George Clooney ka pranuar edhe një herë se një nga projektet më të kritikuara të karrierës së tij, filmi “Batman & Robin” (1997), është në fakt mësimi më i madh i jetës së tij profesionale.
Gjatë një interviste në grup në premierën e filmit të tij më të fundit, “Jay Kelly”, në Los Angeles, aktori 64-vjeçar u ndal te dështimet dhe ndikimi i tyre në rrugëtimin e tij në Hollywood.
‘Batman dhe Robin’ – Mësova shumë nga ai film. Nuk mëson nga suksesi, mëson nga dështimi, por pastaj duhet ta kuptosh gjatë rrugës, prandaj është i dobishëm
– u shpreh Clooney.
Filmi “Batman & Robin” u prit shumë keq në kohën e publikimit, duke marrë kritika të ashpra dhe 11 nominime për çmimet “Mjedra e Artë”, që nderojnë arritjet më të dobëta në kinematografi.
Ai vazhdon të ketë një vlerësim shumë të ulët edhe sot, vetëm 11 për qind në Rotten Tomatoes.
Clooney i është bashkuar shpesh kritikëve në vlerësimin e tij për filmin dhe rolin e Bruce Wayne/Batman.
Në vitin 2019, ai e cilësoi hapur projektin si një “dështim” që e detyroi të rishikonte të gjithë qasjen e tij ndaj punës.
Nuk isha i mirë në të, nuk ishte një film i mirë. Ajo që mësova nga ai dështim është se më është dashur të mësoj nga e para si të punoj
-ka treguar ai më herët për The Hollywood Reporter.
Ai shtoi se pas kësaj përvoje nuk e shihte më veten thjesht si një aktor që merr një rol, por si dikë që mban përgjegjësi për të gjithë filmin.
Kjo qasje, sipas Clooney-t, ka ndikuar drejtpërdrejt në zgjedhjet e tij të mëvonshme dhe suksesin që erdhi pas tyre.
