsultimin e popullit grek dhe tani pas votës së 6 majit është e qartë se e ka humbur legjitimitetin. Ai e di mirë se është një lojë e vështirë dhe e rrezikshme me lojtarë në nivele shumë të larta. “Europianët duhet të kuptojnë se ne nuk kemi ndërmend që të vazhdojmë me veprime të njëanshme. Ne do të detyrohemi që të veprojmë në mënyrë unilaterale vetëm nëse ata do të bëjnë lëvizjen e parë unilateralisht. Nëse ata nuk do të na paguajnë, nëse do të ndalojnë që të na financojnë, atëherë ne nuk do të jemi në gjendje që të paguajmë kreditorët. Por ajo çka unë po them është shumë e thjeshtë”. Dhe nëse Athina nuk do të mund të paguajë kreditorët e saj, problemi merr një tjetër rrugë. Greqia, sipas këtij politikani, është në një pozicion shumë herë më të fortë nga sa mendon shumica. “Keynes ka thënë shumë vjet më parë, se në pozicion të vështirë nuk është personi që merr borxh, por ai që jep borxh. Ky është një problem i të gjithëve, i yni, i Merkelit, i Europës, i botës”, thotë politikani i ri, ndërsa ka përpara ditë të vështira, por dhe plot përgjegjësi.
Greqia, vazhdon ai, është shndërruar në një model për të gjithë Europën, sepse ishte vendi i parë që ra viktimë e zbatimit të linjës së ashpër të vendosjes së masave shtrënguese dhe shkurtimeve të shpenzimeve. Një politikë shokuese që u ndërmor në emër të zgjidhjes së krizës së rëndë. “Kjo politikë u zgjodh si eksperiment për zbatimin e politikave të shokut neoliberal dhe populli grek u zgjodh si kavie laboratori. Nëse eksperimenti do të vazhdojë, do të konsiderohet i suksesshëm dhe do të zbatohet edhe në vende të tjera. Ja përse është shumë e rëndësishme që ky eksperiment të ndalohet pikërisht në vendin ku po provohet, pra në Greqi, dhe kjo nuk do të ishte një fitore vetëm për Greqinë, por për të gjithë Europën”
Sipas planit aktual, i cili e ka vënë Greqinë në një regjim shtrëngues në lidhje me shpenzimet, fuqia blerëse e grekut të shtresës së mesme ka rënë me 35% dhe ai që po fiton më shumë në këtë situatë është pa dyshim sistemi financiar ndërkombëtar dhe veçanërisht bankat që janë vërtet duke bërë “kolpo”
“Ne nuk jemi kundër një bashkimi monetar europian. Ne thjesht nuk duam kërcënime e duam që t’ua bëjmë të qartë partnerëve tanë europianë që mënyra që kanë gjetur për të përballur krizën tonë është tërësisht kundërproduktive. Është si të hedhësh para në një enë të shpuar”