Sot, me shtimin e rrjeteve sociale, nuk është më e nevojshme të regjistrohesh në një sajt të dhënash online. Dëshiron të kesh një lidhje? Mjafton një adresë dhe je pjesë e tregut


“Një burrë që nuk e kam takuar asnjëherë më ka copëtuar zemrën”. Kështu nis artikulli i një gazetareje të publikuar në një faqe interneti. Është një histori pasioni që lindi dhe përfundoi në “Twitter” me një të panjohur, qëllimi i të cilit ishte një takim më shumë në listën e tij të gjatë. Gazetarja nuk është as e para dhe as e fundit që bie në këtë kurth të rrezikshëm. Para pak kohësh ndoqa me kuriozitet historinë e një mikeshe. Le ta quajmë Emily. Ajo u “peshkua” në “Facebook” nga një aktor spanjoll. E veçanta që e tërhoqi aktorin? Pasioni për fotografitë. Nuk kishim asnjë shok të përbashkët. Më kishte dërguar thjesht një përshëndetje. E injorova për muaj të tërë, pastaj një natë gushti nuk po më zinte gjumi nga i nxehti dhe u ula pranë kompjuterit, hapa adresën time dhe iu përgjigja. Kështu nisi një prej flirteve më romantike të jetës sime.


Teknologjia, me kontributin e madh të rrjeteve sociale, ka kolonizuar botën e internetit. Ky është triumfi i teknoromancës. Këtë gjë na e tregon edhe shkrimtari austriak Daniel Glattauer, në bestsellerin “Ju kam treguar ndonjëherë për erën e Veriut“, i cili ka ndërtuar një histori të tërë dashurie, që lindi mes dy të panjohurve nga email-i i dërguar në adresën e gabuar. Gjithçka ndodhi falë kompjuterit.


Sot, me përhapjen e platformave, shumëfishohen mundësitë dhe mënyrat. Nuk duhet të klikosh medoemos në sajte takimesh të tipit “Meetic” ose “Match” për t’u regjistruar, për të paraqitur një profil sa më tërheqës, gjë që për shumë persona është humbje kohe apo dëshpërim sentimental. Tashmë falë zotit Zuckerberg, jemi pjesë e tregut. Mjafton të hapni një adresë në çdo rrjet social. Nëse jeni në “Facebook” mund të tregoni statusin e lidhjes ose ta fshihni fare atë. Nuk është e rëndësishme të bëni “poke” dhe “like” medoemos. Fundja herët ose vonë do të peshkoheni nga dikush.


Është drithëruese, por edhe shumë dehëse të mendosh se nga çasti në çast do të njohësh njerëz të rinj jashtë koordinatave të tua gjeografike falë “Facebook”-ut, mund të flirtosh publikisht në “Twitter”, mund të dërgosh mesazhe seksi dhe email të fshehtë në “Gmail”, t’u bësh “like” këngëve të dashurisë në “YouTube”, të ndash me të tjerët fotografi në “Instagram”, video në “Tango”, dhe të shihesh sy më sy në “Skype”. Asnjë nuk është indiferent ndaj internetit. Mund të shkëmbesh me të tjerët mendime rreth filmave, ose të bësh krahasime mes Ridley Scott dhe Martin Scorsese-s, mund të mësosh cilësitë e ushqimit tajlandez, të argëtohesh, të dëgjosh muzikë. Bota e internetit i ngjan asaj të një romani. Nuk arrin të dallosh nëse je i vërtetë apo jo?


Larg nga të qenët skeptik, lidhjet në “Facebook” ose “Twitter” e çojnë adrenalinën në nivele të frikshme. Gjithçka ndodh në kohë reale, jashtëzakonisht të shpejtë. Personi tjetër mund të jetë me pushime në Spanjë dhe poston foto në “Instagram”. Ndërkohë që vijnë mesazhe pafund të tipit: të dua; të dashuroj; më mungon; dashuria ime; shpirt… e kështu me radhë.


Fakti që njerëzit njihen në “Facebook” dhe nuk takohen përballë, do të thotë se lidhja nuk është e vërtetë? Në fakt nuk është tamam kështu. Në qoftë se sot nuk arrijmë më të shkëputemi nga interneti, a thua se ekzistenca jonë varet nga akti rutinë i gishtave mbi tastierë, atëherë do të thotë se bota virtuale, edhe në terma kohorë, po i ngushton gjithnjë e më shumë kufijtë e realitetit.