Fenomen – Humbja e biodiversitetit në Europë rrit shqetësimin edhe tek institucionet më të larta: në rrezik janë ambiente dhe specie të ndryshme kafshësh, që jetojnë si në ujë, edhe në tokë. Por të vetmit që i kanë shpëtuar këtij rreziku janë mishngrënësit e mëdhenj


Një studim, që do të publikohet së shpejti nga Komisioni Europian, ka treguar se biodiversiteti në kontinentin tonë është në krizë të fortë. Biodiversiteti – një term kryesisht i keqpërdorur- është marrëdhënia e përbashkët mes faunës e florës me ambientin në të cilin jetojnë, ose habitatin e tyre: marrëdhënie gjithmonë në lëvizje dhe komplekse.


Por habitatet, për shembull, janë të kërcënuara dhe të pushtuara nga fenomene të tilla si zgjerimi i qyteteve, agrikultura intensive dhe sjellja e specieve të huaja nga ambiente të tjera. “Zonat natyrore që garantojnë biodiversitetin po bëhen gjithnjë e më të vogla dhe të fragmentuara”, ka shpjeguar Frank Larsen, nga Agjencia Europiane për Ambientin dhe autori i studimit në fjalë.


Asnjë specie nuk është në ruajtje


Studimi ka nxjerrë në pah se 77% e habitateve europiane janë në një gjendje jo të mirë. Disa lloje fluturash më së shumti janë zhdukur gjatë periudhës mes viteve 1990 dhe 2011. Nga bletët europiane, 24% janë në rrezik ekzistence. Rënia e konsiderueshme e insekteve polenthithëse, mund të ketë ndikim të madh në bujqësinë europiane, duke pasur parasysh se sot, 84% e të vjelave varet nga shumimi i insekteve.


“Nëse do t’i caktonim një vlerë punës së insekteve…ajo do të ishte sa 14 miliardë euro”, ka komentuar Larsen. Ndërsa për zhdukjen e llojeve të zogjve është vërejtur një rritje prej 12% në krahasim me vitin 1990. Statistika të zymta prekin edhe llojet e peshqve, pasi aktiviteti i peshkimit është bërë më i lakmueshëm. Vetëm 7% e llojeve të peshqve dhe vetëm 9% e habitateve ujore, janë në gjendje të mirë ruajtjeje.


Mishngrënësit janë në rritje


Si anë pozitive mund të përmenden dy elemente. Nga një anë, rritja e zonave të deklaruara të mbrojtura, që sot mbulon rreth 18% të Bashkimit Europian; dhe nga ana tjetër, rritja e numrit të mishngrënësve të mëdhenj, mes të cilëve ariu i murrmë, rrëqebulli dhe ujku. Rezultat ky që në fakt nuk e mbulon atë ç’ka po humbasim, por që tregon se mund të arrihen me sukses masa dhe plane për rikuperimin e specieve dhe të mjedisit.


Humbja e biodivesitetit si problem global


Biodiversiteti përbën aktualisht një ndër problemet më të mëdha në botë. Është vlerësuar se rrjedha në këtë trend, e kërcënimit të ekosistemeve natyrore, do të paraqesë rrezik për të ardhmen e njerëzimit dhe mund të sjellë pasoja të rënda në natyrë.


Ndonëse kanë kaluar 14 vite që nga nënshkrimi i Konventës Ndërkombëtare për Biodiveristetin, të mbajtur në Rio de Janeiro, ku ndër parimet kryesore të miratuara ka qenë edhe “ruajtja e vitalitetit dhe shumëllojshmërisë biologjike të jetës në tokë dhe përdorimi racional i resurseve natyrore”, problemi i ruajtjes së biodiversitetit vazhdon të jetë edhe sot shumë i theksuar.


Të dhënat flasin se vetëm në 100 vitet e fundit, zhdukja e specieve prej njeriut është rritur rreth 1000 herë. Rreth 12% e shpendëve, 23% e gjitarëve, 25% e haloreve dhe 32% e amfibëve kërcënohen për zhdukje, ndërkaq rezervat e peshkimit në botë janë reduktuar deri në 90% që nga fillimi i industrisë së peshkimit.


Ekspertët supozojnë se, nëse do të vazhdohet me këtë trend, humbja e biodiversitetit do të ketë pasoja fatale për njerëzimin. Vlerësimet e fundit shkencore parashikojnë se, me ritmet e sotme të shpyllëzimeve, brenda 25-30 viteve të ardhshëm do të zhduken deri në 10% e llojeve të njohura në planet.


Pasojat e kësaj humbjeje do të reflektohen edhe në ekonominë botërore dhe në zhvillimet shoqërore në përgjithësi, duke pasur parasysh faktin se afro 40% e ekonomisë botërore dhe 80% e nevojave të njeriut plotësohen nga resurset natyrore.


N.A


Burimi: Revista Fokus