Migena Gjoka Metohu


Të jetosh midis ngasjes laiko-spirituale të ritmo-melosit afro-amerikan dhe motiveve të kult-tingullit europian…


T’i shkrish ato në miksime që hijeshojnë njëra-tjetrën…


T’i ndiesh si pasione që çlirojnë energji krijuese…


Të magjepsesh nga pasqyrimi i dritës që ndezin brenda teje…


E më pas asimilimin e tyre ta konvertosh në një “lëndë të re tingullore” ku ritmet akcentohen zhdrejtë, me forma asimetrike, me sinkopa e intervale zbritëse duke njohur vetëm kodet e tua të krijimit… Ta shndërrosh tastierën e pianos me tastet bardhezi në fletën e partiturës, ku gishtat si një penë e pabindur të ndjekin impulset e improvizimit… Do të thotë, që edhe pse ai nuk ekziston më, ta ndiejmë ëndrrën që jetoi kompozitori dhe pianisti i madh. Do të thotë të shijojmë jehonën që la pas në universin e pafund të emocionit tingull. Ky ishte Dave Brubeck.


Gjithçka nisi me kundërshtinë dhe pasigurinë e një fëmije përballë një disipline rigoroze e njëkohësisht magjepsëse siç është muzika. Mësimet e para të muzikës klasike i mori nga nëna e tij, e cila kishte studiuar për pianoforte në Angli. Brubeck megjithëse i shmangej literaturës klasike, prej së cilës preferonte improvizimin, filloi të kompozonte instinktivisht. Gjatë studimeve në kolegjin “Pacific” në Stockton, ai zbuloi te vetja një konfidencë të spikatur ndaj kontrapuntit dhe harmonisë. Nisi të binte në sy dukshëm me pjesëmarrjen në disa klube xhazi. Në vitin 1942, me të mbaruar Universitetin “Pacific”, u thirr nën armë, me destinacion Europën. Aty shmangu nisjen për në front, duke u bërë pjesë e grupimeve muzikore ushtarake. Me kthimin nga shërbimi ushtarak, u perfeksionua në studimet klasike me kompozitorin francez Darius Milhaud në “Millis College” në Oakland. Në vitin 1947, pas një eksperimentimi të shkurtër në oktet (formacion instrumental), ku figuronte Carl Tjader, me të cilin kishte rigjetur Paul Desmond, të njohur që kur ishin nën armë, organizoi një bandë xhazi në San Francisko. Në qershor të vitit 1951, Brubeck krijoi një formacion të ri instrumental “Dave Brubeck Quartet” ku figuronin Paul Desmond (sax alto), Bob Bates (kontrabas), dhe Joe Dodge (bateri). Fillimisht i vendosur në Black Hawk të San Franciskos, kuarteti u bë i njohur edhe falë interpretimeve në disa radio lokale. Katërshja mbeti e paharruar sidomos në mbrëmjet e famshme në Birdland në Nju Jork në vitet 1951-1952, nga ku kanë dalë dhe regjistrimet e hershme ‘live’ të grupit. Në vitin 1952 u incizua “Jazz at The Blackhawk”. Pritshmëria e kritikës nuk ishte fillimisht unanime, ku disa vinin në dukje një lloj sforcimi, jonatyrshmërie, e të tjerë manifestonin vlerësimin e menjëhershëm. Stili i Brubeck përshkruhej ngandonjëherë se i referohej (Bah, Shopen e Bela Bartok), duke ndezur legjendën e pianistit “klasik” huazuar nga Xhazi.



Kuarteti e rriti shumë popullaritetin në Kaliforninë e viteve ‘50, ku të tjerë talente të mëdha kryqëzoheshin në të njëjtat skena, ku spikasnin Chet Baker e Gerry Milligan. Në optikën e rritjes së popullaritetit të tij përpara audiencave që demonstronin ngrohtësi, Brubeck vendosi të preferonte ekzibicionet pranë kampuseve universitare, për më pranë dëgjuesve të rinj potencialisht më të hapur ndaj inovacioneve të tij. Kuarteti spostohej në një mënyrë frenetike, nga një universitet në tjetrin, ku u realizuan shfaqje të shumta me improvizime virtuozësh, duke u formëzuar e ashtuquajtura shkolla e Bregut Perëndimor “Cool Jazz”, e cila përhapi versionin brubeckian të (cool jazz). Nga vetë fjala anglisht cool (i freskët) mori një konotacion pozitiv në zhargonin studentor, duke u shndërruar kështu më pas në të folurën e zakontë, atribut i gjenialitetit të Brubeck.


“Fantasy” quhej tashmë marka e Shoqërisë Diskografike që do të nxirrte albumin e tij të parë “Jazz at Oberlin”, regjistruar në Ohaio në mars të vitit 1953, albumi i parë absolut ‘live’ në të gjithë historinë e xhazit. Nga pesë pjesët që e përbënin atë, tre mbetën më të spikaturat për stilin e tyre mjaft autonom, duke ngjallur shumë diskutim te kritika. Në gjurmët e tij pasoi edhe albumi tjetër Jazz at Wilshire-Ebell” po nën markën “Fantasy” incizuar në Los Anxhelos. Në këtë album veçohet sidomos ekzekutimi “Stardust” (Pluhur yjesh), një nga pjesët që do ta përfshinte shumë herë në shfaqjet e tij të mëvonshme. Po në vitin 1953, doli edhe albumi tjetër “Jazz at the College of the Pacific”. Albumi u regjistrua pranë të njëjtit institut në të cilin Brubeck ishte diplomuar. Falë këtij disku, arriti në të vërtetë njohjen kombëtare. Në vitin 1954 revista “Time” iu dedikua Brubeck, xhazistit të parë që kishte merituar edhe kopertinën e numrit, duke e shpallur pa asnjë rezervë “The birth of a new kind of jazz age in the US” (Lindja e erës së re të xhazit amerikan).


Ndoshta duke parë kompleksitetin e tematikave sociale në referencat e botës së xhazit, që në mazhorancë merrte jetë nga muzikantët e këngëtarët me ngjyrë, në kohën kur akoma ishte prezent diskriminimi racial, Brubeck ndiente tërheqjen e veçantë pas ngjyrës së zeshkët. Nga shumë kritikë i mëshohej me cinizëm tezës se nga muzika e zezë asgjë nuk kishte shërbyer si sukses për këtë muzikant të ri të bardhë. Shpejt pasuan regjistrimet njujorkeze nga “Basin Street Club”, së bashku me Chet Baker, Clifford Brawn e Gerry Milligan. Në vitin 1956 Brubeck angazhoi edhe bateristin Joe Morell, i cili me kapacitetin e tij krijues mund ta pasuronte kompozimin me një hapësirë të tretë virtuoziteti. Por Brubeck eksperimentonte vazhdimisht, duke kërkuar në labirintet e fantazisë së tij krijuese. E kështu themeloi kuartetin, nga i cili mbetet në vend të parë të regjistrimeve “The Blu Note” në Çikago më 1957-n. Po në këtë vit u regjistrua “Reunion”, një disk për të cilin grupi i Brubeck u zgjerua në kuintet, përkrah Desmond dhe David Van Kredt në (sax tenor), autor i disa pjesëve të grupit.


Disku Oberlin, më shumë se të tjerët, tërhoqi vëmendjen e kompanisë diskografike “Columbia”, e cila nxori në treg diskun “Jazz goes to college”. Si në formë dhe në përmbajtje ai ishte një sukses diskografik. Ndërsa incizimi i pjesës “JGC”, si një emërtesë e shkurtuar me një shije akronimike tërësisht anglosaksone, u bë shumë shpejt i njohur duke mbetur një nga veprat më kulmuese të xhazit për dekada. Si për esencën e vlerave artistike, dhe për kalimin në një koncept më të gjerë të këtij zhanri muzikor, Brubeck arriti të siguronte si të thuash një “zhdoganim” të kësaj muzike që deri në atë kohë mbahej si folklorike dhe disi e mënjanuar, e që frekuentohej vetëm nga shtresa sociale të paragjykuara me ngjyrë.


1959-a ishte viti i Brubeck. Filluar në pranverë me “Gon with wind”, (Bashkë me erën), në të cilin kuarteti siguroi bashkëpunimin e producentit Teo Macero, eksperimentohej për kolonën zanore të filmit me të njëjtin titull duke i ngritur kështu më shumë prestigjin grupit dhe liderit të tij. Viti mrekulli preku majat kur u publikua disku “Time Out”, që menjëherë pati impakt të madh si nga kritika edhe publiku. Barazimi i kuartetit me bend-in ellingtonian, atëherë më i famshmi dhe më autoritari i xhazit, vinte së bashku me suksesin e siguruar në turnetë europianë, si në Kopenhagën… etj. Nga përballja muzikore me publikun në kontinentin e vjetër do të lindte më pas “Jazz impressios of Eurasia”, incizuar në Nju Jork, për të mbetur albumi më i rëndësishëm falë edhe pjesës tepër të njohur “Take Five”. Versioni origjinal i kësaj pjese do të pasohej nga dhjetëra e dhjetëra rivënie e versione me formacione të ngjashme apo alternanca instrumentale.


Disku “Time out”, incizuar në “30-th Street Studio” në Nju Jork, përmban edhe një tjetër pjesë standard të Brubeck “Blu rondo a la Turk”, inspiruar nga motive të muzikës tradicionale turke, që së bashku me “Take Five”, në pak kohë do t’i kalonte milionat e kopjeve të shitura, rasti i parë në historinë e diskografisë së xhazit. “Time Out” është disku i kohëve të pazakonta të Brubeck, duke bërë që kuarteti të qëndronte i bashkuar deri në vitin 1967. Më pas Dave Brubeck iu dedikua tërësisht kompozimit, duke shkruar balete, mesha, oratore e kantata. Ai aplikoi me sukses e origjinalitet disa forma muzikale nga muzika klasike te xhazi (si fugat dhe rondot). Kontribuoi për të përhapur tempet e humbur të xhazit të viteve ‘50-‘60. Për t’u veçuar është edhe kompozimi në katër kohë “Dialogues for Jazz Combo” me orkestër, krijuar nga vëllai i Dave Brubeck, Howard, shfaqur për herë të parë në 10 dhjetor 1959 me kuartetin e Dave Brubeck dhe filarmoninë e Nju Jork-ut me dirigjent Leonard Bernstein. Kompozimi krijonte një dialog mes orkestrës simfonike dhe kuartetit të xhazit.


Më 5 dhjetor 2012 mbylli sytë përgjithmonë novatori i vjetër i shekullit të ri, një ditë përpara 92-vjetorit të ditëlindjes së tij në spitalin “Howalk” në Konektikat, nga një arrest kardiak.


Humbi siç humbasin të gjithë humanët kur ndërrojnë jetë, por në jetën tij biologjikisht të gjatë, arriti të fitonte famë e trofe të shumtë. Këto asete të çmuara i siguruan një status të veçantë, statusin e kujtesës pa kohë.


Kënaqësia ime për këtë artist është e dyfishtë, sigurisht për kualitetin e muzikës që solli ndër vite, por edhe për faktin e një mundësie që më është dhënë për të punuar dhe për t’i kaluar nëpër duar pikërisht disqet e lartpërmendura prodhuar e dalë në tregun diskografik të viteve ‘50-’60, të cilat ndodhen në fondin diskografik të Arkivit Qendror të Shtetit.