E ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë psikologia Loreta Caka. Ajo ka folur më shumë mbi dashurinë, mënyrën si zgjedhim partnerët, si dhe nëse dashuria është fat apo jo…

A është dashuria fat?

Është çështje fati deri në një pikë, por është edhe çështje se çfarë ne zgjedhim. Nëse ne njohim veten tonë, ne dimë se çfarë kërkojmë dhe fatin e zgjedhim vetë në njëfarë mënyre. Ti nuk mund të zgjedhësh dikë që nuk të përshtatet me jetën që bën. Por në ditët e sotme ne themi pse nuk po vjen fati im? Por a e pyesim ndonjëherë veten tonë a jemi gati për këtë fatin që do vijë? A e njohim ne veten tonë aq sa duhet, që ta mirëpresim këtë gjë që do vijë? Jo. Sepse dashuria dhe fati në dashuri që ne presim, nuk përkon vetëm me dashurinë e bukur të filmave. Nuk është vetëm ajo fasada që shfaqet nëpër filma apo në rrjete sociale, që janë sekuenca të shkurtra që gjithsecili mund t’i bëjë. Për një minut video në Instagram, njeriu edhe mund të shtiret për të dalë kaq bukur dhe për të marrë klikime. Dashuria nuk është kaq e bukur sa nëpër filma. Dashuria është përditshmëri, dashuria ka sfida, dashuria kërkon bashkëpunim, kompromis, dashuria kërkon ta ushqesh çdo ditë që ajo të lulëzojë dhe të mos vyshket. Në ditët e sotme kjo gjë nuk ndodh. Sepse secilo nga partnerët pret që vetëm të marrë, jo të japë. Dhe vjen një periudhë që kjo gjëja zbehet, nuk është më si në fillim, dhe të gjithë mendojnë që aty stopoi dashuria. Jo, aty nuk stopon dashuria. Nëse ti e njeh mirë veten tënde, automatikisht do njohësh dhe partnerin, kështu që ti je i aftë të japësh dhe ta ushqesh atë dashuri ashtu siç duhet që ajo të lulëzojë. Dhe të mos thuash që ishte fati i keq që të ra ky partner. Fati nuk është se të vjen dhe ti nuk mund ta ndryshosh, ti e ke vetë në dorë.