Dashuria mund të jetë e verbër, por duket se nuk është aq e fortë sa mendohej kur bëhet fjalë për diferencën në moshë. Një studim i fundit po hedh dritë mbi një faktor që shumë çifte e injorojnë, dhe që mund të përcaktojë fatin e marrëdhënies së tyre.
Lidhjet me diferencë të madhe moshe kanë qenë gjithmonë në qendër të vëmendjes dhe debatit publik.
Mjafton të kujtojmë historitë e njohura si ajo e Leonardo DiCaprio, i cili shpesh përflitet për preferencat e tij në partneret më të reja, apo Robert De Niro, që u bë baba në moshën 79-vjeçare me partneren e tij shumë më të re.
Po ashtu, marrëdhënia e Emmanuel Macron me bashkëshorten e tij më të madhe në moshë vazhdon të ngjallë diskutime në mbarë botën.
Vetë Macron ka reaguar ndaj këtij obsesioni, duke theksuar se nëse rolet do të ishin të kundërta, askush nuk do ta vinte në dyshim lidhjen e tyre.
Por përtej opinionit publik, shkenca duket se ka një tjetër version të së vërtetës.
Një studim i kryer nga Emory University ka analizuar të dhënat e rreth 3,000 personave dhe ka zbuluar një prirje që mund të konsiderohet alarmante: sa më e madhe diferenca në moshë, aq më i lartë rreziku i ndarjes.
Sipas të dhënave:
-Çiftet me 5 vite diferencë kanë 18% më shumë gjasa të divorcohen
-Me 10 vite diferencë, rreziku rritet në 39%
-Me 20 vite diferencë, shkon në 95%
-Ndërsa me 30 vite diferencë, gjasat e ndarjes janë 172% më të larta
Dhe këtu vjen pjesa më surprizuese: diferenca “ideale” në moshë nuk është aspak ajo që mendohet zakonisht. Studiuesit sugjerojnë se vetëm një vit diferencë është më “i sigurt”, me vetëm 3% mundësi ndarjeje.
Megjithatë, edhe vetë ekspertët paralajmërojnë se kjo nuk është një formulë absolute.
Sipas studiuesit Hugo Mialon, mund të ketë faktorë të tjerë që ndikojnë në këto rezultate.
Një tjetër detaj interesant? Koha duket se është aleati më i madh i dashurisë. Çiftet që qëndrojnë bashkë për më shumë vite kanë shumë më pak gjasa të ndahen, me një ulje deri në 76% pas pesë vitesh lidhje.
Pra, a është diferenca në moshë një “rrezik i fshehur” për dashurinë, apo thjesht një rastësi statistikore? Përgjigjja mund të mos jetë aq e thjeshtë sa duket…

