Ann, 53 vjeçe, sipas sondazheve, ka një pozicion të palëkundur dhe është favorite për të marrë drejtimin e kryeqytetit francez. Brune, me sy të zinj, është konsideruar nga kolegët me të cilët punon “një grua e hekurt”


Libri i saj i fundit titullohet “Të punosh në prag të një krize nervore”. Megjithatë, Anne Hidalgo është një grua që nuk e humbet qetësinë kollaj, madje edhe kur asgjë nuk shkon mirë. Kjo ish-inspektore, që merret me çështjet e urbanistikës dhe me sigurinë në kantiere, është një nga gratë më të fuqishme të kryeqytetit francez. Më e mira, shton Bertrand Delanoe  që dëshiron t’i lërë çelësat e qytetit para se të largohet në 2014. Duket një takim i largët, por në fakt, lojërat politike për këtë post sapo kanë nisur. Parisi nuk është vetëm kryeqyteti, por planeti rreth të cilit rrotullohet e gjithë shoqëria franceze. Ja përse Hidalgo do të bëjë me dije këtë javë kandidaturën e saj me pothuajse dy vjet avancë. Ndoshta një mënyrë për të djegur mundësitë e emrave të tjerë të mundshëm brenda Partisë Socialiste. Bukuroshja, Ann 53 vjeçe, sipas sondazheve duket se ka një pozicion të palëkundur. Brune, me sy të zinj, është konsideruar nga kolegët me të cilët punon “një grua e hekurt”. Një “servile”, thonë ata që e kanë inat e që nuk kanë ngurruar në “Twitter” të flasin për një fëmijë të lindur nga një lidhje e mundshme e saj me Presidentin Francois Hollande. Sigurisht të gjitha janë thashetheme, ndoshta për ta penguar në garën e saj drejt bashkisë. Anëtare e Partisë Socialiste që prej vitit 1994, Hidalgo nisi të ngjisë shkallët e pushtetit me Martine Aubry, dhe u martua me shefin e kabinetit të sekretares së PS-së, Jean Marc Germain. Besnike e Aubry, ishte edhe zëdhënëse e fushatës së saj kundër Hollande. Por njeriu më “i afërt” i saj ka qenë Delanow, që e mori pas vetes pasi u zgjodh kryetar i Bashkisë së Parisit në vitin 2001. Menjëherë e emëroi atë në poste të rëndësishme duke parë cilësitë dhe aftësinë e saj. Hidalgo merret me çështjet e urbanistikës dhe mbulon kantiere të rëndësishme si Grand Paris apo rikualifikimi i lagjeve popullore në veri të kryeqytetit. Nëna e tre fëmijëve, është një feministe e bindur, por në mënyrën e vet. Ka luftuar gjithmonë për hapjen e qendrave ku mund të trajtoheshin gratë e dhunuara, por ishte edhe një nga kundërshtaret më të forta të kandidaturës së Segolene Royal në krye të Elizesë. “Nuk mund të instrumentizohet fakti i të qenët grua”, tha në 2007-n. Dashuria për të qenë pjesë e Partisë Socialiste ka qenë e hershme. Ishte vetëm dy vjeç kur prindërit e saj u larguan nga Analuzia për t’i shpëtuar frankizmit. Nga toka e lindjes ka mbajtur temperamentin krenar, dëshirën për veshjet me ngjyrë të zezë, dhe pasionin e çmendur për historinë demokratike të Spanjës. Sipas një sondazhi të publikuar pak ditë më parë nga “Journal de Dimanche”, nëse do të votohej sot, Hidalgo do të merrte plot 54 për qind të preferencave, përballë ish-kryeministrit Francois Fillon, një kandidat i mundshëm i propozuar nga UMP. Partia e të djathtës duket se nuk e ka marrë ende veten nga humbja në zgjedhjet presidenciale e Nicolas Sarkozy dhe ka shumë probleme të brendshme për të zgjidhur para se t’i hyjë garës për të marrë drejtimin e kryeqytetit. Pas dy mandatesh, Delanow ka ruajtur një pjesë të mirë të popullaritetit. I pari politikan francez që pranoi hapur homoseksualitetin e tij në një intervistë televizive në vitin 1998, kryetari i Bashkisë së Parisit ka ndryshuar paksa imazhin e qytetit me disa koncepte të eksportuara nga jashtë të njohura me emrin “netët e bardha” dhe “Velib” eksportuesit e biçikletave. Turizmi është në ngjitje të vazhdueshme, pavarësisht krizës. “Të bëhem kryetare e Bashkisë së Parisit? Është ëndrra e gjithë jetës sime”, iu përgjigj Hidalgo disa muaj më parë kësaj pyetjeje. Gara është ende e gjatë dhe plot pengesa, por ajo është një nga ato gratë që ëndrrat i bën realitet.


 


Detaje 


Karriera – Anne Hidalgo, është 53 vjeçe dhe vajza e emigrantëve spanjollë. Që nga viti 1994 është anëtare e Partisë Socialiste. Aktualisht është zëvendëse e kryetarit aktual të bashkisë, Delanow


Familja – E martuar në vitin 2004 me Jean Marc Germain, shefin e kabinetit të sekretares së PS-së, Martine Aubry, në vitin 2002 lindi djalin e saj, Arthur


Kandidatura – Pas 11 vjetësh si zëvendëse e Delanow dëshiron të zërë vendin e tij si kryetare e Bashkisë së Parisit në zgjedhjet që do të mbahen në vitin 2014