Tendencë – Gjithnjë e më shumë gra beqare në Danimarkë po vendosin të krijojnë familje duke përdorur një baba dhurues në vend që të presin për të njohur mashkullin ideal
“Të gjithë e kanë një baba”, dëgjova shokun e tim biri t’i thoshte atij dje. “Jo, unë nuk kam”, ishte përgjigjja e tij, thotë Anne Patricia Rehlsdorph, 45 vjeçe, një avokate nga Kopenhaga. “Ai është tani shtatë vjeç, por e ka ditur që nga mosha 2-vjeçare se ai është një bebe me baba dhurues dhe “familja” jonë jemi vetëm unë dhe ai. Të qenët një prind i vetëm është e vështirë, por gjithashtu fantastike. Nuk do ta kisha pasur ndryshe”.
Rehlsdorph është një nga shumë nënat beqare që po pësojnë rritje në Danimarkë, ku një nga dhjetë bebe konceptohet me spermë të dhuruar, që lindet nga një grua pa një partner. “Është një trend në rritje qëkurse beqareve iu ofrua trajtim pjellorie falas në vitin 2007”, thotë Karin Erb, drejtor laboratori në njësinë e pjellorisë në një spital në vend.
Kërkuesit mblodhën të dhëna personale nga beqaret që kryen riprodhim të asistuar në klinika private dhe publike për herë të parë këtë vit. “Dhe, teksa Danimarka ka numrin më të lartë të lindjeve të trajtimit të fertilitetit të asistuar në botë, këto nëna beqare janë po ashtu të shumta”, thotë Erb.
“Të gjithë njohin një nënë beqare ose po mendojnë të bëhen”. Depozitat e spermës kanë vënë re një numër në rritje kërkesash nga gratë beqare dhe heteroseksuale. “Rreth 50 për qind e klientëve tanë janë tani beqare”, thotë Ole Schou, drejtor i rezervës më të madhe të spermës në botë.
“Ne kemi shumë kërkesa të grave të edukuara mirë, ku 85 për qind e aplikimeve vijnë nga gratë e moshës 31 deri në 45 vjeçe dhe gjysma e tyre kanë një diplomë master ose edhe më të lartë. Gjithnjë e më shumë gra po e bëjnë këtë proces vetëm dhe ne parashikojmë që deri në vitin 2020, klientët tanë të jenë në 70 për qind të rasteve gra beqare”.
Por në fakt, të bërit një prind i vetëm nuk është në përgjithësi një kërkesë tipike femërore. Sipas një studimi nga spitali i Kopenhagës, 90 për qind e grave të marra në pyetje në nëntë klinikat publike në vend për fertilizim, thoshin se donin të kishin një fëmijë me një partner mashkull.
“Shumica thonë se të qenët një prind i vetëm ishte një plan rezervë”, thotë Lone Schmidt, profesor i asociuar nga Universiteti i Kopenhagës në Departamentin e Shëndetit Publik.
“Dy e treta kishin qenë në një marrëdhënie dhe donin të mbesnin shtatzënë, por partneri i tyre nuk ishte gati”. Mosha mesatare e çifteve që kërkojnë ndihmë për probleme me pjellorinë në Danimarkë është 33. Mosha mesatare e grave beqare është 36.
Me fjalë të tjera, gratë po presin derisa të bëhet e qartë se nuk kanë një burrë të rëndësishëm në jetën e tyre, derisa të vendosin që t’i ndërmarrin vetë veprimet.
Rasti
Kjo është ajo që i ndodhi një terapisteje dhe studenteje të drejtësisë me emrin Signe Fjord, 41-vjeçe. “Kam ëndërruar gjithnjë të kisha tre ose katër fëmijë, por burri me të cilin isha në një marrëdhënie në të tridhjetat e mia, nuk qe gati. Kam dalë me burra të tjerë që dukeshin shumë të interesuar në karrierë, ndaj e humba besimin. Nuk isha anti-maskiliste, sepse unë i adhuroj meshkujt! Thjesht nuk mund të gjeja dikë që donte fëmijë.
Pashë që shumë nga mikeshat e mia zgjodhën të bënin fëmijë me të dashur, të cilët i dinin se nuk do t’i kishin gjatë, por e bënin nga dëshira për të pasur një fëmijë. Gjithashtu, pashë familje tradicionale të shkërrmoqeshin përpara syve të mi. Ndaj, mendova: “Ndoshta është më mirë ta bëj këtë vetëm”.
Birësimi në Danimarkë është i pamundur për gratë beqare dhe gjithashtu shumë i shtrenjtë. Për më tepër, ajo donte fëmijën e saj. “Mendova të bëja një fëmijë me një shok, por kjo do të ndërlikohej shumë”. Të gjitha llogaritë e çuan te konceptimi me dhurues. Në vitin 2012 ajo kreu procedurën dhe lindi një vajzë. Fillimisht babai i gruas në fjalë ishte skeptik për atë që po kryente vajza e tij, por sapo i lindi e mbesa, ai u përkushtua pas saj.
Profesoreshë Susan Golombok nga Qendra për Kërkimet e Familjes në Universitetin e Kembrixhit argumenton: Ideja për familjet tradicionale, sipas të cilës fëmijët me një prind nuk ia dalin mbanë mirë, është e bazuar te nënat beqare që dalin nga një divorc ose një shtatzëni e paparashikuar. Këto gra zakonisht përjetojnë rënie të ardhurash, gjë që sjell probleme për fëmijën dhe rrit stresin te nëna.
Por nënat beqare që zgjedhin të ketë një fëmijë, nuk e kanë problemin financiar apo të stresit. Megjithatë, fëmijët e nënave beqare, mund të përballen me çështje të tjera, si për shembull: të mos njohin identitetin e dhuruesit. Por sipas kërkimit të Golombok, ky nuk është një problem nëse atyre u tregohet herët origjina.
“Në kuptimin psikologjik, kërkimet deri më tani tregojnë se fëmijët e nënave beqare nuk janë të ndryshëm nga ata me dy prindër në lidhje me përshtatjen ndaj ambientit dhe shoqërisë”, thotë Golombok.
Shërbimi social i Danimarkës, i cili kujdeset për të tilla raste, e bën punën më të lehtë për nënat që dëshirojnë një fëmijë, por nuk kanë një partner të gatshëm në jetën e tyre.
*Burimi: “The Guardian”.