Ambasadori i Spanjës në Londër është thirrur sot nga Ministria e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar për t’iu dorëzuar një protestë për shkak të ndërhyrjeve të spanjollëve në ujërat territoriale të Gjibralltarit, njofton BBC. Ministri i Britanisë për Europën njoftoi se së fundmi ka patur dy incidente “serioze”.
David Lidington tha se një anije spanjolle pati patrulluar ujërat e Gjibralltarit ndërsa dogana spanjolle pati tentuar të ndalonte varka civile.
Ai e paralajmëroi Spanjën “të ndalonte inkursionet” në ujërat e Gjibralltarit. Spanja e ka refuzuar të njohë sovranitetin e Gjibralltarit, një territor Britanik i përtejdetit në cepin jugor të gadishullit iberik.
Britania thotë se një anije ushtarake spanjolle ka kryer një patrullim disa orësh nëpër ujërat që konsiderohet se i përkasin Gjibralltarit britanik. Po në të njëjtën ditë, një anije e doganave spanjolle u përpoq të ndalonte në varkë civile brenda ujërave të të Gjibralltarit. Policia Mbretërore e Gjibralltarit “u detyrua të ndërojë për të mbrojtur mirëqënien e katër personave në varkë,” tha Britania.
Muajin e kaluar Britania dorëzoi një ankesë tjetër në Madrit ku thuhej se po haseshin probleme të “papranueshme” me autoritetet spanjolle në kufinjtë e Gjibralltarit, gjë që ka krijuar vonesa në përpunimin e njerëzve deri në gjashtë orë.
Lidington tha: “Unë i dënoj këto inkursione provokatve dhe i kërkoj qeverisë spanjolle që ato të mos përsëriten”. Ai paralajmëroi se incidente të tilla dëmtojnë “perspektivën e zhvillimit të një marrëdhënieje bashkëpunimi mes Gjibralltarit dhe Spanjës.”
Territori i Gjibralltarit ka 6.8 kilometra katrore dhe nuk ka qenë pjesë e Spanjës që nga viti 1704. Aty banojnë 30 mijë vetë dhe me mijëra spanjollë e përdorin këtë zonë për të bërë blerje pa taksa.