
Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth përveç angazhimit të tij politik në Shqipëri ka vendosur të shijojë edhe pasuritë natyrore të vendit tonë. Së fundmi ai ka udhëtuar në Kanionet e famshme të Skraparit, ku së bashku me një grup shoqëruesish ka vendosur të bëjë rafting, një nga sportet që favorizohet shumë për shkak të natyrës së këtyre Kanioneve.
Vetë ambasadori e ka përshkruar si një eksperiencë të paharruar udhëtimin e tij në këtë cep të Shqipërisë, duke bërë madje thirrje që të promovohen bukuritë natyrore që Shqipërisë nuk i mungojnë.

“Ishte fantastike kjo eksperiencë në Kanionet e Osumit. Një nga udhëtimet më të bukura që të sjell rasti të bësh. Çfarë nuk kishte; ujëvara, kulla të natyrës, nuk kishe ku ta çoje kokën më përpara. Gjatë aventurës rafting mund të shijosh edhe pamjen përrallore të tetë ujëvarave, të cilat bien nga një lartësi mbi 100 m dhe mund të prekësh shpatet e Kanionit 3 milionë vjeçar me të dyja duart”, ka thënë Wollfath.
21 maj 2013 (gazeta-Shqip.com)