Një gjen miqësor ndaj zemrës ndihmon në riparimin e dëmtimit të saj pas një ataku, referuar një studimi të drejtuar nga Hina Chaudhry në Shkollën e Mjekësisë “Icahn”, çka hap terapi të reja potenciale për riparimin e dëmtimit të zemrës.

“Testet laboratorike në qelizat njerëzore tregojnë se gjeni i quajtur Ccna2 mund të riaktivizohet, duke çuar në rigjenerimin e indeve të dëmtuara të zemrës”.

Gjetjet e reja vijnë pas arritjeve fillestare të të njëjtit grup kërkimor në vitin 2014 mbi rigjenerimin qelizor të indeve të zemrës së derrit.

“Tani kemi përparuar në këtë fushë duke treguar se edhe qelizat e zemrës njerëzore të moshës së mesme, të cilat prej kohësh mendoheshin të paafta për t’u ndarë, mund të induktohen për të prodhuar qeliza të reja funksionale”, theksoi Chaudhry.

Puna u përqendrua në një gjen specifik të quajtur Ccna2, i njohur për rolin kyç në ndarjen qelizore të kardiomiociteve, qelizat që përbëjnë muskulin e zemrës.

Qëllimi i studiuesve ishte të riaktivizonin gjenin dhe të verifikonin se ammund të çonte në gjenerimin e qelizave të reja të afta për të zëvendësuar ato të dëmtuara pas atakut në zemër ose dështimit të zemrës.

“Për ta bërë këtë, e inokuluan gjenin aktiv nëpërmjet një vektori viral në qelizat e muskulit kardiak të njeriut, të kultivuara in vitro dhe vunë replikimin e tyre. Ne ishim pionierë të idesë se zemra mund të rigjenerohej duke rizgjuar gjenet e ndarjes qelizore në gjumë dhe tani e kemi sjellë këtë vizion një hap më afër pacientëve, theksoi Chaudhry.

Qëllimi ynë është të ofrojmë një terapi që i lejon zemrës të shërohet vetë pas një ataku ose dështimi të zemrës, duke zvogëluar nevojën për transplante apo pajisje mekanike.

Hapi tjetër, siç shpjegojnë autorët, tani do të jetë marrja e miratimit nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) dhe fillimi i provave klinike të terapisë CCNA2 te pacientët me sëmundje të zemrës.