I ftuar në emisionin “Vitality Vibes” në Top Albania Radio në episodin e parë të sezonit të tretë me Ilvi Begollin ka qenë Dritan Todhe, kirurg dhe ortoped. Ata kanë diskutuar dhe kanë shpjeguar me detaje gjithçka që pacientët duhet të dinë në lidhje me injeksionet që bëhen në kyçe ose në kockë. Kanë analizuar gjithashtu edhe faktorët që ndikojnë dhe çfarë shkaktojnë gjilpërat kortizonike tek kockat dhe pse duhet që gjithmonë të jemi të kujdesshëm…
A është e vërtetë që gjilpëra bëhet në kockë apo jo? Ja si përgjigjet doktori…
Në fakt gjilpëra nuk arrin dot që ta shpojë kockën, sepse kocka është indi më i fuqishëm dhe më i fortë i organizmit tonë, por jo rrallëherë ne injeksionin tonë e hedhim deri në kufirin e kockës dhe ajo agia kur prek kockën jep një tingull të veçantë dhe një ndjesi të veçantë tek pacienti i cili mendon se ilaçi u fut dhe u hodh drejt e në kockë. Në fakt nuk bëhet fjalë për kockën, por për zonën përreth kockës.
Injeksionet që ne bëjmë në përgjithësi janë në kyçe, brenda kyçeve ose në struktura të tjera që ne i njohim me emrin tendine. Brenda në tendine ose përreth tendineve, ose në struktura të tjera pasi ka edhe injeksione që bëhen në muskuj. Pra është një gamë shumë e gjerë.