Këpucët e larta, me shuall të kuq, i bëjnë të gjitha femrat të ëndërrojnë. Christian Louboutin i adhuron gratë dhe, ashtu siç thotë ai, lufton për to. Sigurisht duke krijuar këpucë të bukura


Këpucët e larta, me shuall të kuq, i bëjnë të gjitha femrat të ëndërrojnë. Christian Louboutin i adhuron gratë dhe, ashtu siç thotë ai, lufton për to. Sigurisht, duke krijuar këpucë të bukura. Christina Aguilera thotë se adhuron t’i koleksionojë për të pasur mundësi t’i zgjedhë dhe ka më shumë se 300 palë. Blake Lively, thotë se i fsheh çdo ditë poshtë jastëkut se mos dikujt i vjen në mendja ideja për t’i vjedhur. Dita Von Teese, mbretëresha e burlesque, i mban veshur teksa zhvishet, ndërsa Anne Sinclair ish-gruaja e Dominique Strauss-Kahn-it nuk hoqi dorë prej tyre, edhe kur ishte në gjykatën e Nju Jorkut. Prej 20 vjetësh, këpucët Christian Louboutin joshin, eksitojnë, ngushëllojnë, sigurojnë. Të njohura botërisht, falë shuallit të tyre të kuq, modelet e krijuesit francez, i lindur 48 vjet më parë në Paris mbahen veshur nga gratë më të bukura dhe më të pushtetshme në botë (nga Nicole Kidman tek Angelina Jolie, Uma Thurman dhe Scarlett Johansson) dhe sfilojnë në pasarelat e emrave të mëdhenj të fushës së modës, si Jean-Paul Gaultier, Givenchy apo Lanvin. Madje edhe Yves Saint Laurent i kishte zgjedhur për lamtumirën e tij në vitin 2002. Për të kurorëzuar 20 vite sukses nuk mund të mos përmendim dy ngjarje të rëndësishme: një ekspozitë e rëndësishme në Design Museum të Londrës dhe një linjë produktesh kozmetike në bashkëpunim me Batallure Beauty, që pritet të dalë në fillim të vitit tjetër. Në zyrën e tij ka plot kujtime, që prej vitit 1992, kur e hapi. Je me fat nëse takon Louboutin.


 


Tetë muaj për një takim. Jeni gjithmonë kaq i zënë?


Më vjen keq, por thuajse gjithmonë jam në udhëtim. Në javët e ardhshme do të jem në Kinë, në Angli, në Turqi dhe pastaj në Portugali.


Gjithmonë për punë?


Puna është jeta ime, që kur isha 17 vjeç, dhe pasi braktisa studimet isha entuziast për “Folies Bergère”, kabaretin e famshëm parisien. Aty gratë ishin të mrekullueshme dhe me plot feminilitet.


Çfarë ju shtyu të dizajnonit këpucë?


Gjithçka lindi nga një shënim, përpara të cilit kaloja çdo fundjavë, kur shkoja në muzeun e Oqeanografisë, dy hapa larg apartamentit ku jetoja me prindërit dhe tre motrat e mia. Aty ndalohej që gratë të vishnin këpucë me taka, për të mos prishur parketin e ndërtesës antike. Kjo ndryshoi jetën time.


Vërtet? Po si?


Më bëri të kuptoj se gjithçka nis me një vizatim. Me laps të zi dhe një tjetër me ngjyrë: jeta e përditshme që na rrethon ka lindur kështu. Nga pasionet dhe gjërat që duam. E kuptova menjëherë se duhet të isha pjesë e procesit të krijimit.


Pra, mijëra gra që veshin këpucët e tua, duhet të falënderojnë atë tabelën në muze?


Mund të themi edhe kështu. Por në krijimet e mia edhe kinemaja ka ndikuar shumë. Diva të tilla, si: Marilyn Monroe, Fanny Ardant apo Sophia Loren më kanë dhënë shumë frymëzim.


Jo më kot yjet janë të gjithë të çmendur pas krijimeve tuaja?


Edhe unë pas atyre. Më pëlqejnë aktoret, kanë dhuntinë që të interpretojnë dhe të mishërojnë lloje të ndryshme grash. Për më tepër, gratë janë burimi im më i madh i frymëzimit. Jam rritur me tre motra në shtëpi: e njoh shumë mirë botën e femrave. E kam mbrojtur, edhe kur kufizohej liria e tyre.


Për shembull?


Në vitet 70-të në Francë, gratë që trukoheshin dhe mbanin taka të larta konsideroheshin borgjeze, budallaqe dhe sipërfaqësore. Nuk e kam pranuar kurrë këtë vizion, gjithmonë kam menduar se gratë mund të ishin të pavarura, inteligjente dhe të pushtetshme, edhe duke veshur taka. Sot duket normale, dikur nuk ishte kështu. Këngëtarët kanë ndikuar shumë në ndryshimin e këtij zakoni.


 


Kush në veçanti?


Tina Turner, Blondie dhe mbi të gjitha Madonna, që e kam takuar shumë herë, pasi është një nga klientet e mia.


 


Karakteristika e përbashkët e gjithë krijimeve tuaja është se të gjitha këpucët apo sandalet e kanë shuallin e kuq. Si ju erdhi kjo ide?


Çdo dizajn dëshiron që objekti i realizuar të jetë sa më besnik ndaj krijimit origjinal. Kur në vitin 1992, krijova koleksionin tim të parë, të frymëzuar nga arti dhe me shumë ngjyra, isha shumë krenar për modelin e njohur me emrin “Pensée”. Taka ishte shumë e bukur, kishte një lule tek rripi, por kishte diçka që nuk shkonte.


Çfarë?


Shualli i zi “shuante” efektin e tyre pop. Papritur më erdhi një ide: një nga bashkëpunëtoret e mia po lyente gishtat me manikyr, i mora furçën dhe nisa të lyeja shuallin me të kuqe. Aty e kuptova se kjo ishte ajo që duhej bërë.


Një tjetër risi është edhe hyrja juaj në botën e modës. Çfarë mund të na tregosh?


Po e ruaj sa më shumë mundem sekretin. Mund t’ju them vetëm se, për një si unë, të punosh mbi produktet e bukurisë është një evolucion natyral: më lejon t’u jap akoma më shumë pushtet grave.