Italianët e quajnë “dolce far niente”, “mosveprimi i ëmbël” dhe sipas ekspertëve, është një nga dhuratat më të mëdha që mund t’i bëjmë trupit dhe mendjes sonë.
Në një shoqëri ku të qenit gjithmonë i zënë shihet si sukses, ideja e të mos bërit asgjë shpesh keqkuptohet si përtaci. Por realiteti është krejt ndryshe.
Shumë njerëz ndihen në siklet kur thonë se fundjavën nuk kanë plane. Megjithatë, sipas Julie Leonard, themeluese e Klubit të Lumturisë, trupi i njeriut nuk është i ndërtuar për të funksionuar pa pushim, as fizikisht dhe as mendërisht.
Vetëm gjumi nuk mjafton për të rikuperuar ngarkesën e përditshme që sjell puna, stresi, lajmet e këqija dhe ritmi i shpejtë i jetës moderne.
Ekspertët theksojnë se koha kur “nuk bëjmë asgjë” është thelbësore për shëndetin mendor. Gjatë këtyre momenteve, truri përpunon në mënyrë të pavetëdijshme ngjarjet e ditës, organizon emocionet dhe ndihmon në uljen e stresit.
Nuk është përtaci, është një domosdoshmëri
-shprehet Leonard.
Psikologia Jade Thomas nga Luxe Psychology Practice shton se pushimi i vërtetë rrit kreativitetin dhe ndihmon në parandalimin e lodhjes kronike nga puna, një problem që po prek gjithnjë e më shumë njerëz në mbarë botën.
Sipas saj, pa vendosur kufij të qartë, rrezikojmë të jetojmë vazhdimisht të lodhur dhe emocionalisht të shteruar.
Mesazhi është i qartë: pushimi nuk është humbje kohe, por kujdes për veten. Lënia mënjanë e telefonit, kompjuterit dhe angazhimeve të panevojshme, qoftë edhe për pak kohë, mund të bëhet një ritual i shëndetshëm i përditshëm.
Madje, ekspertët sugjerojnë që pushimin ta planifikojmë po aq seriozisht sa çdo takim tjetër. Në fund, “dolce far niente” nuk është luks, është çelësi për një jetë më të balancuar, më të qetë dhe më cilësore.
