E ftuar në emisionin “Vitality Vibes” këtë javë me Ilvi Begollin ka qenë Dr. Alkerta Ibranji, alergologe-imunologe për të diskutuar më shumë në lidhje me alergjitë që tani me ndryshimin e stinës dhe me ardhjen e dimrit që prekin shumë njerëz dhe jo vetëm kaq…

Ata gjatë intervistës janë ndalur edhe tek alergjitë e rralla, ato forma më pak të zakonshme, por shpeshherë më të rënda, që kërkojnë vëmendje të veçantë dhe diagnostikim të saktë. E tillë si alergjia nga dielli, e njohur ndryshe si “dermatoza polimorfe”, është një reagim i rrallë i lëkurës ndaj ekspozimit ndaj rrezeve UV. Ilvi e pyeti se si mundet që dielli të jetë një shkaktar i alergjisë dhe doktoresha shpjegoi:

Siç është bekim për shumicën, për shumë pak njerëz është një mallkim për cilësinë e jetës pasi janë disa frekuenca rrezesh nga dielli të cilat provokojnë simptomat e një sëmundje pikërisht tek vendet e ekspozimit. Është një patologji e rrallë, por që realisht këta pacientë nuk duhet që të shikojnë diellin me sy sepse nuk jep vetëm urtikarie por mund të shkaktojë deri në anafilaksi që është forma më e rëndë e alergjisë me vështirësi në frymëmarrje, me ënjtje të fytit, me të vjella dhe diarre dhe deri në arrest kardiak, në pushim të zemrës mund të shkojnë alergjitë. Vetëm në ekspozim, edhe në diellin e Marsit këta njerëz po u eskpozuan në diell për një sasi të caktuar kohe, të themi 1-2 minuta tek vendet e eskpozimit fillon shfaqja e urtikarieve. Nëse është më e madhe zona e ekspozimit ndodh dhe më i rëndë reaksioni. Vlen të theksohet se janë fenomene shumë të rralla.