“Që të dy banojnë në botën e opulencës dhe famës, por personazhet në romanin klasik të F. Scott Fitzgerald dhe ato të programeve televizive në kohë reale, na thonë diçka shumë të ndryshme mbi kulturën e famës në sistemin amerikan të klasave”, thotë Sarah Churchwell


Lidhja e humbur


Sarah Churchwell



Vlerësimet fillestare të kritikëve për adaptimin në film nga Baz Luhrmann të kryeveprës “Getsbi i madh”, ku marrin pjesë aktorë të famshëm, si Leonardo di Caprio dhe Carey Mulligan, qenë kontradiktore.


Ndërsa promovonte filmin, aktorja Carey Mulligan deklaroi në një intervistë se Dejsi Bukanan, personazhi që ajo luan, është si një lloj “Kardashiani”, në referencë të familjes që është bërë temë e një spektakli televiziv amerikan. Mulligan vijoi të shpjegojë: “(Dejsi) ndihet sikur po jeton në një film të bërë për jetën e saj. Ajo është vazhdimisht në spektakël, duke aktruar gjatë të gjithë kohës. Asgjë e keqe nuk mund të ndodhë në një ëndërr. Ti nuk mund të vdesësh në një ëndërr. Ajo është në spektaklin e vet televiziv.”


Komenti tërhoqi shumë vëmendje dhe Mulligan më vonë e sqaroi atë, duke thënë se njësoj si me Kardashianët, Dejsi është gjithmonë e detyruar të duket perfekte dhe se të dukurit mirë është pjesë e “biznesit” të saj.


Është e debatueshme nëse ky interpretim mund të ndihmojë për t’i dhënë jetë në ekran Dejsit, apo nëse është në përputhje me vizionin e regjisorit për filmin në tërësi.


Personazhi i romanit të F. Scott Fitzgerald nuk lë asgjë për t’u dëshiruar. Dejsi, na thotë ne Fitzgerald, është një “person i pakujdesshëm: ky është edhe defekti i saj i madh”. Paratë e trashëguara me bollëk krijojnë një botë ku është e panevojshme të përpiqesh të bësh apo të thuash atë të vlefshmen dhe të drejtën, për shkak se ty të mungon çdo lloj konvencioni. Dejsi përfaqëson “klasën e qejfit”, gjë që do të thotë vetëm një gjë: gratë pritej të ishin ornamentale, por ato ishin gjithashtu shumë dyshuese për vulgaritetin e çdokujt që përpiqej shumë në jetë.


Dejsi nuk ka “një punë”, kjo është një gjë e vlefshme për ata si Xhej Getsbi. Ajo nuk është as e famshme dhe as aktore, në të vërtetë, në një variant të hershëm të romanit, Fitzgerald tregon se Dejsi ishte thellësisht e painteresuar për yjet mjerane të filmave. Në një pikë gjatë shkrimit të librit, Getsbi përpiqet të bindë Dejsin të përdorë të njëjtën parukere që përdorej edhe nga një aktore e famshme, duke i thënë asaj në mënyrë mbresëlënëse, se një gjë e tillë do ta bëjë Dejsin “origjina e një mode të re në të gjithë krahinën”. Dejsi përgjigjet: “A mendon se unë dëshiroj që ajo tipja të shkojë vërdallë me të njëjtën prerje flokësh si edhe unë? Ajo do të ma nxirrte nga qejfi.” Dejsi me kujdes mbron statusin e saj, por kjo është e vetmja përpjekje që bën dhe ajo do të tmerrohej në rast se do të krahasohej me Kardashianët.


Sensualitet sipërfaqësor


Ka gjithsesi dy personazhe në roman që e meritojnë këtë krahasim. E para është Myrtle Uilson, dashnorja e Tom Bukanan, e cila aspiron pozicionin e Dejsit në jetë. Myrtle është në mes të tridhjetave “dhe paksa e shëndoshë”, na thotë ne Fitzgerald. Ajo nuk është shumë e bukur, “por kishte një gjallëri menjëherë të dallueshme mbi të, a thua se nervat e trupit të saj ishin vazhdimisht në flakë.”


Myrtle vesh “një fustan të elaboruar mbrëmjeje me byrynxhyk ngjyrë kremi, i cili shkakton një fëshfërimë të vazhdueshme, ndërsa ajo ec nëpër dhomë”, dhe pastaj me mendjelehtësi hoqi dorë prej tij. “Është një gjë e vjetër e çmendur”, thotë ajo. “Unë thjesht rrëshqas brenda kësaj me raste, kur nuk ma ndien sesi do të dukem për të tjerët.”


Myrtle përpiqet shumë që të duket e pashqetësuar, por krisjet shfaqen vazhdimisht. Kur ajo jep një festë të vogël të ndyrë në apartamentin e saj, Myrtle bëhet “e prekur më dhunshëm çast pas çasti”, ndërsa ajo ecën me delikatesë, buzëqesh dhe rrudh vetullat në përpjekje për ta prezantuar veten si një grua me shije dhe e rafinuar, por vulgariteti i saj nuk mund të fshihet. Dhoma e ndenjjes e Myrtle, na thotë Fitzgerald, “ishte e mbingarkuar me dyer dhe me një set mobiliesh të tapiceruara tërësisht, tepër të mëdha në raport me dhomën dhe rrjedhimisht nëse lëvizje, rrezikoje vazhdimisht të rrëzoheshe në një skenë që ngjante me atë të zonjave që po shëtisnin nëpër kopshtet e Versajës”.


Ky shik i pretenduar i super të pasurve në vitin 1925 është njësoj si sot të kesh një divan të madh të veshur tërësisht me “Burberry”.


Fitzgerald tregon gjithashtu se çfarë lloj gruaje ishte Myrtle përmes asaj çfarë kjo lexonte, një revistë thashethemesh e quajtur “Thashethemet e qytetit” dhe një libri të shumëshitur gudulisës, i cili ishte ekuivalenti i kohës për atë që sot mund të jetë i shumëshituri “Pesëdhjetë Hijet e Greit”. Myrtle nuk ia del kurrë të arrijë pasurinë dhe pushtetin që kërkon dhe i tillë është edhe një Kardashian. Por sensualiteti, mungesa e shijes, opulenca, të qenët sipërfaqësorë, këto janë të gjitha cilësi të Myrtles, jo të Dejsit.


Jeta e lartë


Gjithsesi, Kardashiani i vërtetë te “Getsbi i madh” është Xhej Getsbi, njeriu që vjen nga asgjëkundi the e transformon veten përmes vullnetit në një njeri që çdokush dëshiron të dijë për të, dhe që mund të mos ketë asgjë të rëndësishme përveç faktit që është i pasur. Ai është në qendër të rrjetit të thashethemeve të romanit, ai që shikohet nga të gjithë dhe përflitet nga të gjithë. Ai fitoi një pasuri në një kohë të shkurtër dhe ishte i gatshëm të bënte gjithçka që nevojitej për t’ia dalë. Dejsi lë Xhej Getsbin në fund të romanit, kur ajo zbulon sesa vulgare është kultura e tij e yjeve në ngjitje, ajo përfundimisht dhe me vendosmëri refuzon botën e Kardashianëve, botën e spektakleve dhe pompozitetit, botën e zengjinëve të rinj dhe vetëpromovimit të vazhdueshëm.


Ironia historike, natyrisht, është se thelbi i romanit është dallimi mes dy botëve, ajo e parave të reja të Xhej Getsbit dhe ajo e parave të trashëguara pa mundim të Dejsi Bukanan. Në përpjekje për të vendosur një urë mes dy botëve, Getsbi shkatërrohet. Në adaptimin në film në vitin 1974, ku luan Robert Redford, Dejsi i thotë Getsbit: “Vajzat e pasura nuk martohen me djem të varfër.” Është një fjali e vendosur në film dhe nuk gjendet në libër për arsye se Xhej Getsbi është i pasur në kohën kur Dejsi e thotë këtë. Ai nuk është i varfër dhe kjo nuk është arsyeja se pse Dejsi e refuzon atë. Problemi nuk është paraja, por klasa: kjo është ajo çfarë Getsbi nuk mund ta blejë.


“Getsbi i Madh” është pjesërisht një roman mbi rritjen e kulturës së të famshmëve, mbi besimin bosh të kënaqësive hedonike dhe luksit material, dëshirës sonë për të ashtuquajturën “jetë e lartë”. Dhe triumfi i Kardashianëve është pikërisht një masë sesa i saktë ishte Fitzgerald në parashikimin e epokës që po vinte. Epoka e Kardashianëve është një epokë ku Xhej Getsbi mbijeton dhe lulëzon, ndërsa Dejsi Bukanan vyshket dhe zhduket, një ide e shkatërruar nga vetë kultura që ajo urren.


Diciturat


 


1. Getsbi i mistershëm, i luajtur nga Leonardo di Caprio, përfaqëson pasunarët e rinj dhe ai nuk lejon që morali ta ndalojë të fitojë më shumë para


 


2. Bukuroshja nga jugu, Dejsi Bukanan (luajtur nga Carey Mulligan), vjen nga bota e mbyllur e pasunarëve të vjetër dhe përfaqëson “klasat e qejfit”


 


3. Bashkëshorti i Dejsit është milioneri Tom Bukanan (luajtur nga Joel Edgerton). Ata jetojnë përballë Getsbit, duke simbolizuar konfliktin mes pasunarëve të vjetër dhe pasunarëve të rinj


 


4. Dashnorja e Tomit, Myrtle Wilson (Isla Fisher), posedon “sensualitet, mungesë shijeje dhe vrazhdësi” në kontrast me Dejsin nga shtresa e lartë


 


5. Trekëndëshi i dashurisë mes Dejsit, Getsbit dhe Tomit në zemër të romanit “Getsbi i Madh”, mishëron tensionin klasor


 


Mbi librin


Getsbi i Madh, F. Scott Fitzgerald (1925)


Protagonisti i këtij romani, Xhei Getsbi, në të vërtetë quhet Xhejms Gec. Në pamje të parë ai është një i pasur i ngeshëm, që jeton jashtë Nju Jorkut, buzë ngushticës së Long Islandit, në një vilë madhështore ku jep pritje të jashtëzakonshme.


Rreth këtij personazhi shkëlqimplotë dhe shumë të pasur qarkullojnë mjaft fjalë: askush nuk e di nga vjen dhe si e ka vënë pasurinë. Vihet re që është një njeri klasi, që njeh zakonet e shoqërisë së lartë. Rreth tij mbretëron një frymë madhështie aristokratike dhe personaliteti i tij u bën përshtypje të gjithëve që e takojnë. I tillë është rasti i Nik Kerriuejit, fqinj i Getsbit misterioz, të cilin Fitzgerald-i e ka bërë tregimtarin e historisë.


Niku është një djalosh me prejardhje nga Perëndimi i Mesëm. I dalë nga një familje e varfër, që përpiqet të vërë pasurinë si ndërmjetës në bursë në Nju Jork. Getsbi i beson pak nga pak djaloshit të fshehtat e jetës së tij: ashtu si Niku, edhe ai vjen nga provinca; një rastësi fatlume e përfshiu në botën e të pasurve dhe mësoi shumë shpejt të sillej si të kishte qenë gjithmonë pjesë e tyre.


Më pas fitoi shumë para në punë të dyshimta, por me të vetmin qëllim: të fitonte një grua, Dejsin, së cilës dikur i ishte sjellë më kot vërdallë, sepse ai ishte i varfër dhe ajo rridhte nga një familje e pasur. Por ndodhi që Dejsi është kushërirë e largët e Nikut dhe se banon me të shoqin, Tom Bukananin.


Getsbi e ka blerë vetëm për të vilën në Long Island, për Dejsin ai organizon mbrëmje madhështore; ai shpreson ta fitojë në këtë mënyrë. Niku organizon një takim të Getsbit me Dejsin. Getsbi fiton tërë ato shpresa. Por mendjelehta Dejsi, një bibë e re ngrehaluce dhe e llastuar, tipike e mjedisit të saj, merr flakë me mëtuesin e saj të vjetër, por i shoqi, Tomi, arrin ta demaskojë Getsbin si një afarist batakçi. Dejsi, pas shumë intrigash dhe skenash mbresëlënëse, shkakton një aksident vdekjeprurës duke ngarë automobilin e Xhejit, aksident për të cilin heroi do të mbahet përgjegjës dhe për të cilin do të vritet nga i shoqi i viktimës.


“Getsbi i Madh” është një libër i mrekullueshëm, për të ilustruar një proverb të vjetër: “Paraja nuk është lumturi”. “Fitzgerald-i zotëron një nga cilësitë më të rralla në letërsi: hijeshinë.” Raimond Shandler: Po bëhen vite që një botim i ri të më ketë tërhequr dhe tronditur si romani juaj. T.S.Eliot (nga një letër që i dërgon Fitzgerald-it): Çfarë është ëndrra amerikane? Ëndrra amerikane është shprehja e bindjes se pavarësisht se cilit grup social apo ekonomik i përket dikush, ai apo ajo ka mundësinë të arrijnë majat e pasurisë dhe lumturisë nëpërmjet talentit dhe iniciativës personale. Sigurisht, pasuritë dhe fama e madhe nuk përkthehen gjithnjë në lumturi, po kjo është pjesa e dytë e kësaj ëndrre.


Francis Scott Fitzgerald shkroi gjithçka për këtë aspekt të ëndrrës amerikane në novelën e tij më të mirënjohur, “Getsbi i madh”. Publikuar më 10 prill, 85 vjet më parë, novela flet për materializmin dhe dekadencën, shpresat dhe zhgënjimet. “Getsbi i madh” nuk ishte shumë popullor në fillimet e veta, ku shitjet ishin vetëm rreth 25 000 për 15 vjet. Por kur libri u ribotua në vitet 1945 dhe 1953, një audiencë e re lexuesish e kthen atë në bestseller. Tashmë ky libër konsiderohet si një nga novelat më të mira të literaturës në gjuhën angleze të shekullit të 20.