te denuarit ne arabine sauditeDy aktivistë të të drejtave të njeriut në Arabinë Saudite u dënuan me afate të gjata burgimi, të akuzuar se kanë krijuar një organizatë ilegale dhe janë rebeluar kundër autoritetit të mbretit.


Mohammed al-Qahtani u dënua me dhjetë vjet burg, ndërsa Mohammed al-Hamid, i cili ishte dënuar më parë me 6 vjet, mori një shtesë dënimi me pesë vjet të tjera.


Gjykata shpalli të jashtëligjshme edhe organizatën e tyre, Shoqata Saudite për të Drejta Civile dhe Politike. Të dënuarit kanë mundësi të apelojnë muajin e ardhshëm.


Korrespondentët thonë se gjyqi është zhvilluar në mënyrë surprizë me transparencë në kryeqytetin Riad, ku mbështetësit e aktivistëve u lejuan të marrin pjesë në procedim.


Por, në fund, oficerët e sigurisë përzunë aktivistët nga salla e gjyqit, pasi ata i denoncuan dënimet si të motivuara politikisht. Shoqata e dy aktivistëve pati bërë thirrje për më shumë demokraci dhe pati dokumentuar akuza për abuzime me të drejtat e njeriut në vend. Mbretëria e Arabisë Saudite është ultrakonservatore dhe nuk lejon protesta politike. Të dënuarit u akuzuan se kanë “përhapur informacione të rreme” përmes medias shoqërore.


Pas një seance shtatorin e kaluar, Qahtani tha: “Ne e kemi bërë këtë punë për shumë vite. Autoritetet kanë qëndruar të qeta për një kohë të gjatë, por tani na janë vënë pas ashpër. Ne nuk do të heshtim, do të vijojmë të bëjmë punën tonë.”