Në vitin 300 para Krishtit, një njeri i lashtë hoqi bluzën e tij prej leshi mbi një akullnajë, ku ajo u konservua për shumë shekuj, deri sa ngrohja globale e ktheu në dritë


Ngrohja globale



Një bluzë leshi e epokës para Vikingëve u zbulua pranë një akullnaje në shkrirje në Norvegjinë e Jugut, duke treguar se ngrohja globale po sjell disa zhvillime pozitive për arkeologjinë, thanë shkencëtarët këtë javë.


Bluza jeshile në kafe, e përshtatshme për t’u veshur nga një njeri 176 centimetra i gjatë, u zbulua 2 mijë metra mbi nivelin e detit, në atë që mund të ketë qenë një rrugë tregtie e epokës së Romës së lashtë në Norvegjinë e Jugut.


Testi i karbonit zbuloi se ajo është prodhuar rreth vitit 300 pas Krishtit.


“Është shqetësuese që akullnajat po shkrihen, por është shumë interesante për ne arkeologët”, tha Lars Piloe, një arkeolog danez që punon në akullnajat e Norvegjisë. Ai e prezantoi bluzën për herë të parë në publik këtë javë, pasi e pati studiuar atë që kur e zbuloi më 2011-n.


Një dorashkë Vikinge e viteve 800 pas Krishtit, një shkop për ecje i zbukuruar, si dhe një këpucë lëkure e epokës së Bronzit, krahas majave të shigjetave dhe mbetjet e harqeve antike të përdorura për të gjuajtur drerë, janë mes 1600 objekteve të zbuluara në malet në Norvegjinë e Jugut që nga viti 2006, kur shkrirja e akujve filloi të përshpejtohet.


“Ky është vetëm fillimi”, tha Piloe, duke parashikuar se do të ketë zbulime të tjera. Një shigjetë e lashtë prej druri me një majë të përgatitur nga një guaskë deti e zbuluar në zonë tregon për aftësi të konsiderueshme artizanale.


Akullnaja në shkrirje


Zbulimi i Otzit më 1991-shin, një njeri prehistorik që bridhte rreth 5300 vjet më parë në alpet mes Austrisë dhe Italisë, është zbulimi më i famshëm nën akull. Por përgjatë viteve të fundit, zbulime të tjera janë gjetur nga Alaska në Ande dhe shumë prej zbulimeve janë kryer, për shkak se akullnajat po tërhiqen.


Rënia e përmasave të akullnajave besohet se janë shkaktuar nga ndryshimet klimaterike të sjella nga çlirimi i gazrave me efekt serë përmes djegies së energjisë fosile.


Arkeologët thanë se tunika e zbuluar tregon se akullnaja Lendbreen në Norvegji, ku ajo u zbulua, nuk ka qenë asnjëherë më parë kaq e vogël sa sot, së paku që nga viti 300 pas Krishtit. Rrobat antike mund të dezintegrohen brenda pak javëve, kur janë të ekspozuara ndaj ajrit, për shkak të sulmeve nga insektet dhe bakteret. Fakti që ajo është në gjendje origjinale, tregon se ka qëndruar nën akull për shumë shekuj pa e parë dritën e diellit.


“Tunika ishte shumë e përdorur; ajo qe riparuar shumë herë”, tha Marianne Vedeler, një eksperte konservuese në Muzeun Norvegjez të Historisë Kulturore.


Tunika është bërë me lesh deleje dhe është punuar në formë diamanti, të cilat janë errësuar me kalimin e kohës. Shumë pak tunika të tilla kanë mbijetuar për kaq shumë kohë në Europë.


Ngrohja klimaterike po ka impakt kudo tjetër.


Patrick Hunt, një ekspert i Universitetit të Stanfordit që po përpiqet të gjejë rrugën e harruar që Hanibali përshkoi përmes alpeve me elefantë në një invazion të dështuar të Italisë në vitin 2018 para Krishtit, tha se alpet qenë në mënyrë të çuditshme pa dëborë deri në lartësinë 2500 metra verën e kaluar.


Dëbora më e paktë e ka bërë kërkimin më të lehtë.


“Unë mendoj se rruga e Hanibalit ishte ajo Clapier-Savine (mbi alpe), pasi kam shkelur me këmbë së paku 25 shtigje”, tha ai për “Reuters”. Ekspertët në Oslo thanë se po vrasin mendjen se pse një njeri i lashtësisë ka hequr bluzën e vet të ngrohtë, ndërsa gjendej mbi një akullnajë.


Një shpjegim i mundshëm është se pronari ndoshta po vuante nga i ftohti në një stuhi dëbore dhe u hutua nga hipotermia, e cila në disa raste i shtyn viktimat të heqin rrobat, sepse gabimisht ata ndihen të nxehtë.