Mjafton të përgatiten me ushqime të freskëta, që janë të pasura me ujë dhe fibra. Vetëm në këtë mënyrë mund ta frenoni oreksin dhe të rrëzoni disa kilogramë nga pesha
Për të vendosur një ekuilibër ushqimor, gjë që i mungon shumë personave mbipeshë, fillimisht duhet të përqendroheni te ushqimet që pëlqeni shumë. Arsyeja? Vetëm kur ushqimet na kënaqin, nuk na shkon mendja për të ngrënë më tepër se ç’duhet. Në këtë mënyrë shmangen edhe ngrëniet e çrregullta pa orar, që janë shumë të dëmshme për metabolizmin. Nëse ju pëlqejnë antipastat, mund t’i konsumoni sa të doni, mjafton të jenë të kombinuara me përbërës të tjerë. Antipasta mund të zëvendësojë një vakt, sidomos tani që temperaturat vazhdojnë të jenë të larta dhe trupi ka nevojë për një dietë të freskët dhe hidratuese. Përveç kësaj, antipasta ka edhe një “aftësi” tjetër: duke përzierë shumë përbërës bashkë kënaqet jo vetëm syri, por ngopet edhe stomaku, duke na krijuar iluzionin sikur kemi ngrënë shumë. Por cila është e fshehta për t’u dobësuar me antipasta?
– Duhet të jenë të shijshme, me ngjyra dhe të kenë aromë të këndshme; do të ishte më mirë akoma nëse konsumohen me dorë;
– Duhet të jenë të ushqyeshme dhe në nevojë të përdoren edhe si pjatë e vetme;
– Duhet të kenë shumë fibra dhe ujë, për të ngopur stomakun dhe për të na dhënë ndjesinë e ngopjes;
Perimet e zgarës
Kungujt, domatet, qepët, specat janë ideale për t’u pjekur në zgarë. Pas përgatitjes, në vend që t’i kriposni dhe t’u hidhni vaj ulliri (një lugë vaj ulli përmban 90 kalori) mund t’i kaurdisni me gjysmë gote lëng limoni dhe ndonjë pikë salcë soje. Në këtë mënyrë perimet bëhen më të shijshme dhe nuk rritet sasia e yndyrave, gjë që lehtëson edhe tretjen. Në qoftë se shtoni disa erëza aromatike dhe pak fara susami krijoni rezerva të acideve yndyrore dhe të vajrave që ulin kolesterolin.
Gjithmonë duhet vaj, piper dhe kripë
Perimet e gjalla dhe të freskëta duhen shoqëruar gjithmonë me vaj, piper dhe kripë, sepse përmbajnë shumë kripëra dhe vitamina që ndihmojnë për t’u dobësuar. Gjithashtu, janë një alternativë e mirë për t’u përdorur kur ju shkon mendja për papatina: përveçse të shëndetshme, mund të hani sa të doni dhe pa e vrarë mendjen për linjat.
Zarzavatet në shportë
Ka shumë perime që në kuzhinë mund të përdoren si të mbushura dhe këtu përfshihen, kungujt, specat, patëllxhanët, domatet, patatet. Mbushjet mund të përgatiten me kos, gjizë, djathë dhie, pure zarzavatesh, por edhe me ton të shtypur. Duke i përgatitur në këtë mënyrë, u shtoni vlerat zarzavateve dhe i bëni më të shijshme.
Trup i hollë dhe i shëndetshëm vetëm me perime
Siç u theksua edhe më lart, perimet e freskëta janë shumë të rëndësishme për shëndetin dhe një metabolizëm më aktiv, prandaj mund të përdoren dhe të konsumohen në vend të bukës. Më shumë se çdo ushqim tjetër zarzavatet ndihmojnë për të mbajtur trupin në formë dhe për të pasur një shëndet të mirë. Ja disa receta të vogla që nuk ju shëndoshin dhe ju mbushin stomakun.
Patate në vend të bukës: 67 kalori/100g
Patatet janë të ushqyeshme dhe treten shpejt. Mund të zëvendësojnë makaronat dhe bukën, pa shtuar kaloritë (67-85 kalori për 100g patate, kundrejt 280 kalorive të marra nga 100g bukë). Mund t’i konsumoni të ziera ose të pjekura në zgarë, por asnjëherë të skuqura.
Sallata ju ngop dhe ju pret oreksin: 17kalori/100g
E shërbyer si antipastë, aktivizon lëngjet e stomakut dhe nxit ngopjen. Përveç kësaj, sallata është e pasur me fibra që janë shumë të rëndësishme për veprimtarinë e zorrëve. Po t’i hidhni pak kripë dhe lëng portokalli të përzier me dy-tre pika vaj ulliri, vakti do t’ju shijojë më shumë. Në çdo rast mund ta konsumoni antipastën si një vakt të vërtetë, duke e shoqëruar edhe më një fetë bukë integrale. Për të përgatitur pjatën e dëshiruar përdorni zarzavatet e stinës, ato që janë më të pasura me kripëra minerale, vitamina dhe fibra.