Një natë e mrekullueshme nën dritën e shkëlqimit dhe hijeshisë, ku u nderuan kineastët më të shquar që i falën publikut filmat më të arrirë të vitit 2013



Në një triumf të parashikuar, 12 Years a Slave u shpall fitues si filmi më i mirë në ceremoninë e Çmimeve Oskar 2014, që u zhvillua të dielën mbrëma. Kjo ishte hera e parë që Hollivudi i dha çmimin më të lartë një regjisori me ngjyrë.


“Do të doja të shprehja mirënjohje për këtë histori të mrekullueshme”, tha Steve McQueen, një regjisor i lindur në Britani, u cili mori çmimin që kanë ëndërruar të gjithë regjisorët afrikano-amerikanë që prej zanafillës së dhënies së Çmimeve Oskar në vitin 1929.


“Çdo njeri meriton jo të mbijetojë, por të jetojë”, u shpreh McQueen, i cili ia dedikoi filmin të gjithë atyre që kanë vuajtur skllavërinë, si në të shkuarën, ashtu edhe në të tashmen.


Çmimi për regjisorin më të mirë shkoi për Alfonso Cuaron për filmin Gravity, një histori mbijetese në hapësirë, që konkurroi me filmin e McQueen dhe me American Hustle të David O. Russell. Filmi 12 Years a Slave fitoi vetëm tre çmime, përfshirë këtu çmimin për aktoren më të mirë joprotagoniste dhe për skenarin më të mirë të përshtatur, ndërkohë që Gravity fitoi shtatë statuja të arta, më shumë se çdo film tjetër.


Diversiteti ishte një lajtmotiv i ceremonisë që u prezantua nga Ellen DeGeneres. Si aktori më i mirë joprotagonist u nderua Jared Leto, për rolin e tij si një pacient transseksual me AIDS në filmin Dallas Buyers Club.


Çmimi për aktoren më të mirë protagoniste shkoi për Cate Blanchett me filmin Blue Jasmine. Regjisori Woody Allen ka pasur probleme kohët e fundit me të bijën e adoptuar që e ka akuzuar për ngacmim seksual dhe i ka bërë thirrje Hollivudit të mos e vlerësojë atë. “Faleminderit shumë Woody që më dhe mundësinë të isha pjesë e filmit tënd”, u shpreh ajo.


Jennifer Lawrence u ngjit në skenë minuta më vonë për të dhënë çmimin e aktorit më të mirë për Matthew McConaughey në filmin Dallas Buyers Club. “Përse po qeshni?”, iu drejtua ajo publikut, i cili kishte në mendje incidentin e vitit të shkuar, kur aktorja u pengua teksa ngjiste shkallët për të marrë çmimin si aktorja më e mirë.


Matthew McConaughey, nga ana e tij, si aktori më i mirë protagonist u shpreh: “Për tri gjëra kam nevojë çdo ditë. Një prej tyre është të vlerësoj, tjetra është të përpiqem dhe e fundit, të ndjek dikë. Unë vlerësoj Zotin, përpiqem për familjen time dhe falënderoj tim atë që më bëri këtë që jam. Ky çmim i dedikohet atij, nënës dhe dy vëllezërve të mi”.


John Ridley, i cili fitoi për skenarin më të mirë të përshtatur tek filmi 12 Years a Slave, bëri thirrje për individin e përvuajtur të historisë së filmit. “Të gjitha lutjet shkojnë për Solomon Northup, sepse këto janë fjalët e tij dhe kjo është jeta e tij”, përmbylli ai.


Spike Jonze fitoi çmimin për skenarin më të mirë origjinal në lidhje me filmin Her, i cili ka lënë përshtypje të veçantë tek shikuesit që ndoqën me interes dashurinë e dikujt pas një sistemi operativ kompjuterik.


Nga ana tjetër, American Hustle ka marrë një goditje të fortë prej votuesve. I ndjekur gjerësisht si një prej tre filmave më të mirë të këtij viti që arriti të merrte 146 milionë dollarë nga shitjet e biletave në kinema dhe që u nominua 10 herë, American Hustle doli duarbosh.


Më pak i lumturi ishte Leonardo DiCaprio, i cili nuk u nderua për punën e tij as si aktor dhe as si producent për filmin The Wolf of Wall Street. Ndërsa filmi The Great Gatsby fitoi dy çmime për produksionin dhe kostumografinë.


Një nga surprizat e këtij viti ishte fotoja “selfie” e prezantueses Degeneres me aktorët e njohur, e cila theu rekorde dhe i shkaktoi probleme rrjetit social Twitter për shkak të trafikut të madh të njerëzve që e pëlqyen dhe shpërndanë. Rekordi i mëparshëm mbahej nga Presidenti Barack Obama kur u rizgjodh për herë të dytë.


Filmi Captain Phillips doli gjithashtu duarbosh, një zhgënjim si për Sony Pictures ashtu edhe për Tom Hanks i cili ishte kandiduar si aktori më i mirë protagonist për lojën si një kapiten i rrëmbyer nga piratët, histori e mbështetur në një ngjarje të vërtetë.


Më tepër se një vit me fitues entuziastë, u duk si ceremoni e humbësve të zhgënjyer, me aktore dhe aktorë të famshëm si Christian Bale, Leonardo DiCaprio, Bradley Cooper, Jonah Hill, Sandra Bullock, Julia Roberts, Meryl Streep dhe Jennifer Lawrence.


Gjatë ceremonisë gjithashtu u kujtuan ikonat që u shuan këtë vit si Harold Ramis, Karen Black, Hal Needham, Saul Zaentz, Elmore Leonard, Philip Seymour Hoffman dhe Shirley Temple Black.


Si fjalimi më i mirë cilësohet ai i fituesit të çmimit për aktorin më të mirë joprotagonist Jared Leto. Ai u shpreh: “Në vitin 1971, në Bossier City të Luisianës, jetonte një adoleshente që ishte shtatzënë me fëmijën e dytë. Ajo kishte lënë shkollën dhe ishte një nënë e vetme. Në njëfarë mënyre ajo ia doli të krijonte një jetë më të mirë për veten dhe fëmijët e saj. Ajo i inkurajonte ata të ishin krijues, të punonin shumë dhe të bënin gjëra të veçanta. Kjo vajzë është mamaja ime dhe është këtu sonte. Dua të them që të dua shumë nënë dhe faleminderit që më mësove të ëndërroj. Ka ëndërrimtarë kudo në botë që na ndjekin tani nga vende si Ukraina dhe Venezuela. Dua t’u them se ne jemi këtu dhe se ata duhet të vazhdojnë të përpiqen t’i bëjnë ëndrrat realitet, të jetojnë të pamundurën. Ky çmim shkon për 36 milionë njerëzit që kanë humbur betejën me AIDS-in dhe për të gjithë ata që u ka rastisur të ndiejnë padrejtësi për shkak të atyre që janë dhe atyre që duan. Sonte unë qëndroj përpara botës për ju”.