Kujdesi për duar të bukura është një nga armët me të cilat meshkujt mund të joshen shumë lehtë. Ndoshta për këtë arsye, femrat sot i kushtojnë shumë rëndësi duarve në përgjithësi dhe thonjve në veçanti


Thonjte e zbukuruar


Edhe pse është një frazë që vjen nga anglishtja, kur flasim për “Nail art”, të gjithë e kuptojnë se bëhet fjalë për artin e të dekoruarit të thonjve përmes teknikave që lejojnë të krijosh dizenjo të llojeve dhe formave të ndryshme. Teknikat në artin e lyerjes së thonjve janë konfirmuar tashmë si pjesë e pandarë e kujdesit të femrave në imazhin e tyre. Duke nisur që prej viteve 1920 e deri më sot, arti i dekorimit të thonjve ka pësuar evolucion, si në formën e thonjve, nga katror dhe të mëdhenj, në ata më të hollë dhe në formë ovale, ashtu edhe në teknikë. Teknika e parë ishteParis nails”, që parashikonte lyerjen e thonjve me dy nuanca të së kuqes, një më të theksuar dhe një më të hapur në qendër. Nga ana tjetër “Revlon” ishte marka e parë që hodhi në treg manikyrë të ngjyrave të ndryshme, për t’u ofruar klienteve një gamë të gjerë zgjedhjeje. Por nëse harxhojmë kohë dhe shumë para nëpër qendra estetike dhe parukeri për t’i pasur ashtu siç do të donim, ekziston edhe një alternativë tjetër shumë herë më e lirë: mund t’i bëni vetë në shtëpi. Para së gjithash, duhet t’i lyeni thonjtë me një manikyr transparent dhe pasi ai të jetë tharë, duhet t’i kaloni sipër me një manikyr të ndezur. Për të krijuar forma të lehta mbi thonj, mund të përdorni ngjitës të ndryshëm ose penela, gjithmonë duke kombinuar ngjyrat me bazën e përzgjedhur. Zgjedhja e ngjyrave është shumë e rëndësishme, ndërsa me kreativitetin mund të guxohet. Kjo mund të shndërrohet në një luks të vërtetë, me teknika të larmishme. Për shembull e ashtuquajtura teknika Ices manicureparashikon një dekorim të thonjve me diamante dhjetë karat, ndërsa Diamond manicure realizohet me gurë të çmuar, si diamante dhe rubinë. Në fund nuk ka si të harrohet Gold manicure që i bën thonjtë me detaje të gjitha në ar.


Kujdesi për duar të bukura është një nga armët me të cilat meshkujt mund të joshen shumë lehtë. Ndoshta për këtë arsye, femrat sot i kushtojnë shumë rëndësi duarve në përgjithësi dhe thonjve në veçanti. Edhe ato që nuk kanë mundësi të frekuentojnë sallonet dhe qendrat e shtrenjta të bukurisë, mundohen të kujdesen për thonjtë me aq sa munden, në kushtet e shtëpisë: të limuar, të pastër e të lyer me manikyr të ngjyrave të ndryshme. Të tjerave, që ua mban xhepi, i sheh me thonj të kuruar deri në detaj, me lloj-lloj zbukurimesh, ngjyrash dhe abstraksionesh. Aq të përkryer janë, sa vërtet duken si vepra arti. Sondazhet e ndryshme tregojnë se shtatë në dhjetë femra i kushtojnë shumë rëndësi thonjve për t’i pasur gjithmonë në gjendje perfekte. Edhe kur ato nuk mund të shkonin në parukeri, harxhonin për to, tri-katër orë në javë. Natalie Cros është një dizajnuese thonjsh shumë e njohur në Francë. Që nga koha kur ajo ka nisur të ushtrojë këtë profesion, kanë kaluar shumë vite. “Sot thonjtë janë si vepra të vërteta arti. Dikur femrat mjaftoheshin vetëm me një lyerje të bukur dhe formë estetike të thonjve. Sot, ato kërkojnë lloje të ndryshme zbukurimesh dhe ne jemi të detyruar të kënaqim klientet tona”, thotë ajo. Natalie shton se, në varësi të gjendjes shpirtërore, festave kombëtare, ditëve të shënuara të vitit mund të zgjedhësh se si dëshiron t’i kesh thonjtë. Me flamur në ditën e pavarësisë, apo në kompeticionet ndërkombëtare, me lule në Ditën e Verës, me diell dhe det në verë, me Babagjysh për Vitin e Ri: janë këto disa nga tendencat më të përhapura të klienteve. Edhe Jenny ka një dyqan të vogël në Konektikat, për rregullimin dhe zbukurimin e thonjve. “Këtu vijnë mesatarisht 60-70 kliente në ditë, të cilat kërkojnë zbukurime të ndryshme: nga kombinimi i thjeshtë i ngjyrave tek gurët e shtrenjtë, apo zbukurimet me ar”, tregon ajo. “Edhe çmimi për punën është në varësi të mundit që harxhohet për të krijuar atë që klientet zgjedhin”, vijon më tej ajo.