Një eksperiment i kryer nga Universiteti i Groningenit në Holandë ka treguar se çorapet mund të ndihmojnë në arritjen e orgazmës, si te gratë ashtu edhe te burrat. Shpjegimi është se këta aksesorë pengojnë ftohjen e këmbëve gjatë marrëdhënies, gjë që mund të jetë shpërqendruese, të krijojë parehati ose t’i pengojë partnerët të çlirohen plotësisht.

Studimi, i udhëhequr nga Gert Holstege dhe ekipi i tij, përfshiu 13 çifte heteroseksuale të moshës 19–49 vjeç. Në dhomën ku u zhvillua eksperimenti u eliminuan zhurmat dhe shpërqendrimet, ndërsa ndriçimi u mbajt i zbehtë.

Me radhë, njëri partner shtrihej me kokën brenda një skaneri, ndërsa partneri tjetër e stimulonte manualisht deri në orgazmë. Fillimisht ushtrimi u krye pa çorape dhe vetëm 50% e pjesëmarrësve arritën kulmin. Kur pjesëmarrësve iu dhanë çorape, përqindja u rrit në 80%.

Megjithatë, çështja e çorapeve nuk ishte qëllimi kryesor i studimit. Objektivi i vërtetë ishte të kuptohej, përmes skanimit të trurit, si funksionon arritja e orgazmës, edhe kur ajo simulohet. Kur orgazma shtiret, një pjesë e trurit ndizet dhe tregon vetëdije, ndërsa përjetimi i vërtetë i kënaqësisë është një proces i pavetëdijshëm.

Studimi evidentoi edhe dallimet mes orgazmës mashkullore dhe asaj femërore. Burrat kanë nevojë të dinë se do të marrin stimulim fizik, ndërsa për gratë është thelbësore të mos ketë ankth apo frikë. Tek burrat u vu re aktivizim i lartë i zonave të trurit që lidhen me përvojën prekëse. Për gratë, u theksua se është shumë e vështirë të përjetojnë marrëdhënien (dhe të çlirohen) nëse ndihen të frikësuara.

“Kur dëshiron të bësh dashuri me një grua”-shpjegoi Holstege për BBC “duhet t’i japësh ndjesinë se është e mbrojtur.” Sa i përket simulimit të orgazmës, grave pjesëmarrëse në studim iu kërkua që të shtireshin qëllimisht, në mënyrë që rezultatet e skanimit të krahasoheshin me ato të orgazmës reale. Sipas Holstege, gratë janë në gjendje ta imitojnë orgazmën mjaft bindshëm.