Buka është një nga ushqimet më të pranishme në tryezën tonë të përditshme, por zgjedhja mes dhjetëra llojeve që ofron tregu shpesh krijon konfuzion. E bardhë, integrale, me fara, thekre apo misri, pyetja që lind natyrshëm është: cila bukë është vërtet e duhura për shëndetin tonë?

Një nga alternativat që rekomandohet gjithnjë e më shumë nga nutricionistët është buka e zezë. Por pse konsiderohet ajo një zgjedhje më e mirë krahasuar me bukën e bardhë?

Buka e zezë është e pasur me fibra, të cilat ndihmojnë në përmirësimin e tretjes dhe mbajnë ndjesinë e ngopjes për më gjatë.

Ajo përmban gjithashtu vitamina të rëndësishme si B6 dhe E, si dhe minerale thelbësore për organizmin, përfshirë magnezin, hekurin, zinkun dhe acidin folik.

Një tjetër përfitim i rëndësishëm është ndikimi pozitiv te personat që vuajnë nga diabeti i tipit 2, pasi buka e zezë ndihmon në stabilizimin e nivelit të sheqerit në gjak. Po ashtu, ajo është një aleate e mirë kundër kapsllëkut dhe problemeve të tjera të tretjes.

Për ata që ndjekin një dietë të balancuar ose synojnë të humbin peshë, buka e zezë konsiderohet një zgjedhje ideale, pasi ka indeks glicemik më të ulët dhe kontribuon në kontrollin e oreksit.