I krahasojnë gjithnjë bashkë, por një burim brenda pallatit mbretëror pohon se dy gratë nuk ngjajnë aspak me njëra-tjetrën. Ndryshimi i parë fillon që te burrat


Të gjitha mediat vazhdojnë të bëjnë krahasime mes Catherine, princeshës së stilit, dhe shumë të adhuruarës Diana, mbretëreshë në zemrat e gjithë njerëzve anembanë botës. “Prej kohësh monarkia nuk shihte praninë e një gruaje që të tërhiqte vëmendjen e njerëzve siç bënte Diana”, thotë një vrojtues mbretëror, i cili jeton prej vitesh në pallatin mbretëror, aq sa shpeshherë është parë si në shoqërinë e Dianës, ashtu edhe të Sarah Ferguson, ish-gruas së princit Andrea.


“Kate ka bërë shumë mirë që ka mësuar nga gabimet e një gruaje pa përvojë si Diana dhe t’i përdorte në favorin e saj strategjitë e mësuara gjatë gjithë viteve të fejesës, që deri tani numërohen dhjetë, përfshi ato zyrtare dhe jo”. Është e vështirë ta krahasosh personalitetin e brishtë të nënës së William, e cila ishte vetëm 18 vjeçe kur u përball me ngjarjet, familjen mbretërore dhe një bashkëshort që gjithmonë e ka bërë të ndihet si në gjemba, me atë të dukeshës së Krembrixhit. Po ashtu nuk duhet të lëmë pa përmendur faktin se, që nga shpallja e fejesës, Dianës i është dashur të përballet edhe me një grua tjetër (Kamila), ndërkohë që William është treguar gjithnjë i kujdesshëm ndaj dëshirave të bashkëshortes së tij dhe mbi të gjitha është i dashuruar me të shoqen.


“Të gjitha këto bëjnë që dy figurat të mos vihen në të njëjtin plan. Po ashtu, një dallim tjetër mes të dyjave është edhe arsimimi: Diana kishte vetëm një diplomë si edukatore kopshti, ndërsa Kate është diplomuar me rezultatet maksimale në Universitetin prestigjioz ‘St Andrew’s’ në Skoci, ku mendohet se e ëma e ka regjistruar pikërisht me mendimin që të gjente princin e kaltër”, shton eksperti. Natyrisht që mes dy princeshave ka ngjashmëri estetike, sidomos nëse merret në analizë Diana e kohëve të fundit, e cila ishte shumë më e kujdesshme ndaj modës, më elegante, e rafinuar dhe me klas; më e dobët dhe më pak e ngathët se 20-vjeçarja që vallëzonte me fustan mbrëmjeje në Shtëpinë e Bardhë. Por ngjashmëritë marrin fund aty.


“Kate ka përfituar shumë nga dalja e saj nëpër revistat e ndryshme të të gjithë botës. Ka qenë gjithmonë në avantazh për shkak të moshës, zgjuarsisë dhe dinakërisë: reputacioni i saj u rrit edhe më shumë kur u fotografua teksa bënte pazar brenda një qendre të madhe tregtare me çmime të ulëta. Diana na dha një dekadë të mrekullueshme dhe një divorc para se mediat ta tjetërsonin sipas dëshirës. Kate që kur u fut për të parë brenda një familjeje problematike si ajo mbretërore, tregoi se ishte një grua e vendosur dhe e sigurt në vetvete. Madje guxoi t’i jepte një ultimatum mbretit të ardhshëm të Anglisë, kur ai dukej i pasigurt, ndërsa flitej për martesë… Kate e dinte se nuk do ta humbiste. Ajo ishte e sigurt, prandaj guxoi të hidhte një hap të tillë”, thotë vrojtuesi mbretëror.


Në ç’gjë tjetër ndryshojnë? Natyrisht që te bashkëshortët e zgjedhur. Diana, edhe pse e dashuruar thellësisht me Karlin, nuk arriti kurrë të merrte po aq dashuri sa jepte, ndërsa “martesa e shekullit” që të gjithë e ndoqën dhe e admiruan me krenari u zbulua menjëherë se ishte një farsë: një mashtrim i familjes mbretërore për të fituar pjesën e tregut, thonë ekspertët e marketingut. “Pavarësisht çdo gjëje që thuhet, të gjithë po e shohin realisht dashurinë e këtij çifti të ri”, thotë eksperti, i cili nuk ngurron të kujtojë që në këtë mes ka edhe shumë interesa: “Princit William i pëlqen gjithmonë të jetë i shoqëruar nga një grua që nuk ka teka, e cila është gjithnjë në lartësinë e duhur dhe mbi të gjitha që shkon me familjen dhe çon në arkën e shtetit më shumë se 2 milionë sterlina. Po ashtu as Catherine nuk mund të shpresonte një vend më të mirë. Tani i nevojitet vetëm që të sjellë në jetë një trashëgimtar për fronin, mundësisht mashkull, edhe pse kohët kanë ndryshuar dhe nuk është më domosdoshmëri një djalë, sepse siç thonë ata në këto raste, vajza është në një fuçi hekuri”.


Gjithsesi, një çift modern na ka mësuar që, edhe duke marrë parasysh gabimet e princeshës Diana, dashuria vjen e para. Por edhe në qoftë se në mes futet interesi, nuk prish ndonjë punë.