Përdorimi i ChatGPT në vend të një konsulte me psikologun apo psikiatrin nga individët që kanë probleme shëndetin mendor po bëhet gjithnjë e më i zakonshëm.

Fenomeni pranohet nga mjekët psikiatër të qendrave komunitare të shëndetit mendor, të cilët na tregojnë avantazhet dhe disavantazhet e tij.

“Nëse një person që është me ankth, që pyet se aktualisht vuan nga ankthi dhe çfarë nuk duhet të përdorë, Inteligjenca Artificiale i rreshton një sërë faktorësh të cilët dëmtojnë shëndetin mendor dhe mund të shkaktojnë problematika të ankthit. Kjo është një gjë e mirë. Por, ndërkohë, kur ata kërkojnë ndihmë për t’u mjekuar, këtu është problemi më i madh. Nuk mundet të caktojë dot dozat Inteligjenca Artificiale. Nuk mund t’i përshtasë sipas shkallës së rëndesës së sëmundjes, sipas peshës trupore që ka një person apo dëmtimit psikologjik që i ka dhënë kjo sëmundje,” thotë Valentina Asabella, psikiatre e Qendrës Komunitare të Shëndetit Mendor nr. 3.

Një studim i revistës “Harvard Business Review” tregon se shkaku pse njerëzit me çrregullime të ankthit dhe humorit kërkojnë më shumë mbështetje terapeutike nga Inteligjenca Artificiale është rezultat i shpejtësisë së këshillave, mungesës së gjykimit dhe ruajtjes së privatësisë.

 “Megjithatë nuk mund ta zëvendësojë asnjëherë mjekun, sepse nëse ju do të vendosnit gjithë shenjat klinike apo ankesat që keni tek ChatGPT, ajo nuk është mjek që të arrijë të diagnostikojë. Një keqdiagnostikim do të bëjë dhe një keqmjekim,” thekson psikiatrja.

Në disa raste pacientët e kanë braktisur mjekimin për shkak të informacionit që ka gjeneruar Inteligjenca Artificiale mbi varësinë e medikamenteve të shëndetit mendor. Kjo e ka futur gjendjen e tyre shëndetësore në një rrugë pa kthim dhe me rreziqe të forta.