Arkeologji – Vendbanimi rreth parkut të tempujve Angkor Wat në Kamboxhia ka qenë shumë më i madh se sa njihet deri më sot. Sipas kërkuesve shkencorë që kanë bërë hulumtime në këtë rajon më këmbë, me avion e satelit – prej vitesh është pjekur ideja se ai ka qenë një metropol madhështor “i mbytur” nën rrënoja. Ai vlerësohet tashmë si qyteti paraindustrial më i madh në botë
Kush dëgjon emrin Angkor dhe jo rastësisht është arkeolog, mendon zakonisht për nocionin “Angkor Wat” – parkun e madh të tempujve, që dikur kmerët (perandorët Khmer) e kishin ndërtuar para 900 vjetëve në mes të xhunglës. Por në rajonin Angkor ka më shumë se kaq. Shumë më tepër madje edhe se sa mendonin ekspertët deri para ca kohëve. “Që prej më shumë se 100 vjetësh, shkenca është përqendruar te ndërtesat e vend-sheshet e mëdha të tempujve dhe mbishkrimet e tyre”, thotë Damian Evans i Universitetit të Sidneit në Australi. “Se ku kanë jetuar njerëzit atje, askush nuk duket se ka dashur ta zbulojë”. Vetëm nga fundi i regjimit të tmerrshëm të kmerëve të kuq në vitet nëntëdhjetë, eksplorimi shkencor arkeologjik i Angkor u vu në shina të sigurta dhe Evans e shfrytëzoi këtë kohë së bashku me kolegët e miqtë, për të çuar përpara projektet e tij. Para disa viteve, studiuesit publikuan në faqet e revistës së specializuar shkencore “Proceedings of the National Academy of Sciences”, një dëshmi që “la pa frymë” shumë profesionistë për informacionin që ofruan rreth një kohe të largët. Sipas hartës së saj të re – e cila në fakt është aktualizuar me kontribute të reja – në rrethinat e Angkor Wat, në asnjë mënyrë nuk mund të thuhet se janë gjetur vetëm tempuj të shpërndarë sa andej-këtej, por edhe një qytet i madh “hidraulik” me një sipërfaqe prej më shumë se 1000 kilometrash katrorë. Sa për krahasim: sipërfaqja e Nju Jorkut është rreth 1200 km katrorë, pa futur këtu sipërfaqen e tij ujore, ai shkon tek më pak se 800 kilometra katrorë. Një fakt i tillë e rendit “Angkorin e madh” me distancë, si qytetin apo vendbanimin më të madh paraindustrial të botës, shkruan në platformën shkencore në fjalë, Evans e kolegët e tij. Edhe qytetet gjigante antike të majave para tyre do të dukeshin të vogla: Tikal, më i madhi deri më tani i matur ndër ta, arrin një sipërfaqe prej 150 kilometrash katrorë. “Greater Angkor Project” (GAP) me ekspertë nga Australia, Kamboxhia e Franca, sipas Evans, ka vërtetuar edhe mendimin e hershëm se Angkor ishte mes shekujve 9 dhe 16, një qytet ujor. Studiuesi francez Bernard-Philippe Groslier ka kryer gërmime për qytetin Angkor që në vitet ’50 dhe ka mbrojtur tezën e një kompleksi të madh banimi për të, i cili me një sistem të komplikuar ujitjeje, bënte të mundur kujdesin për një milion banorët e vet. Ky sistem e kishte ushqyer këtë qytet të madh që ndahej në vetvete në shumë zona të tjera – dhe në fund ishte mbytur nga uji, duke sjellë fundin e tij.
Rrjeti i ujërave apo i ujitjes, i konkretizuar në lumenj, rrjedha, kanale e liqene, sipas studimit të ri, i kishte bërë kmerët mesjetarë të mblidhnin disa herë në vit oriz. Kjo u siguronte banorëve të Angkorit, jo vetëm nevojat bazë për oriz, por sillte edhe favore, duke u sjellë atyre një pasuri të vërtetë për kushtet e kohës në të cilën jetonin. Perandoria Khmer mundi ta zgjeronte pushtetin e vet, sidomos gjatë periudhës në të cilën mbretëroi sovrani Suryavarman II, i cili sipas specialistëve, ndërtoi dhe parkun e madh të tempujve.
Studiuesit e GAP, duke marrë si bazë matjet e kryera në terren me ndihmën e avionëve shumë të lehtë dhe satelitëve të agjencisë hapësinore amerikane, NASA, kanë zbuluar më shumë se 1000 liqene artificiale dhe të paktën 74 tempuj, deri më tani të panjohur. “Harta jonë e re na tregoi së pari se Angkor nuk ka qenë aspak një koleksion tempujsh të shpërndarë”, thotë Evans. “Ai ishte një rrjet tejet i madh për kohën – ndërlidhës në qytet – i cili duhet të ketë qenë dhjetë herë më i madh se çdo qytet antik në botë që njihet deri më sot”.
Harta tregon edhe se madhësia e vendbanimeve paramoderne nuk mund të përcaktohej vetëm me muret rrethuese të qytetit, siç mendohej deri më tani. Angkor Wat dhe qyteti fqinj i rrethuar me mure, Angkor Thom, mendohet se kanë qenë shumë të populluar. “Por ne shohim edhe se Angkor nuk përfundonte te muret e veta, porse ishte një terren gjigant me sipërfaqe të kultivuara bujqësore e territore të banuara që shtriheshin pa ndërprerje të paktën mbi 1000 kilometra katrorë”, thotë Evans. Në këtë sipërfaqe nuk gjendet as edhe një kilometër katror, që nuk është ndryshuar, kultivuar e shfrytëzuar. Të dhënat e reja zbulojnë sipas Evans, edhe mendimin se rrjeti i përparuar hidraulik nuk ishte ngritur vetëm për të intensifikuar mbjelljen e kultivimin e orizit. “Të gjithë liqenet artificiale e pellgjet ujëmbledhëse kishin valvula hapëse e mbyllëse, kanale vaditëse dhe çdo burim i veçantë uji në atë rajon menaxhohej më së miri”. Kjo, me ç’duket, solli dhe rënien e superqytetit. “Kultivimi i orizit në Angkor kishte, sigurisht, një nevojë ekstreme për ujë”, thotë Evans. Sipërfaqe të mëdha duhet të jenë rrënuar për t’i hapur rrugë fushave që do të viheshin nën ujë. Sistemi në fjalë, duhet të ketë pasur përmasa aq të mëdha, saqë me kalimin e kohës me shumë gjasa, mund të ketë sjellë probleme – siç ishin për shembull: dobësimi i shtresës së sipërme të sipërfaqes, duke shkaktuar erozion dhe mbipopullim. Sistemi i ndjeshëm e kompleks, sipas studiuesve, duhet të ketë reaguar me ndjeshmëri të lartë ndaj katastrofave natyrore dhe luftërave.
Sidomos në pjesën veriore të Angkorit, të eksploruar më së miri, janë gjetur gjurmë të përpjekjeve të forta njerëzore që sollën rënie të sistemit, shkruajnë shkencëtarët në artikullin e tyre në revistë. “Kjo na shpjegon se si sistemi, me kalimin e kohës, u bë gjithnjë e më kompleks dhe i pakontrollueshëm”.
Por me siguri nuk mund të thuhet asgjë. Evans thotë më pas se: “Ne po merremi ndërkohë me analizimin e varreve”. Tanimë që sipërfaqet e kolonive njerëzore u identifikuan, do të mundësohet kësisoj edhe marrja e të dhënave më të plota mbi numrin e popullsisë që ka jetuar në Angkorin mesjetar – “në vend që të japim shifra shumë të rrumbullakosura si një milion banorë etj,”. Harta e re na tregon “të paktën se ku do mund t’i gjenim përgjigjet e pyetjeve tona”, – përfundon Evans.
Burimi: Geo Magazine