Shërbimi sekret amerikan e kishte paguar 250 mijë USD një spiun danez që ta martonte dhe më pas ta eliminonte

Anwar al Awlaki
Një spiun danez pohon se ka ndihmuar CIA që të eliminonte një eksponent të lartë të Al Kaeda në Jemen. 36 vjeçari Morten Storm, me një të kaluar të errët dhe më pas i konvertuar në mysliman, pohon se ka kontribuar për eliminimin e terroristit në shtator 2011. Morten Storm kishte arritur të bashkohej me islamikët radikalë, ku kishte krijuar njohje edhe me terroristin Anwar al Awlaki. Më pas, në vitin 2006, i zhgënjyer prej tyre, ai iu bashkua shërbimit sekret danez, PET.
Në këtë moment hyn në lojë CIA, e cila nisi ta shfrytëzojë për lokalizimin dhe eliminimin e tij, për t’i dhënë një goditje të fortë celulës së Al Kaedas në Jemen dhe në gjithë Gadishullin Arabik.
Storm thotë kur nisi të kryente rolin e të infiltruarit të CIA-s brenda Al Kaedas krijoi shumë afrimitet me terroristin. Një ditë al Awlaki i kërkoi t’i gjente një grua, e cila sipas tij duhet të ishte europiane dhe mundësisht bionde.
Në këtë moment shërbimi sekret amerikan i ofron 250 mijë dollarë shpërblim danezit në mënyrë që të arrinte të rekrutonte një grua që plotësonte kriteret e kërkuara nga terroristi në mënyrë që pas martesës me al Awlaki ta vrite atë.
Kështu që hyri në lojë Aminah, një 23-vjeçare kroate e konvertuar në islam. Storm bashkë me instruksionet përkatëse, vendos në valixhen e bagazheve të 23 vjeçares edhe një pajisje e sofistikuar elektronike që do të shërbente si lokalizator për vendndodhjen e al Awlakit, por jo gjithçka shkoi sipas planit, pasi njerëzit e Al Kaedas nuk e lejuan bashkëshorten e ardhshme të terroristit të merrte me vete bagazhet, duke bërë që CIA të humbte gjurmët e saj.
Anwar al Awlaki mbeti i vrarë vetëm rreth një vit më vonë, gjatë një sulmi me avionë pa pilot.
Me gjithë skenarin interesant të rrëfyer nga spiuni danez, burime zyrtare e përgënjeshtrojnë rrëfimin e tij, duke e konsideruar në mos të gjithin, pjesën më të madhe të tij të trilluar.
17 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)