Shpenzimet për Krishtlindje dhe Vitin e Ri në Bashkimin Europian po rriten ndjeshëm, të nxitura nga rritja e çmimeve për shkak të inflacionit dhe nga rregullat më të rrepta për sigurinë e lodrave. Gjermania pritet të jetë shpenzuesja më e madhe në BE gjatë sezonit festiv, sipas të dhënave të platformës Statista.

Në vitin 2025, shpenzimet për blerjet me pakicë gjatë periudhës së Krishtlindjes në Gjermani parashikohen të arrijnë rreth 85.24 miliardë euro. Pas saj renditet Franca me rreth 71.65 miliardë euro, ndërsa Italia me mbi 43 miliardë euro.

Në shkallë më të gjerë europiane, Mbretëria e Bashkuar kryeson listën, me një rritje të pritshme 3.5% krahasuar me vitin 2024, sipas një sondazhi të PwC, edhe pse sezoni i blerjeve festive nisi më ngadalë këtë vit.

Megjithatë, dhuratat këtë vit pritet të jenë më të shtrenjta. Sipas Eurostat-it, inflacioni vjetor në Eurozonë u vlerësua në 2.2% në nëntor 2025, nga 2.1% një muaj më parë.

Shpenzimet e festave pritet të pasqyrojnë një qasje më të kujdesshme, të karakterizuar nga ndjeshmëria ndaj çmimeve dhe preferenca për kënaqësi të përballueshme, theksoi Mastercard Economics Institute në parashikimin e tij më të fundit.

Cilat janë dhuratat më të preferuara në BE?

Sipas institutit, bukuria, moda dhe elektronika janë kategoritë më të kërkuara të dhuratave këtë sezon. Në tremujorin e fundit 2024, çekët shpenzuan më shumë për kozmetikë, ndërsa polakët preferuan bizhuteri dhe orë. Spanjollët investuan më shumë në produkte të përdorura, ndërsa italianët në pajisje shtëpiake. Çekët kryesojnë gjithashtu shpenzimet për lojëra dhe lodra.

Vitit e kaluar, kozmetika dhe lodrat ishin produktet më të raportuara për probleme sigurie në BE, me përbërës kimikë si shkakun kryesor të rrezikut në pothuajse gjysmën e rasteve. Shoqata Toy Industries of Europe gjeti se 96% e lodrave të analizuara në platformat online nuk përmbushnin standardet e sigurisë së BE-së, ndërsa 86% paraqisnin rreziqe serioze.

Në tetor, Këshilli Europian miratoi rregulla të reja për sigurinë e lodrave, duke futur pasaportën dixhitale për gjurmim më të mirë të produkteve dhe duke ndaluar substancat kimike të dëmshme për fëmijët.