Fotoja e profilit është shpesh imazhi i parë që të tjerët shohin në një rrjet social. Disa zgjedhin një selfie perfekte, disa vendosin një foto me shoqërinë, ndërsa të tjerë preferojnë një pamje nga pushimet, një kafshë apo edhe një foto pa fytyrë. Zgjedhja mund të tregojë diçka për mënyrën se si duam të paraqitemi.
Ata që vendosin një selfie zakonisht duan që profili të jetë personal dhe i drejtpërdrejtë. Nëse fotoja është e kuruar deri në detaj, personi mund t’i kushtojë më shumë rëndësi pamjes dhe mënyrës si perceptohet nga të tjerët. Ata që zgjedhin një foto me shoqërinë mund të jenë persona socialë dhe të lidhur me rrethin e tyre. Për ta, njerëzit pranë tyre janë pjesë e rëndësishme e mënyrës se si prezantohen.
Një foto nga udhëtimet mund të tregojë një person që dëshiron të ndajë eksperiencat dhe aventurat e tij. Ndërsa fotoja me një kafshë shpesh krijon një përshtypje më të ngrohtë dhe miqësore. Pastaj janë ata që vendosin një foto serioze, bardhë e zi ose me pak ngjyra. Kjo zgjedhje mund të japë një pamje më elegante, misterioze ose artistike.
Disa preferojnë të mos tregojnë fare fytyrën dhe vendosin një peizazh, personazh apo simbol. Kjo mund të nënkuptojë thjesht dëshirën për privatësi. Fotoja e profilit nuk është një test personaliteti. Ajo tregon kryesisht imazhin që një person dëshiron t’u përcjellë të tjerëve në atë moment.
